Helmimi në mitingun e PD, prokuroria ‘përplasje’ me policinë për veprën penale. Çfarë ka ndodhur

479
Policia e kryeqytetit dyshon se në ngjarjen e bulevardit, ku u dëmtuan 146 tubues është kryer vepra penale e ndotjes së ajrit, për të cilën parashikohet dënimi me burgim 10 vjet atëherë kur janë shkaktuar pasoja në shëndetin e njerëzve.

Në dosjen e referuar pranë Prokurorisë së Tiranës, policia thotë se në përfundim të aktivitetit elektoral të PD-së, për zgjedhjet parlamentare 2017, 20 pjesëmarrës në të u regjistruan në kartela për ndihmë mjekësore, me simptomat e skuqjes së fytyrës, syve dhe qafës.

Të tjerët janë paraqitur në spital për këshillim mjekësor, duke e çuar numrin e të dëmtuarve në 146.

Por, ndërsa policia referon në dosje si shkaktare të dëmeve në shëndetin e njerëzve prozhektorët e përdorur për ndriçim, prokuroria ka një këndvështrim krejt tjetër për ngjarjen.

Mësohet se prokuroria e ka regjistruar dosjen për një vepër tjetër, që i përket kapitullit të veprave që prekin zgjedhjet e lira. Prokuroria dyshon se, duke penguar një subjekt të zhvillojë rregullisht aktivitetin është konsumuar neni 325 (Pengimi i subjekteve zgjedhore).

Në këtë mënyrë hetuesit ndahen për ngjarjen në bulevard, pasi sipas burimeve të prokurorisë, për të dalë në konkluzionin nëse ishin apo jo prozhektorët shkaktarët duhen pritur dy analiza shumë të rëndësishme për hetimin, raporton “Top Channel”.

E para ka lidhje me analizat e gjakut të personave të dëmtuar, për të kuptuar nëse këta shtetas janë helmuar me ndonjë substancë tjetër. Analiza tjetër ka lidhje me përgjigjet që do të sjellë Ministria e Mbrojtjes pas ekspertizës së kimistëve të ushtrisë edhe të veshjeve të të dëmtuarve.

Ndërsa në hetime është përfshirë edhe Antiterrori, policia ka sekuestruar dy prozhektorë të kompanisë që siguronte ndriçimin e mitingut. Por, avokati i kompanisë thotë se të njëjtët ndriçues janë përdorur edhe në mitingje të tjera dhe nuk janë shkaktuar dëme. 
Sigal