Goditet me antitank vila e Fatbardh Plakut, Kryekomunarit të Farkës

502
Sigal

Tiranë/Policia: Dyshohet për shkak të detyrës, hetohen dhe pista të tjera. Kryekomunari: S’kam armiq!

 Vazhdon pa ndërprerje seriali i atentateve ndaj njerëzve dhe objekteve, duke shtuar çdo ditë e më shumë pasigurinë dhe frikën. Ditën e djeshme shtëpia e Kryekomunarit Fatbardh Plaku, në zonën e njohur si Farkë e vogël, në periferi të Tiranës është goditur me predhë antitank. Kamerat e sigurisë filmojnë momentin e lëvizjes së predhës dhe goditjen me murin e vilës trekatëshe. Nga pamjet duket momenti i parë i një shpërthimi drite që tregon vendin dhe aktivizimin e predhës nga antitanku, nga vendi ku është kryer goditja dhe më pas rrugën që përshkon predha derisa godet vilën.

HETIMET

Sipas policisë ka shpërthyer vetëm mekanizmi ndezës dhe jo predha, duke shmangur në këtë rast një tragjedi, nëse do të shpërthente. Janë gjetur të freskëta edhe gjurmët e autorëve nga vendi ku mendohet se është realizuar qitja me antitank, që është pranë xhamisë dhe përballë vilës. Sipas policisë, nuk rezulton të ketë lidhje mes xhamisë dhe ngjarjes dhe ndoshta ajo është zgjedhur si vend i duhur nga autorët për shkak të pozicionit të favorshëm që kishte për të goditur vilën e kreut të Komunës së Farkës. Nga hetimet e para mësohet se, në këtë atentat kanë qenë më shumë se dy autorë. Dyshohet, gjithashtu, se objekt i këtij atentati të ketë qenë kryekomunari Plaku. Deri në orët e vona të ditës së martë, policia ka shoqëruar disa persona, por nuk ka konfirmuar nëse ka identifikuar atentatorët. Dyshohet se atentati ndaj kryekomunarit të ketë lidhje me punën e tij, ndërkohë, po hetohen dhe disa pista të tjera.

FAMILJARËT

Ngjarja e rëndë ka terrorizuar familjarët dhe banorët e zonës. Vetë Plaku, i cili drejton këtë komunë prej 17 vitesh, shprehet: “Është një ngjarje shumë tronditëse, për mua dhe familjen. Jemi para një fakti që na ka shokuar, tronditur. Nuk dimë ndonjë arsye… Gjatë 17 viteve në detyrë jam munduar që të bëjë më të mirën, nuk kam pasur konflikte në punë. Muri është qëlluar me antitank. Në momentin kur ka ndodhur ngjarja e gjithë familja ka qenë në banesë në katin e dytë të saj”. Fatmirësisht nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale dhe nuk ka dëmtuar asnjë prej pjesëtarëve të familjes Plaku, të cilët në atë orë kanë qenë në gjumë. Policia dhe Prokuroria e Tiranës kanë ngritur një grup të zgjeruar hetimor, ku janë përfshirë edhe oficerët e Antiterrorit.

Geriola Çaushi