Vriten dhe digjen dy persona në Durrës

437
Sigal

DURRES– Trupat e dy djemve nga Fushë-Kruja, janë gjetur të karbonizuar brenda një automjeti, edhe ai i djegur i cili u gjet tek zona e ish-Kënetës, pranë tregut të makinave në zonën ku para viteve 1990 kanë qenë ish-vaskave e peshkut.  Makina tip Mercedez Benz’ me targa AA930BJ është gjetur e shkrummbuar rreth orës 22:45 minuta të mbrëmjes së të enjtes (20 shkurt 2014).Nga të dhënat e para të policisë, dy djemtë, të identifikuar si Albert Kasalla dhe Shaban Babasi nga Fushë Kruja, janë ekzekutuar me armë në një banesë në Shkozet dhe më pas janë transportuar me makinën e tyre drejt zonës ku dhe i është vënë flaka makinës. Trupat e djemve, janë gjetur të shkrumbuar njëri në sediljen e pasme të mjetit dhe tjetri në bagazhin e makinës.

ORA 10:05 SAKTESOHEN EMRAT E VIKTIMAVE
Mjekët në morgun e spitalit të Durrësit saktësojnë se emrat e viktimave janë Albert Kasalla dhe Shaban Babasi, përkatësisht 34 dhe 27 vjeç.

ORA 09: 48: DY TE SHOQERUAR, NJE NE KERKIM
Policia ka shoqëruar dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

ORA 08:45 POLICIA GJEN BANESEN NE SHKOZET KU NDODHI EKZEKUTIMI 
Sipas policisë dy djemtë janë vrarë armë me zjarri në banesë në Shkozet dhe më pas janë dërguar me automjet në zonën e ish Kënetës, ku i është vënë flaka makinës.  Në banesën në Shkozet janë gjetur edhe gjurmë gjaku dhe gëzhoja. Makina ishte në pronësi të viktimave.

ORA 08: 40 IDENTIFIKOHEN VIKTIMAT,  SHABAN KASALLA DHE ARTUR BABASI
Policia thotë se viktimat janë Shaban Kasalla dhe Artur Babasi nga Fushë Kruja. Policia thotë se kemi të bëjmë me një konflikt mes dy palëve  njihen nga ana e policisë si problematikë. Duket se ka pasur sherr mes dy palëve, ndoshta për prishje pazaresh, që ka nisur disa kohë më përparadhe që ka precipituar në ngjarjen e djeshme.

ORA: 08:15 DY KUFOMAT MENDOHET SE JANE NGA FUSHE KRUJA 
Policia thotë se dy kufomat janë të dy qytetarëve nga Fushë Kruja por nuk bëhen të ditur emrat për shkak të verifikimeve të fundit hetimore. Ndërkohë që familjarët janë thirrur për të bërë kqyrjen në morg. Më vonë policia pritet të japë edhe emrat e 2 djmeve  të ekzekutuar.

ORA 07:00 EKSPERTET PATEN TE VESHTIRE NXJERRJEN E TRUPAVE 
Makina  është dërguar në pjesën fundore të një rruge që lidh plazhin e Durrësit me zonën e Porto Romanos. Ekspertëve i është dashur më shumë se dy orë për të nxjerrë nga makina trupat e karbonizuar. Madje ata kanë përdorur kazma e lopata. Po kështu puna e ekspertëve ka qenë e vështirë për shkak se kemi të bëjmë me një zonë të errët dhe pa ndriçim. Pas orës 01:00 të mesnatës është bërë e mundur nxjerrja e trupave nga automjeti.

ORA 23: 32 SI U ZBULUAN KUFOMAT 
Dy persona janë gjetur pa jetë brenda një automjeti të djegur tek ish-vaskat e peshkut, pranë tregut të makinave në zonën e ish-Kënetës. Nga të dhënat e para dyshohet se personat mund të jenë ekzekutuar dhe më pas djegur. Fillimisht janë parë flakët më pas është njoftuar policia nga banorët e zonës. Trupi i kufomave është nxjerrë nga automjeti i djegur pas orës 01:00 të mëngjesit. Sipas hetimeve të para të policisë, makina ‘Benz’ e shkrumbuar i përket zonës së Krujës. Efektivët e policisë tentuan të kontaktonin me pronarët e mjetit, por nuk u arrit asnjë kontakt. Identiteti i viktimave enuk është bërë i ditur për shkak të shkallës së djegjes, ndërsa policia dhe një grup ekspertësh të mjekësisë ligjore kanë mbërritur në vendngjarje, dhe po hetojnë për identifikimin dhe shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë.