Vrasja mes krushqve në Vlorë për një kasolle, ja kush është viktima

545
Hetem Brahimaj, personi që shihni në foto është viktima e vrasjes së djeshme në Borsh të Himarës, në rrethin e Vlorës.

Viktima Hetem Brahimaj
Si autor të vrasjes, efektivët e policisë kanë arrestuar Sokrat Xhuvelin, 57 vjeç, i cili është edhe krushk me viktimën. Djali i viktimës është martuar me mbesën e autorit.

Vrasja
Krimi është shënuar gjatë paradites. Policia ka bërë të ditur se rreth orës 09:30, është njoftuar se në Borsh të Himarës ka ndodhur një vrasje. Sapo është marrë njoftimi, shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se ngjarja ka ndodhur në lagjen “Shkallë” të Himarës, në banesën e viktimës.

Konkretisht, Sokrat Xhuveli, 57 vjeç, banues në Borsh, ka shkuar në banesën e Hetem Brahimaj, 79 vjeç dhe dyshohet se e ka qëlluar me armë gjahu “çifte” këtë të fundit duke e lënë të vdekur në vend.

Policia ka arrestuar autorin. “Nga hetimet paraprake të kryera, dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta”, njofton policia në versionin zyrtar për ngjarjen.

Policia dyshon se vrasja ka ndodhur pas një konflikti verbal që ka nisur për kasollen e bagëtive. Mësohet se autori dhe viktima ishin fqinjë me njeri-tjetrin. Xhuveli dhe Brahimaj janë konfliktuar pasi autori e ka akuzuar viktimën për një kasolle të ngritur nga 79-vjeçari në tokën e tij.

Fillimisht, mësohet se sherri është zhvilluar në qendër të fshatit dhe më pas autori Sokrat Xhuveli ka marrë çiften dhe ka shkuar në shtëpinë e Brahimajt duke e ekzekutuar.
Sigal