Gjykata lë në burg Morinën/”Jam i keqardhur, do të doja të isha para një trupi gjykues serb”

425
Gjykata e Tiranës vendosi masën e sigurisë arrest me burg për Ismail Morina, i njohur si Ballist Morina, personazhi që mori famë pasi morri përsipër ngritjen e dronit rreth një vit më parë në Beograd, gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Morina u arrestua nga Policia e Shtetit në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila u luajt mbrëmjen e djeshme në Elbasan Arena. Akuzat që rëndojnë mbi Ballist Morinën janë ato të armëmbajtjes pa leje, pasi në momentin e arrestimit policia i gjeti dy pistoleta. Para trupit gjykues, Morina tha se kërkon mirëkuptimin e gjykatës për ta lënë të lirë, por trupa gjykuese vendosi ta vlerësojë të ligjshëm arrestimin e tij dhe dha masën e “arrestit me burg”.

“Jam i keqardhur për situatën e krijuar, mbaj përgjegjësitë e mia. Do të doja të isha para një trupi gjykues serb ku të tregoja krenarinë shqiptare. Fatkeqësisht jam para një gjykate shqiptare. Nuk kërkoj mëshirë, jam këtu për të kërkuar mirëkuptim. Kam një familje që i mungoj e më mungon prej një viti. Në rast të një vendimi negativ nga ju si gjykatë nuk ka për të fituar askush. Në rast se më lironi do të nderoj deri në fund edhe fëmijët e mi, do ju falenderojnë një ditë”, tha Morina.
Më herët prokurori tha se policia mori informacion në rrugë operative që në automjetin Land Rover të Ismail Morinës lëviznin persona të armatosur dhe kërkoi që ndaj tij të vlerësohej i ligjshëm arresti në flagrancë pasi u kap me dy armë. Prokurori kërkoi vendosjen e masës së sigurisë të “arrestit me burg”, por avokati Ardian Visha tha se gjykata dhe prokuroria duhet ta trajtojë të veçantë Morinën. isha kërkoi që ndaj tij Gjykata të vendoste minimalisht “arrest shtëpie”.
Sigal