Sekuestrohen 2 mjete lundruese në Vlorë, skafi udhëtonte drejt Durrësit

694
Policia kufitare e Vlorës ka bllokuar dy mjete lundruese. Blutë bëjnë me dije se pranë rrugës Radhimë-Vlorë, në bregdet u konstatua një mjet lundrues tip skaf plastik me gjatësi 5.10 m dhe gjerësi 2.10 m, dhe me një motor të markës “Ervinrude” në pronësi të shtetasit F.H.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi i mësipërm nuk dispononte dokumentacionin përkatës për zhvendosjen e mjetit lundrues nga Jala për Durrës duke mos njoftuar autoritetet përkatëse.

Policia ka filluar procedimin penal ndaj shtetasit F.H., për veprat penale “Zotërimi dhe mbajtja”, “Ndryshimi i kushteve”, “Regjistrimi, klasifikimi, mënyra e përdorimit dhe kontrollit të mjeteve lundruese me motor, me tonazh nën 20NT” bazuar në ligjin nr.8663, datë 18.09.2000.

Po gjatë ditës së djeshme, 1 qershor 2017, blutë sekuestruan në ujërat detare Hoxharë-Triport mjetin tip Gomone, me gjatësi 7.52 m dhe 3.08 m, me 2 motora të markës “Yamaha” në pronësi të shtetasit E.G.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se mjeti është nisur nga Porti i Durrësit pa certifikatë përdorimi nga policia kufitare.

Policia ka filluar procedimin penal në ngarkim të shtetasit E.G., për veprën penale “Mosdeklarimi i ndryshimeve”, bazuar në ligjin për mjetet lundruese.
Sigal