Detajet e reja/ Pas vrasjes së gjyqtares, ish-burri mori peng fugonin. Si përfundoi “arratia” tek dera e komisariatit

615
Të tjera detaje dalin në dritë nga ekzekutimi mizor i gjyqtares së Shkodrës, Fildeze Hafizi, e cila u vra nga ish-burri i saj. Në bazë të hetimeve të Prokurorisë, rezulton se Fadil Kasemi pasi vrau me një plumb në kokë ish-gruan e tij, duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme, i ka dalë para një automjeti tip furgon ‘Benz’ dhe ka kërcënuar shoferin me armë, për ta larguar nga vendngjarja.
Pasi i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten, shoferi me inicialet K.T ka ecur përgjatë rrugës së Bërrylit, ndërsa më pas është drejtuar për në ambientet e komisariatit nr.1. Por, në dosjen e prokurorisë nuk përcaktohet qartë nëse Kasemi është vetëdorëzuar, apo ky ka qenë një vendim i ‘guximshëm’ i shoferit të mjetit.

“Pengmarrja”
Shtetasi Fadil Kasemi me psitoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës Bardhyl, automjetit furgon benz mercedez, me targa XXXX, që drejtohej nga shtetasi K.T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet. Gjatë udhëtimit shtetasi K.T., ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit shtetasi K.T. e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.
Sigal