Vlorë: Zbulohen dhe asgjësohen 370 bimë narkotike

66
Policia e Vlores zbuloi dhe asgjësoi përmes djegies, një parcelë me 370 bimë narkotike kanabis sativa, ndërkohë që nisi hetimet për identifkimin e autorëve. Burime zyrtare te policise lokale bene te ditur per ATSH-ne se, bimët narkotike me një lartësi deri në 120 cm, u zbuluan në fshatin Treblovë, të Bashkisë Selenicë, 30 km në lindje të Vlorës, gjatë një operacioni antikanabis të policisë lokale. Kanabisi ishte kultivuar në një parcelë toke pa pronar, çka e vështirëson punën hetimore të policisë për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë lidhje me bimët narkotike. Ky aksion i policisë së Vlorës, pason atë të dy ditëve me parë, kur në fshatin Verbas, u zbuluan dhe asgjësuan 2890 bimë narkotike kanabis sativa. Gjatë këtij aksioni, që u shoqërua me bilancin më të madh në të paktën dy muajt e fundit, u arrestuan edhe 3 persona të dyshuar, ndërkohë që u shpall në kërkim një i katërt. Kështu, u arrestuan në flagrancë shtetasit, Myslym Gllucaj, 38-vjeç, Tomorr Malaj, 50-vjeç, Servet Canaj, 71-vjeç, ndërkohë që u shpall në kërkim edhe Maksim Canaj, 32-vjeç. Gjatë dy muajve të fundit, policia e Vlorës ka zbuluar dhe asgjësuar të paktën 29 mijë bimë narkotike kanabis sativa, ndërkohë që ka arrestuar apo shpallur në kërkim 16 persona të dyshuar se kanë lidhje me to.