Rikthehet ‘97-ta, ekzekutohet me atentat kapobanda i Durrësit bashkë me kunatin

125

Rrogozhinë/Astrit Gepali i dënuar me 25-vite për 5 vrasje kthehej nga leja në burgun e Peqinit, kunati dhe një tjetër e shoqëronin

Ekzekutimi dje i Astrit Gjipalit, një nga kapot e bandave të vitit 1997 në Durrës, së bashku me kunatin dhe plagosja rëndë e dy personave të tjerë në mes të ditës e në aksin e rrugës nacionale, tregoi dhe një herë se krimi ka pushtuar vendin kohët e fundit dhe jeta po bëhet përherë dhe më e pasigurt. Ndërkohë, policia e përforcuar me njerëz e mjete, nga toka dhe ajri, ndonëse ka shoqëruar dhjetëra veta, ende nuk ka mundur që të arrestojë autorët e atentatit mafioz.

ATENTATI MAFIOZ

Dy persona njëri prej tyre Astrit Gjepali, 45 vjeç i cili po kryente dënimin me 25 vjet burg për vrasje, janë ekzekutuar në një atentat pranë Rrogozhinës. Viktima e dytë është kunati i Gjepalit, Halit Fici, 54 vjeç, biznesmen i njohur në Durrës, për të cilin në vitin 2009 policia italiane ngriti akuza për trafik droge. Fici kishte për grua motrën e Gjipalit. Astrit Gjepali dhe Halit Fici janë ekzekutuar në një atentat pranë Rrogozhinës. Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:00 të mesditës së sotme. Burime nga vendi i ngjarjes dhe ato zyrtare pohojnë se, në atentat kanë mbetur të plagosur dhe 2 persona të tjerë, Ilir Sulki dhe Mariglen Balliu, njeri prej të cilëve kalimtar i rastit. Astrit Gjepali ishte kapo i bandës së njohur “banda e Gjepalit” që ka vepruar në 1997 dhe është ekstraduar nga Italia në 2006. Ishte dënuar me 25 vjet burg. Vrasja ka ndodhur në vendin e njohur si Bishti i Zhurit, në hyrje të Rrogozhinës, rreth 40 km larg qytetit të Durrësit.
TITULLARËT E BURGJEVE

Pse ndodhej jashtë qelive, ku vuante dënimin Astrit Gjepali për vrasjen e 5 personave, një prej të cilëve polic? Këtë e saktëson pas ngjarjes dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Sipas tyre, leja për Astrit Gjepalin është kundrejt të gjitha rregullave. Sipas këtij institucioni, “i dënuari Astrit Skënder Gjepali, i datëlindjes 8 dhjetor 1969, i martuar, vendlindja dhe banimi Durrës, vuante dënimin prej 25 vitesh heqje lirie”. Më tej saktësohen dhe detaje të tjera… “Gjepali ishte sistemuar në burgun e Peqin, siguri e zakonshme, me vendim gjykate të dhënë në vitin 2001, dënuar në bazë të nenit 78, 278 dhe 230 të Kodit Penal. Atij i kishin mbetur rreth edhe 6 vjet e 2 muaj dënim për të kryer. Duke filluar që nga viti 2012, këtij të dënuari i janë dhënë leje shpërblyese konform të gjitha rregullave, bazuar në Udhëzimin e Ministrit të Drejtësisë në lidhje me procedurën e dhënies së lejeve ndaj personave të burgosur… Leja shpërblyese aktuale e të dënuarit Gjepali ka nisur më datë 09.01.2014, ora 13:30 dhe përfundonte sot, datë 16.01.2014, ora 13:30, pra gjithsej 7 ditë leje”, përfundon njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve për viktimën e sotme. I burgosuri Astrit Gjepali ka qenë duke u kthyer në burgun e Peqinit pasi ishte larguar me leje të posaçme më 9 janar dhe do të kthehej sot(të) mërkurën në mesditë. Viktima e dytë Halit Fici, kunati i Gjepalit dhe po e shoqëronte me makinë drejt qelive të burgut”,-shton burimi i mësipërm.

POLICIA

Pas alarmit e vënien në kërkim të forcave të shumta e mjeteve, pikërisht në orën 15:40, policia e Tiranës ka dhënë detaje të tjera rreth motiveve të atentatit mafioz. “Më datë 16 Janar 2014, rreth orës 13:15’ në Bishtin e Zhurit Kavajë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë gjetur vdekjen shtetasit Halit Fici, 54 vjeç, Astrit Gjepali, 45 vjeç, si dhe janë plagosur me armë zjarri Ilir. S dhe Mariglen. B, respektivisht 23 vjeç, të cilët kanë marrë plagë të lehta dhe po marrin mjekim në Spitalin e qytetit të Durrësit. U formua grupi hetimor i përbërë nga ekspert të krimeve të rënda, ekspert kriminalist, përfaqësues nga Prokuroria dhe drejtues të Policisë së Tiranës. Paraprakisht, dyshohet se ngjarja ka ndodhur përgjatë momenteve të udhëtimit me automjet  nga ku viktimat janë qëlluar me armë zjarri… Kjo ngjarje ka ndodhur për motive hakmarrje”-thuhet në komunikatën zyrtare. Gjithashtu, policia thotë se, ka gjetur të djegur makinën e autorëve. Makina, me targa false, e autorëve është gjetur në rrugën e stacionit të pompimit të ujit të komunës Dushk në Lushnje.
PËRGJEGJËSITË

Atentati i djeshëm, i tipit mafioz, nxjerrë ‘zbuluar’ në disa drejtime si sistemin e burgjeve, ashtu dhe policinë. Në komunikatën zyrtare, nga DPB nuk jepet shkaku i lejes së radhës (nuk është e vetmja) për një të dënuar me 25 vite burg! Me rregullore, lejet jepen vetëm në raste të veçanta, kryesisht vdekje të familjarëve të të dënuarit. Për më tepër, leje të tilla nga burgjet kur ende vazhdojnë ndëshkimet për gardianë e drejtues të burgut të Drenovës (të mërkurën u shkarkua dhe drejtori i burgut), tregojnë minimalisht se, në sistemin e burgjeve ende vazhdojnë të jenë fije të padukshme që komandohen nga krimi. Ndërsa policia, edhe në krimin mafioz të ditës së djeshme, del ‘zbuluar’. Mjafton dy fakte që e vërtetojnë këtë… E para, persona të armatosur, lëvizën me automjet, bile dalin dhe në pritë e kryejnë atentat, tregon se kontrollet e saj në rrugë (atentati ndodhi në aks nacional) rezultojnë fiktive. Për më tepër, automjeti lëviz me targa false e policia rrugore nuk arrin ta ndaloj. Bile dhe pas krimit, atentatorët bëjnë dhjetëra kilometra rrugë, e së fundi braktisin dhe makinën, ndërsa policia shkon dhe e gjejnë mjetin pas disa orësh!? Atentatet dhe ndodhin, bile kudo, por faktet që përmendëm më sipër, tregojnë se krimi është I fuqishëm, po mbanë vendin nën terror, e policia e strukturat e tjera, në mos të inkriminuara (segment a persona të veçantë), është gjithmonë një hap prapa…

 KUSH ISHTE ASTRIT GJEPALI 

Astrit Gjepali ishte kapo i një bande të njohur si banda e Gjepalit që ka vepruar në 1997. Anëtarë të bandës janë Astrit Gjepali dënuar me 25 vjet burg, Naim Qerimi dënuar me 25 vjet burg, Mirush Jareci Dënuar me 20 vjet burg, Bashkim Haxhia dënuar me 20 vjet burg. Ata u akuzuan nga Prokuroria se vetëm brenda 24 orëve, në datat 15 dhe 16 shtator të vitit 1997, kanë vrarë pesë persona dhe kanë plagosur disa të tjerë. Viktimat e tyre kanë qenë shtetasit Luan Plaku, Kajmak Kullolli, Bilal Neza, Gëzim Beqiri e Nazmi Kopshti, ky i fundit punonjës policie. Këto vrasje nuk u vërtetuan dhe Astrit Gjepali u dënua me 25 vjet  për një vrasje të kryer në Zvicër. Në 2006 u ekstradua nga Italia dhe po kryente dënimin në Shqipëri.

KRONOLOGJI

Ora 13:15

Në vendin e quajtur Bishti i Zhurit vriten me kallash nga një pritë Astrit Gjepali dhe Halil Fico

 Ora 14:07 

Komunikohet se Gjepali ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe organizatë kriminale. Kishin dhe 6 vjet e 7 muaj burg.

 ORA 14:18

Konfirmohet nga D.P.B se Astrit Gjipali kishte marr lejë më 9 janar e në orën 13:00 do kthehej në Burgun e Peqinit

 Ora 14: 55

Policia thotë se ka rënë në gjurmë të autorëve të atentatit, por për arsye hetimi nuk bën të ditur emrat e tyre.

Ora 14:57

Gjendet në Lushnje, në afërsi të pompave në Dushk, makina e autorëve. Mjeti ishte me targa false

Ora 15:12

Në operacion përfshihen policia e Kavajës, forcat special nga Tirana, dhe helikopterë nga ajri

 Ora 15:20

Konfirmohet identiteti I të plagosurve në atentat. Ata janë  Ilir Sulkja e Mariglen Balliu, kalimtar