Pas masakrës mbi policinë krimi shpërfytyron edhe drejtësinë

510
Sigal

Forcat e policisë nuk arrestojnë kriminelët, fshehin shifrat e krimit real

Vetëm në Shqipëri dhe në vendet e botës së tretë mund të ndodhë që krimi të godasë  rendin  dhe të përgjakë  drejtuesit e policisë  së shtetit. Në Shqipëri në vitin 2011 ekzekutohet  gjyqtari  me bomba me telekomandë  si  në  Amerikën e viteve 1930 apo  Italinë e viteve ’70 nga mafia dhe kartelet e sajë.  Në Shqipërinë e viteve 2012-2013 grabiten dhe ekzekutohen kampistë në mes të Tiranës dhe policia me gjithë provat dhe fotot  nuk  arreston autorët duke treguar se është e implikuar. Madje burime konfidenciale thonë se, një pjesë e ngjarjeve që kanë të bëjnë me vlera monetare shfrytëzohen nga elementë të papërgjegjshëm të strukturave bazë të Policisë së Shtetit duke bërë pazare me ‘ta në këmbime të devijimit të çështjeve ose mbylljes së tyre. Rastet e grabitjeve të kampistëve tek libri universitarë janë turpi dhe fakti më tronditës i implikimit të policisë kriminale të Tiranës, drejtuesit e të cilëve një ditë do japin llogari për inkopetencën dhe pazaret e pista me kriminelët përballë fakteve, të cilat i kanë edhe vetë mbi tavolinat e punës. Vetëm para pak kohësh u  zbulua një grup trafikantësh droge, ku në krye të tyre ishte oficeri i lartë i Policisë Shtetit në sektorin e antidrogës. Ky padyshim përbënë rastin më flagrant, por një nga ato dhjetëra që ekzistojnë në radhët e policisë së Hysni Burgajt. Ka dhe raste të tjera pa fund dhe për të gjitha këto autori largohet në drejtim të paditur, nuk kapet apo edhe me keq kur arrestohet dhe lirohet për  mungesë provash. Vritet barbarisht nga një kriminel Shefi i Komisariatit të Shijakut, goditet nga banditët me maska Shefi i Krimeve të Komisariatit Burrel dhe shteti bën sehir. Është ekzekutuar një gjyqtar në mes të qytetit dhe nën dritën e diellit dhe nuk ka autorë, ekzekutohet inspektori i SHIK-ut në Durrës ende pa autor, grabitet djali i një prej drejtuesve të SHIK-ut dhe ende nuk ka asnjë të dhënë, i hidhet dje acid gjyqtares në mes të gjykatës të mbuluar me kamera dhe  nënkryetari i KLD-së bënë deklarata qesharake ndërkohë që, duhet të zhvendoset me krevatin e gjumit në Vlorë deri në zbulimin e autorit dhe zbardhjen e së vërtetës. Në njërën anë maskat dalin në rrugë dhe godasin me kallashnikov, nga ana tjetër tonelata të tërë droge dhe një ushtri e vërtetë trafikantësh hyjnë e dalin dhe askush nuk jep përgjigje se, nga hyri apo nga mbiu gjithë kjo sasi droge. E pra, ka edhe plotë ngjarje të tjera tepër të rënda, por e rëndësishmja është  të theksohet se ato kanë një të përbashkët : inkriminimin e elementëve të veçantë në radhët e Policisë së Shtetit, bashkërendimin dhe dhënien e informacionit kriminelëve  dhe  zbulueshmëria e dobët, por që nuk bie në sy për shkak të fshehjen  të statistikave reale. Nëse një kriminel nuk i ka krahët e ngrohta nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe gjyqësori ai nuk ka vrimë, ku të futet. Nëse këto organe qoftë dhe një prej tyre janë të implikuar dhe marinë ryshfet në këmbim të  vendimeve antiligjore, atëherë qytetarët do të vuajnë pasojat  e një shteti të korruptuar dhe pamundësinë e mbrojtjes nga një opozitë e shthurur , pa vizion dhe e përgjumur. Ndaj Kryeministri Berisha  nëse do të dalë fitimtar  mbi krimin duhet urgjentisht të presë hallkat nepotike dhe klanore të atyre që bëjnë pazare të ulëta në këmbim të mundit sakrificës dhe gjakut të njerëzve të ndershëm që janë të shumtë në Policinë e Shtetit, por që heshtin se i dinë mirë lidhjet. Le të bëhen 100 apo 200 të implikuar nga Policia e Shtetit të pakënaqur, por do lumturohen dhe do të besojnë tek qeveria dhe shteti 2 milionë të tjerë.

 Vlorë, gjyqtarja sulmohet në acid në fytyrë, reagon ashpër KLD

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në Vlorë, teksa një gjyqtare është sulmuar me acid në fytyrë. Bëhet fjalë për gjyqtaren Mirela Mishgjoni, 40 vjeç.

Skena që ndodhin vetëm në Pakistan e Afganistan ndaj femrave, janë parë edhe në qytetin e Vlorës. Ende nuk dihen rrethanat dhe autori i kësaj ngjarjeje, ndërkohë që, gjyqtarja mendohet të jetë sulmuar për ndonjë çështje të mundshme që ka lidhje me profesionin e saj. Mjekët thonë se ajo është sulmuar me acid sanitar dhe ka dëmtime në sy, gojë dhe në faqen e majtë. Mjekët thonë se ajo kontrollohet çdo 15 minuta. Ndërkohë do pritet për të parë reagimin e lëkurës. Pas ngjarjes në shenjë proteste gjyqtarët e Vlorës pezulluan të gjitha proceset. Për ngjarjen e rëndë ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë. “Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas informimit në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e sotme, datë 16.01.2013, ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, Mirela Mishgjoni, shpreh mbështetjen dhe solidaritetin ndaj saj dhe familjarëve të saj, duke dënuar me forcë këtë akt. Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, z. Elvis Çefa, ka komunikuar me autoritetet kompetente të Rrethit të Vlorës dhe ka marrë garanci të plota prej tyre, për zbardhjen e rrethanave të ndodhjes së kësaj ngjarjeje dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në deklaratën e KLD-së.

Gjykata e Lartë: Sulmi ndaj gjyqtares, atentat gjyqësorit

Pas sulmit me acid që iu bë dje në Vlorë, gjyqtares Mirela Mishgjoni ka reaguar edhe trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë, e cila dënoi sulmin duke e cilësuar ngjarjen si një atentat që i bëhet pushtetit gjyqësor. “Pas këtij akti të rëndë dhune, të përsëritur tashmë ndaj përfaqësuesve të gjyqësorit, Gjykata e Lartë deklaron se sulmi ndaj gjyqtares Mishgjoni, përbën një atentat të rëndë kundër pushtetit gjyqësor të Republikës së Shqipërisë dhe anëtarëve të tij. Kjo ngjarje, por edhe disa të tjera të ndodhura gjatë viteve të fundit ndaj gjyqtarëve, personelit të gjykatave, familjarëve dhe pronës së tyre, përbëjnë shqetësim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por edhe për gjithë shoqërinë shqiptare e cila është e interesuar mbi të gjitha për të drejtën dhe sigurinë e jetës së çdo individi dhe funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, thuhet në reagim.

 Dy persona grabisin pa maska 1 mln lekë nga një pikë Exchange në Kodër- Kamzë

Grabitje me armë zjarri në një pikë Exchange në Kodër- Kamzë. Grabitja mësohet të ketë ndodhur rreth orës 16:15 minuta në Tiranë. Nga hetimet paraprake bëhet me dije se dy persona të armatosur dhe të pa maskuar, të cilët udhëtonin me motor janë ndaluar në një pikë Exchange në Kodër -Kamëz. Dy personat nën kërcënimin e armës, kanë mundur t’i marrin punonjëses së pikës Exchange rreth 1 mln lekë. Menjëherë është lajmëruar policia, e cila ka sekuestruar pamjet filmime të kamerave të sigurisë, duke identifikuar menjëherë autorët, pasi gjatë grabitjes keqbërësit mësohet se, nuk kanë përdorur maska. Policia ka bërë menjëherë shpalljen në kërkim të personave dhe po punohet për kapjen e tyre.