Ja përse shteti ka rënë përballë krimit

522
Sigal

Erzen Braçani, drejtuesi  më arrogant i Policisë së Shtetit

Është e papranueshme që në një vend demokratik,  një drejtues i strukturave të policisë së shtetit, sikurse Erzen Breçani.  të bëjë thirrje që të rrëzojnë me dhunë një qeveri të sapozgjedhur me votë. Këto janë daullet  për të bërë grushtin e  shtetit.

Gjithsesi, kjo sjellje arrogante e Erzen Breçanit, si nëndrejtor i Policisë së shtetit për Tiranën, më bën që të risjellë  të parin (dhe të fundit) kontakt të që kam me Breçanin, si shefi i policisë së rajonit numër 2 në Tiranë, te “21 Dhjetori”,  përpara 6 muajsh.

Një miku im, E.D, më merr në telefon, duke më kërkuar një ndihmë.

– Të lutem, më ndihmo, kam një shqetësim të madh,- më thotë miku im, ED-ja. – Jam te policia e rajonit numër 2, dua të bëj një kallëzim, po këtu policët nuk ma varin.

– Çfarë të ka ndodhur?- e pyes, duke parë që zëri i dridhej nga shqetësimi.

– Një banor, i cili banon në të njëjtin pallat me mua, më ka çarë derën me sëpatë, duke më kërcënuar të më vrasë dhe ankohem këtu në polici, po policët më përzënë, duke mos dashur të më dëgjojnë.

– Është e pabesueshme!- i them.

– Hajde, të lutem këtu, që të besosh,- më thotë. Shkova me një frymë, sepse miku im më thoshte që i rrezikohet familja.

Në rajonin numër 2 kërkova shefin e policisë. Nuk e njihja. U prezantuam. Më tha që quhet Erzen Breçani, nga Tropoja. Sa i thashë, që një qytetar, i cili është miku im, ankohet, sepse kërkon që të bëjë një kallëzim për kërcënim të jetës të tij dhe ju si polici nuk e  pranoni të bëjë padinë dhe e shpërfillni.

– Cili asht ai qelbësirë, që gënjen!- dëgjova të thërriste shefi i policisë të rajonit numër 2 të Tiranës, sa unë i thashë përse kisha vajtur aty.

– Bjereni këtu, atë qelbësirë, të ma thotë mua në sy, këtë?- bërtiti me të madhe shefi, një polici që u dha te dera.

Unë shtanga. E pabesueshme, që dëgjoja të shara nga goja e një shefi të policisë, për një ankesë të vogël që i shpreha në sy. Kisha pak muaj, që isha kthyer nga mërgimi e punoja këtu në Tiranë, por e kisha të pabesueshme që të dëgjoja të shara nga goja e një drejtuesi të policisë së shtetit,  ndaj një qytetari të thjeshtë, për një ankesë të vogël. Sa herë isha gjendur në zyrat e policisë së shtetit në Greqi, edhe kur ne ankoheshim për sjelljen e keqe të policëve ndaj ne, emigrantëve, por kurrë nga asnjë drejtues i policisë greke nuk dëgjuam reagime kundër, as të bërtisnin, por, përkundrazi, na dëgjonin dhe na mbronin në të drejtën tonë. Edhe pse ishim emigrantë.

Qytetari E.D u dha te dera e hapur e zyrës të shefit të policisë së rajonit numër 2, Erzen Breçani, i cili sa e pa, iu drejtua me vrullin e inatit, duke bërtitë.

– Po ti, more qelbësirë, pse gënjen? Pse? A e di që unë të vras fare, që shpif? Ë? Qelbësirë! Kush ta ka penguar ti, që të mos bësh kallëzim?

– Ti dhe të tjerët, zoti shef,- i thotë i qetë qytetari E.D, duke mos u trembur nga të bërtiturat e Erzen Breçanit.- Kam ardhur me gruan, para dy orësh, dhe ju nuk doni të na pranoni që të bëjmë kallëzim. Na është kërcënuar jeta, komshiu ka thyer derën e shtëpisë me sëpatë, dhe ju më thoni, të iki. Ku të vete? Të më vrasë tjetri në shtëpinë time?

– Pse gënjen, more qelbsirë? Tani e hap gojën, që ke gazetarin këtu? Po e a di ti, se unë nuk trembem nga asnjë?! Të marr tani e të bëj të zi në dru, që gënjen. Qelbësirë!…

– Sa herë, zoti shef, kam ardhur këtu,  për të kërkuar mbrojtjen e jetës të familjes time, sepse komshiu më kërcënon me sëpatë gjithmonë. Po ju, nuk më ndihmoni, se edhe kur keni ardhur, më keni thënë, që ai është i çmendur, e të mos kem më frikë. Edhe sot, kam 2 orë këtu në polici, po ju talleni me mua.

Shefit të policisë, i thashë, që ED. Është një intelektual i nderuar dhe kurrsesi nuk mund të gënjejë. Po, arsyetimi im u mbyt nga të bërtiturat e të sharat e shefit të policisë, Erzen Breçani.

Isha vetë dëshmitar. Erzen Breçani, shefi i policisë së rajonit numër 2 të Tiranës, te “21 Dhjetori”, shante, e kërcënonte qytetarin E.D, përse guxoi e u ankua  që policët nuk i pranojnë të bëjë kallëzim ndaj dikujt që e kërcënoi për ta vrarë, te shtëpia e tij.

Kjo është njohja ime e parë me Erzen Breçanin, si shefi i policisë së rajonit numër 2 në Tiranë. Ndërsa sot, ky zotëria,  Erzen Breçani, nga posti i nëndrejtorit të Policisë së Shtetit të Tiranës, po me atë ulërimë që kërcënoi qytetarin E.D, që kërkonte nga policia e shtetit t’i mbronin jetën e familjes nga një kriminel që i kërcënonte me sëpatë, duke u thyer edhe derën e shtëpisë, shan dhe bën thirrje për të rrëzuar me dhunë, atë që populli e votoi me votë.  Ja përse shteti ka rënë, përballë krimit. Kush e ka fajin më të madh: Erzen Breçani që simbolizon arrogancën  në policinë e shtetit, apo drejtuesit politikë, që e …përkëdhelin arrogancën e Breçanit?