Burgjet shqiptare, nën përgjimin e të huajve

446
Sigal

Të huajt kanë nën kontroll aktivitetin kriminal në Shqipëri, strukturat tona neglizhojnë këtë avantazh

Burgjet dhe Institucionet e Riedukimit janë vendet, ku izolohen dhe shkëputen nga bashkëjetesa me shoqërinë elementët apo individët, të cilët kanë kryer veprimtari të kundërligjshme dhe me pasoja për rendin publik. Individët dhe grupet e individëve, kur shihet e arsyeshme nga drejtësia mbahen të izoluar deri në rehabilitimin e tyre me qëllimin final edukimin dhe bërjen e tyre të denjë për të jetuar në shoqëri. Në  vendet e botës së qytetëruar europiane, amerikane dhe asaj aziatike  burgjet dhe të burgosurit përdoren nën regjim të rreptë vëzhgimi pasi aty mund të zbulohen ngjarje dhe vepra penale të cilat janë të pazbuluara. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se grupet rivale ja dinë  mirë njëri-tjetrit aktivitetin si dhe interesat apo pazaret e prishura dhe që mund të jenë bërë shkak për vrasje, plagosje, grabitje, trafikim të lëndëve narkotike ,prostitucion  dhe shumë e shumë vepra të  tjera të rrezikshme. E njëjta situatë dhe të njëjtit faktorë funksionojnë edhe në institucionet e vuajtjeve të dënimit në Shqipëri, por që fatkeqësisht nuk shfrytëzohen për marrjen e këtyre informacioneve me shumë leverdi në zbulimin dhe parandalimin e ngjarjeve të caktuara. Mënyra e marrjes së informacionit në përgjithësi në Shqipëri në paraburgime, burgje dhe Institucionet e Riedukimit është përdorur shumë rrallë dhe kryesisht duke future bashkëpunëtor të policisë ose agjentë të sajë për raste tepër sporadike dhe  jo si një aktivitet profesional dhe i mirë organizuar. Sot teknologjia të jep shansin dhe mundësinë që të realizosh jo vetëm përgjime dhe regjistrime por edhe kombinacione të ndryshme për të zbuluar me pak kosto dhe në kohë ngjarjet e sapo ndodhura apo ato të ndodhura më parë, dosjet e të cilave flenë në sirtarët e mykura të organeve të hetimit. Me këtë rast mundet që të mbash nën kontroll edhe  punonjësit e policisë të cilët në disa  raste jo vetëm që bashkëpunojnë me elementët kriminalë në këmbim të mit marrjes por edhe fshehin gjurmët dhe provat e elementëve kriminelë. Në këto kushte Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve prej më shumë se 10 vitesh ka investuar miliarda lekë për teknologjinë e kamerizimit të burgjeve nga brenda, por edhe të sistemit të bllokimit të celularëve. Nëse sistemi i kamerizimit pamjet filmike funksionojnë normalisht ai i bllokimit të celularëve  po thuajse është i çakorduar dhe jashtë parametrave. Burime konfidenciale nga Drejtësia shqiptare bëjnë më dije se para disa vitesh dhe në vazhdim  shërbimet e huaja kanë qenë të destinuara të nxirrnin jashtë funksionit sistemin e bllokuesve celularë. Kjo për faktin se ata i përdornin këto telefonata si element të fillimit dhe hetimit të çështjeve dhe trafikantëve të ndryshëm. Raportet e fundit të shteteve europiane dhe ato amerikane kanë bërë publike  se kriminelët shqiptarë drejtojnë që nga burgjet,  trafiqet e prostitucionit, drogës dhe kontrabandës.  Një funksionar i lartë i ministrisë së Drejtësisë, por edhe drejtues të shërbimeve speciale në Drejtorinë e Burgjeve deklaronin para pak vitesh se kemi presion nga ndërkombëtarët që të mos investojmë në teknologjinë e Bllokuesve të celularëve dhe shërbimeve të tjera telefonike pasi ato janë nën përgjim të vazhdueshëm nga shërbimet e huaja rreth e qark Shqipërisë por edhe më gjerë deri në SHBA dhe Kinë.  Atëherë përse nuk shfrytëzohet një gjë e tillë edhe nga organet tona të specializuara ? Kjo sepse njerëz të paaftë, pa vizion dhe mungesë profesionalizmi vendosen në vende të cilat i konsiderojnë si shpërblime  për përfitime ekonomike,tendera dhe pagesa nën dorë për emërimet. Këta njerëz nuk arrijnë ta kuptojnë se duke rritur nivelin profesional dhe duke vënë në punë teknologjinë i bëjnë një shërbim kauzës për zbulueshmërinw e krimit, parandalimin e ngjarjeve të tjera të rrezikshme dhe uljen e kostove të shpenzimit. Nga ana tjetër informacion e grumbulluar mund ta përdorin me homologët e tyre kudo në botë duke u bërë partner të denjë me ta duke rritur njëkohësisht edhe reputacionin e shtetit tonë.  Ka shumw raste që në përgjimet e huaja dalin lidhje të trafikantëve me funksionarë të politikës shqiptare ndër vite dhe atyre të vendeve kua ata kanë ushtruar aktivitetin.  Ndaj sot më shumë se kurrë përdorimi i teknologjisë do të rrisë zbulueshmërinë, do të faktojë  aktivitetet kriminale dhe do të parandalojë edhe qindra të tjera. Vetëm kështu ne mundet  që  krimin dhe  korrupsionin si dy nga pesë kushtet  e hapjes së bisedimeve  për anëtarësimin e Shqipërisë në BE ta vëmë mbi parametra profesional, shkencor dhe vendosjen e një bilanci solid.