Ra në kanionin e Erzenit,gjendet pas 10 ditësh trupi i 18-vjeçarit

542
Sigal

TIRANE  – Gjendet trupi i pajetë i 18-vjeçarit Erjon Alizoti, ekskursionisti i cili prej gati 10 ditësh kërkohej në Kanionet e Erzenit, pasi u rrëzua aksidentalisht në lumë, i zhdukur prej 30 marsit.
Trupi i 18-vjeçarit Erjon Alizoti u gjet nga polumbarët dhe Forcat RENEA në një guvë rreth 20 metra larg vendit ku ai u rrëzua dhe do t’i nënshtrohet ekspertizës në morg. I riu bashkë me grupin mbi 50 veta ishin organizuar në rrjetin social “Facebook”, nga “Rrjeti i Vullnetarëve Shqiptarë”. Erjoni u rrëzua bashkë me një djalë tjetër, i cili fatmirësisht arriti të shpëtohej nga pjestarët e tjerë të grupit. Policia procedoi penalisht organizatorët e këtij eksursioni për mos krijimin e kushteve të sigurisë e grupit të të rinjve. Në kërkimet për gjetjen e Erjonit,  u përfshinë dhe familjarë, miq, shokë dhe vetë personi që ka qënë dëshmitari kryesor, i cili prej tre ditësh ka qenë së bashku me policinë, ku i ka orientuar rreth kërkimeve duke kërkuar dhe vete, për të gjetur trupin e pajetë të shokut të tij. Një prej organizatorëve të ekskursionit, Ilia Gërdupi, i cili pas ngjarjes dha dëshminë e tij në polici, rrëfeu  itinerarin dhe momentin kur u vu re mungesa e Erjonit. Grupi ishte nisur prej mëngjesit të 30 marsit nga Rruga e Elbasanit me dy autobusë deri në komunën e Bërzhitës. Më tej të rinjtë kanë ecur në këmbë drejt “Shpellës së Pëllumbasit”. Por Erjoni bashkë me disa të rinj të tjerë, pavarësisht se sipas organizatorëve u tha që terreni ishte i vështirë, morën rrugën për të vizituar kanionet e Erzenit, aty ku u gjet dhe trupi i pajetë i të riut.