Shpërthimi i tritolit në Shkodër, sekuestrohen pamjet filmike. Policia jep detaje

108
Kur kanë kaluar disa orë nga shpërthimi i fuqishëm i tritolit që tronditi banorët e lagjes “Partizani” në qytetin e Shkodrës, paraditen e sotme, policia ka dhënë detaje për ngjarjen. Sipas uniformave blu, eksplozivi ishte vendosur në një motor.
Objektiv i atentatit ishte biznesmeni i njohur në Shkodër, 43-vjeçari Lulzim Kulla. Atentatorët e kishin mirëorganizuar sulmin dhe dyshohet se paraprakisht monitoronin çdo lëvizje të Kullës.
Autorët kishin gjetur mundësinë që sasinë prej 400 gramë tritol ta vendosnin në pjesën e motorit të mjetit tip “Fuoristradë” me targa AA 444 PX, me të cilën lëvizte Kulla. Sapo biznesmeni po hipte në makinën e tij çdo gjë shpërtheu në flakë, ndërsa 43-vjeçari përfundoi disa metra më tutje i plagosur rëndë.
Të lënduar gjithashtu mbetën edhe 6 persona të tjerë, kalimtarë dhe shitës të dyqaneve në këtë zonë.

Për shkak të plagëve të rënda Kulla dhe një tjetër i plagosur u transportuan drejt Tiranës për mjekim më të specializuar, ndërsa 5 të tjerët u dërguan për mjekim në spitalin e Shkodrës.
Ngjarja mund të kishte pasoja fatale pasi zona është tepër e populluar në atë orë të ditës. Shpërthimi i fuqishëm ka dëmtuar dyqanet në ndërtesën dykatëshe pranë së cilës ndodhej makina, duke iu shkatërruar dyert dhe xhamat. Banorët tregojnë panikun që përjetuan ato momente.
Mësohet se në lagjen “Partizani”, aty ku ndodhi shpërthimi, Kulla zotëronte një dyqan, të cilin e kishte lënë me qira. Biznesmeni rezulton një emër i skeduar në polici dhe i njohur në qytet si “i forti i Shkodrës”, me precedentë të theksuar kriminalë dhe të shkuar të errët.
43-vjeçari, lindur dhe banues në lagjen “Guerrile” të Shkodrës, u kap në vitin 2016 me armë zjarri pistoletë TT kur në banesë iu gjet një sasi e konsiderueshme municionesh. Po në të njëjtin vit, Kullës iu zbulua edhe një sipërfaqe toke në Dukagjin ku kultivohej lëndë narkotike dhe ai u dënua me 6 muaj burg. Policia ka sekuestruar pamjet filmike të bizneseve aty pranë shpërthimit, pasi besohet se kamerat kanë filmuar momentin e vendosjes së lëndës eksplozive dhe mund të ndihmojnë për zbulimin e autorëve.