Vrasja e 35-vjeçarit në Shkodër, policia zbardh ngjarjen: Autori i kërkoi takim te varrezat (Emri)

685
Zbardhet ngjarja e ndodhur diten e djeshme në Shkodër, ku një 35-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri. Angjelin Shkami, banues në Pulaj, në Velipojë, u gjet i vrarë brenda automjetit të tij pranë varrezave të Stom Golemit.
Menjëherë, policia ka nisur hetimet për ngjarjen, dhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore, dhe operative, ka bërë të mundur identifikimin dhe shpallje në kërkim të autorit të dyshuar.
Ai është Artan Koçeku, 27 vjeç, banues në fshatin Pog, në Shkodër, i cili ka qënë me leje shpërblimi nga burgu i Peqinit, ku vuan denimin për ngjarjen e ndodhur në vitin 2013, për veprën penale “Vjedhja me armë”, parashikuar nga neni 140 i Kodit Penal.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e një konflikti për shkak të një borxhi që autori i dyshuar A.K, i ka patur viktimës A.Sh.
Sipas policisë së Shkodrës, autori ka patur një komunikim me telefon me viktimën, dhe janë takuar tek varrezat e Stom Golemit, ku shtetasi A.K, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit A.Sh, i cili ndodhej në automjetin e tij, e për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Ndërkaq, po punohet intensivisht për përcaktimin e vendndodhjes dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Vrasje me paramendim” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Sigal