Ngjarja në Mamurras, policia: Ja se si nisi sherri mes kushërinjve

439
Policia e Lezhës ka dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e përgjakshme të Mamurrasit, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën 4 të tjerë. Burimet zyrtare bëjnë me dije se rreth orës 11:30, në qytetin e Mamurrasit rrethi Kurbin, ka ndodhur një konflikt mes shtetasve Enrik Mamli dhe Dorian Mamli, të cilët janë kushërinj mes tyre, ku shkaku i konfliktit mes dy kushërinjve ishte shoqërimi i Dorianit me shtetasin Naim Tafa. Enriku i kishte kërkuar kushëririt të tij, që të mos shoqërohej me shtetasin Naim Tafa dhe të afërmit e tij, pasi me këta persona ka pasur konflikt të mëparshëm jashtë shtetit, por Dorian Mamli, nuk i është bindur kushëririt të tij, duke i thënë që i ka shokë dhe do shoqërohet me ta. Ky konflikt verbal mes dy kushërinjve ka agravuar në konfrontim fizik. Me pas Dorian Mamli ka lëvizur me makinën tip Audi A4, me targë AA 111 BN, në drejtim të banesës së tij dhe është kthyer për tu mjekuar në ambulancën e qytetit Mamurras, ndërsa Enrik Mamli është larguar me automjetin e tij tip Range Rover, me targa AA 481 JT, në drejtim të banesës së vet. 

Gjatë rrugës në hyrje të qytetit Mamurras, pikërisht në hyrje të rrugës për tek Stacioni i Trenit, mjeti tip Benz me targa AA 077 CN, në të cilën ndodheshin Naim Tafa, Arjan Tafa (Taulant Bedri), Gazmir Elezi (Gentjan Tafa), ka përplasur automjetin tip Range Rover me targa AA481JT, të drejtuar nga Enrik Mamli. Në këto momente, makinat në fjalë kanë ndaluar dhe personat që gjendeshin në to, nga brenda makinave kanë qëlluar me armë zjarri ndaj njëri-tjetrit, ku për pasojë ka gjetur vdekjen Naim Tafa dhe janë plagosur Arjan Tafa, Idriz Tafa, Besim Gjetani dhe Altin Çoku. Këta të fundit kanë qenë jashtë automjeteve. Të plagosurit janë dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës Tiranë.Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 12 gëzhoja fishekësh të armëve të zjarrit, 11 prej të cilave brenda në makinën e shtetasit Enrik Mamli, e cila është gjetur e braktisur rreth 300 m larg vendit të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të kryera lidhur me këtë ngjarje, është bërë e mundur kapja e njërit prej autorëve të ngjarjes, Enrik Mamli si dhe arma e zjarrit e tip automatik model 56, kalibër 7.62 mm, e përdorur prej tij, armë e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu janë marrë e sekuestruar automjetet e përfshira në vendin e ngjarjes, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore. Në lidhje me këtë ngjarje është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Enrik Dod Mamli, 27 vjec, lindur dhe banues në Zhejë, Njësia Administrative Mamurras, rrethi Kurbin, për veprat penale “Vrasje e kryer në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Kurbinit, po punohet për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Viktima Naim Tafa ka qenë i dënuar në Itali për vjedhje, dhe ka dalë nga burgu me datë 8 gusht 2015, ku është kthyer në Rinas si i depërtuar, me masë 10 vjet, të mos qarkullojë në hapësirën Shengen.
Sigal