Krim i katërfishtë, ekzekuton të dashurën me burrin e saj edhe dajën me gjithë grua

529
Sigal

KORÇË/Krimi në aksin Voskopojë-Korçë. Shkak, lidhja intime me një nga viktimat

KORÇË/- Katër të vrarë në pak minuta është bilanci i viktimave në ditën e djeshme, ndërkohë, pasi ka kryer krimin makabër, 34-vjeçari Bashkim Latollari nga fshati Gjonomadh, i vënë në pranga, ka rrëfyer në polici dhe shkakun e krimit të katërfishtë. Viktimë e kësaj tragjedie, nga më të rëndat e viteve të fundit janë bashkëshortët Belimon dhe Daniela Meçollari dhe bashkëshortët Rexhep dhe Valentina Metollari (daja i autorit), ku autor është bashkëfshatari i tyre.

KRIMI I KATËRFISHTË

Ngjarja e rëndë, sipas burimeve për “Telegraf”, ka ndodhur në orën 19:20 në aksin e rrugës Voskopojë-Korçë. Po nga të njëjtat burime mësohet se krimi i katërfishtë është realizuar me një armë gjahu-çifte e tipit “Shotgan”. “Dy të parët janë vrarë në banesën e tyre në sy të dy fëmijëve të mitur dhe më pas janë hedhur në anë të rrugës në fshatin Gjonomadh në aksin Voskopojë-Korçë. Aty janë gjetur nga kalimtarë të rastit, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Pas disa minutash njoftohet se janë gjetur dhe dy viktima të tjera, përkatësisht ai i dajës së të akuzuarit dhe i bashkëshortes së tij”. Nga hetimet e para, rezulton se të katër viktimat janë ekzekutuar me të njëjtën armë. Policia u vu në kërkim të të dyshuarit dhe në harkun e një ore, mundi të bëj ndalimin dhe arrestimin e tij.

HETIMET

Burimet paraprake zyrtare konfirmojnë se i akuzuari Bashkim Latollari,

Ka qenë njeri me precedent penalë dhe autor i një vrasje të ndodhur në vitin 1997. Ndërkohë, shkak i vrasjes së katër personave, mendohet që të ketë qenë një lidhje intime e 34-vjeçarit me një nga viktimat. “Përflitej një lidhje intime e Latollarit me një nga gratë viktima, pikërisht atë që ekzekutoi në banesë së bashku me burrin, të cilët i hodhi më pas në rrugë. Kjo lidhje që kishte rënë në sy të opinionit, kohët e fundit kishte pësuar ftohje nga ana e gruas. Mendohet që ky të ketë qenë dhe shkaku i ngjarjes së ditës së martë. Ende të paqarta mbeten motivet e ekzekutimit të dajës së të akuzuarit e gruas së tij”,- shtojnë burimet e mësipërme për “Telegraf”. Krimi i mbrëmshëm, nga më të rëndët, e përkeqëson më tej situatën e rendit e qetësisë në vend.

DURRËS/Banorët: Policët e Saimir Tahirit të kontrollojnë bandat jo të vendosin gjoba të pamotivuara drejtuesve të automjeteve

 ‘Komandot’ me makinë policie plagosin 3 kambistë dhe vjedhin 100 mijë euro

 Masakrohen me shkopinj bejsbolli nga grabitës të veshur me uniform ‘komando’ në mes të qytetit, e pasi marrin çantën me mbi 100 mijë euro, largohen në ‘drejtim’ të paditur me një automjet ‘Land Rover’, me fenelinë policie. Këtë radhë, bandat jo vetëm i bëjnë sfidë policisë duke grabitur tre kambistë me dhunë në një vend të populluar, por përdorin dhe uniformën e ushtrisë dhe mjetet e vetë policisë. Ndërsa qytetarët e terrorizuar nga paniku, ndjehen si rrallë ndonjëherë këto vite të tranzicionit, të terrorizuar dhe të pasigurt për jetën. “Policët e Saimir Tahirit të kontrollojnë bandat jo të vendosin gjoba të pamotivuara drejtuesve të automjeteve. Si mundet që në mes të qytetit, ushtarakë me uniform komando, të armatosur me kallashë e shkopinj bejsbolli, të masakrojnë kambistët, t’u marrin mbi 100 milionë lekë e të largohen me automjet me fenelinë policie. Më thoni, kush e ka jetën të sigurt kështu”,- u shpreh i revoltuar një i moshuar, i ndodhur afër vendit të skenave horror në mëngjesin e ditës së djeshme.

GRABITJA

Gjithçka ka ndodhur në orën 08:15 të ditës së martë në qendër të qytetit të Durrësit në vendin e njohur si “valuta” tek sheshi “Pranvera”. nga tre persona të armatosur që udhëtonin me një makinë me shenja policie. “Minimalisht, në këtë vjedhje spektakolare e të dhunshme, kanë qenë tre persona. Ata ishin të veshur me uniforma ushtarake të forcave Komando, me armë automatike, me veshje antiplumb dhe me shkopinj bejsbolli. Kambistët Rajmond Çollaku, Arben Çuni dhe Hajdar Lala, kanë dalë nga një bankë ku kishin bërë edhe tërheqjen e parave, teksa po dilnin, janë përballur me grabitësit. Dy prej tyre, kanë bërë rezistencë duke u përballur me shkopinjtë e beisbollit në duar të grabitësve. Ndërsa kambisti Arben Çuni, ka nxituar të largohet bashkë me çantën me valutë të sapo tërhequr. Por ‘komandot; e kanë arritur dhe e kanë masakruar me shkopinjtë e bejsbollit, duke i marrë dhe çantën e parave. Pohohet se janë grabitur mbi 100 mijë euro, kartë monedha të prerjeve të ndryshme. Më pas, me “Foristradën” me targa angleze, janë larguar”,- pohojnë burimet nga vendi i ngjarjes.

HETIMET

Mësohet se janë shoqëruar disa persona, por deri në orët e vona të ditës së martë, policia nuk ka arritur të bëj identifikimin e kapjen e grabitësve. Konfirmohet se mjeti me të cilin ata u larguan, mendohet të jetë parë në afërsi të Fushë Krujës, por asnjë postbllok i policisë së vënë në alarm, nuk ka mundur të ndaloj për kontroll automjetin. Jo vetëm kaq, por gjatë ikjes, automjeti i grabitësve, ‘Land Rover’ me targa angleze e xhama të zinj, është përplasur dhe me një automjet të policisë në Sukth. Konfirmohet se kambisti i plagosur është dërguar në spitalin e Durrësit ku është jashtë rrezikut për jetën.