Ngricë dhe borë në Kosovë, shkaku i 109 aksidenteve në 24 orë

151
Në Kosovë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë regjistruar 109 aksidente si pasojë e ngricës dhe reshjeve të dendura të dëborës. Zyrtarët e policisë kanë njoftuar se në 19 raste ka pasur edhe të lënduar në njerëz, por fatmirësisht situata nuk është përshkallëzuar më tej. Shkak i aksidenteve është bërë ngrica dhe mos-përdorimi i zinxhirëve.
Aksidente të shumta ndodhën edhe në kryeqytet, ku në disa raste automjetet e patën të pamundur të frenonin. Autoritetet këshillojnë që të bëhet kujdes gjatë qarkullimit dhe kërkojnë nga qytetarët që të përdorin zinxhirët dhe mjetet e tjera të sigurisë. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, gjatë një deklarate për mediet ka komunikuar se disa prej rrugëve më të rrezikshme janë bllokuar për arsye sigurie. Ai shtoi se në pikat kufitare nuk ka pasur trafik të rënduar dhe se qarkullimi po vazhdon me ritme normale.