Itali, arrestohen 6 shqiptarë, posedonin dhe trafikonin drogë

77
Gjashtë shtetas shqiptarë janë arrestuar nga karabinierët në Borgotaro të Italisë, për posedim dhe trafikim droge ditën e djeshme, në sajë të një operacioni të koduar “Orlando”, i cili filloi rastësisht në shkurt të vitit 2014 gjatë një bastisjeje, për shkak të veprave penale kundër pasurisë, në banesën e një të riu në zonën e quajtur Fidenza. Aty u gjetën 200 gramë kokainë. Një sasi kjo, që i shtyu autoritetet të hetojnë më tej.
Një ndër kryesorët ishte, Roland Barkaj, 30-vjeçari shqiptar banues në Xhenoa, raporton La Repubblica. Nga Xhenoa, në sajë të udhëtimit me tren, droga kalonte në Borgotaro. Këtu ishin aktivë më shumë shpërndarës të tjerë Albano Rada (28 vjeç) sëbashku me Ici Jenci (39 vjeç) të cilët menaxhonin tregun lokal. Por pas operacionit në Fidenza, Rada u kthye në Shqipëri, bëjnë me dije mediat italiane. 
Vendin e tij e zuri Evis Janeci (27). Karabinierët e zbuluan më 6 qershor të vitit 2014 me 104 gram kokainë të sapo blerë në Xhenoa. 27-vjeçari shqiptar mbeti dhe viktimë e një grabitje të mbetur në tentativë, të kryer nga Xhaferr Cullhaj, 25-vjeçari banues në Medesano, për mospagesën e një dërgese droge. Kokaina kishte dalje edhe në Parma, ku ishte aktiv shtetasi tjetër shqiptar, Denis Bilbili, banues në Venecia. Edhe ai furnizohej në Liguria, falë kontakteve me Barkaj.
Një bandë e cila operonte në mënyrë të pavarur që nga viti 2014 deri në korrik të 2014-s, kur u mbyll hetimi i policisë nga karabinierët. Akti i fundit është shkruar në ditët e fundit, me operacionin blic të policisë që çoi në arrestimin e 6 personave. 6 shqiptarët janë arrestuar nga karabinierët në Borgotaro, në ekzekutimin e urdhrit për paraburgim kërkuar nga prokurori Giuseppe Amara. Akuza mbetet posedimi dhe trafikimi i drogës. Cullhaj duhet të përgjigjet edhe për tentativën e grabitjes së shqiptarit tjetër Evis Janeci. Gjatë hetimeve janë sekuestruar edhe 320 gramë kokainë, 66 fishekë të kalibrit 12 dhe një pushkë.