Ruzhdi Sali Çerma, e gjithë jeta çiklizëm

598
Nga Prof.Dr Lluka HEQIMI
DOSSIER/ Kampioni i dyrrotakes, i cili hap me nostalgji të gjitha reliket dhe gëzon si një fëmijë, po me ato pasione dhe dëshira
Kjo duhet thënë nga fillimi
Nuk kam pasur rast ta shikoj në garë Ruzhdi Cermën. U takuam në rrugën e bukur të çiklizmit kur bashkë e kishim nga një detyrë të caktuar shëronjëse, ai kryemekanik mjeku i biçikletave dhe unë mjek i çiklistëve. Në parim, thirreshim atëherë kur dikush kishte nevojë për ne. Qëllimi kryesor i të dy profesioneve ishte veprimi sa më i shpejtë. Kështu e kishte gara, kjo luftë sportive. Sa më mirë dhe sa më shpejtë të gjithë në luftën e fitores. Pra na bashkojë puna, një punë urgjence. Motori “Java” dhe një çantë e montuar në një anë të saj, përbënte ndihmën e shpejtë mjekësore për çiklizmin. Duhej një shkathtësi që edhe nuk më mungonte. Por, kur vrojtoja Ruzhdiun, habitesha me shkathtësinë e tij, përgjigja që u jepte të gjithëve ishte: “Kurajë djalo, më shpejt tani!”, një fjalë kjo që të nxiste edhe kur kishe ngelur prapa. Gjithmonë një qeshje i vinte thellë nga shpirti i tij, që edhe sot, kurrë nuk i ka munguar. Në telashe pune të vështirë për të drejtuar një rrotë biçiklete, një timon të thyer, ose për të ndërtuar një gomë në fund, gjithnjë kam parë buzëqeshjen e tij. Ishte ndjenja e brendshme që shfaqej aq hijshëm nga jashtë. Ruzhdiu ishte nga ata njerëz , çfarë i shikon syri ja bën dora. Mjeshtër i vërtetë. Një intuitë që do ta kishin zili të gjithë. Me sa duket, kjo nuk mund të mësohet në shkolla, por ishte e lindur së bashku me atë që do ta trashëgojë. Kjo ishte puna dhe komunikimi, por një gjë tjetër që më kujtohet mirë është mbështetja e të rinjve. Kishte raste që bënte sikur donte ti riparonte defektin e një të riu, dhe i afrohej. Qëllimi ishte të jepte ato këshilla që ishin impulse pozitive energjie. Ruzhdi Çerma ndjente në këto çaste se, përsëri garonte midis të rinjve, pavarësisht nga mosha. U tregonte garuesve se ky “uni” i brendshëm sportiv kur s’ka për ta velur. Ai ndeshi lot hidhërimi të rinjsh që kërkonin ta linin garën nga vështirësitë e rrugës e të kohës me shi e erë, por Ruzhdiu ju afrohej dhe i nxiste përsëri si në fillimet e garës, kur ishin veshur bukur dhe donin të paraqiteshin po aq bukur deri në fund të saj. Por çiklizmi të shfaq bukur me papion kur fillon gara, dhe të kthen në finish në një gjendje që edhe nënat e kishin të vështirë të gjenin bijtë e tyre. Kishte provuar gjithçka vetë në ato rrugë e balta rrugësh. Ishte ndryshuar në pamje dhe ishte gati në disa momente të hidhte tej biçikletën dhe atë që e kishte prodhuar, por një pendesë e mundonte për të mos arritur deri këtu. Truri ishte fajtori, por po ai ishte edhe kthimi. Këtë Ruzhdiu e kishte kujdes tani tek të rinjtë. Pak nga kjo ndoshta i mora edhe unë. Ai asnjëherë nuk më dha këshilla, por gjithçka ishte e vlefshme edhe për mua. Këto ishin mesazhe të vyera që vlejnë për një shoqëri të mbushur me personazhe historikë sportivë. Tani vazhdon punën. Është prap i kërkuar. Nuk duhet vetëm për mënd, por edhe për punë rinie, shtrëngime vidash dhe nxjerrje kur trupi i hekurit i makinës është ndarë përgjysmë dhe ka mbetur në thellësi. Kaçavida, pjesa më e bukur e profesionit, pavarësisht që kërkon dorën tjetër për ndihmë dhe siguri, bën punë të çuditshme. Shpesh herë i thotë vetes: “Bravo Ruzhdi, e kalove edhe këtë ngatërresë, i dhe zgjidhje problemit. Je i madh!”. Ky “narcisizëm” është në heshtje i edukuar shumë kohë përpara, kur pedalonte mbi biçikleta të sajuara pa ja prishur asaj qejfet e fitores. As ai nuk di ta shpjegojë këtë lloj ndenje, por është i sinqertë në ato frute që vetë sporti i arrin. Ruzhdi Çerma e ka historinë e vet sportive në një valixhe igeliti të bukur, të bërë vite më parë. Atje, ngjeshur rrinë, fotot, dokumentet, diplomat dhe dekoratat. Aty në brendësinë e kësaj valixhe ato letra, fotografi, flamuj dhe stema republike të moçme, bisedojnë dhe japin mendime. Kur i zoti i kësaj pasurie ulet në divan, ashtu i lodhur nga punët e ditës, askush nga letrat nuk bëzan, por i krekosen hijshëm në dorë, për ti treguar atij ardhmërinë dhe historinë. Ato dokumente janë për tu dekoruar përsëri. “Ka raste”, thotë e shoqja, “kur Ruzhdiu i hap me nostalgji të gjitha reliket dhe gëzon si një fëmijë, po me ato pasione dhe dëshira. Nuk e kam parë më të lavdishëm se tani burrin tim”, tregon ajo.
Para se të merresh me çiklizmin
Një fëmije që ka filluar të orientohet disi dhe të kapë objektet, prindërit për të treguar të ardhmen e tij, e vendosin mbi një tepsi të madhe me lloj lloj sendesh. Objekti që do të kapë fëmija, do të jetë profesioni i tij i ardhshëm. Në se Ruzhdiut do t’i kishin bërë ndonjë provë të tillë, ai do të kapte ndonjë kaçavidë ose pincë. Në punët që Ruzhdiu po vazhdon të bëjë, ka lidhje me rregullimin e dëmtimeve të jashtme të mjeteve në lëvizje, makinave, motorëve biçikletave etj.
Kavajë 1938, Ruzhdi Çerma 11 vjeç, i punësuar te xhaxhai
Profesioni i tij mund të krahasohet me atë të një mjeku plastik që riparon gjithçka të cenuar nga norma në çdo pjesë të trupit, veçanërisht në fytyrë. Ruzhdiu ngeli jetim nga i ati në moshën 8 vjeçare. Nënë Zyraja u kujdes, por familja mbeti kështu e varfër dhe pa mbështetje. U fut në punë që i vogël, tek dyqani i xhajës. Ruzhdiu e kishte dëshirë punen dhe nuk i përtonte asgjëje. Si fëmijë e kanë emocionuar fituesit dhe çiklistët e mirë në garat çiklistike të paraçlirimit. I kanë bërë përshtypje Rud Gurashi i KS Tirana, Koço Kereku i Skënderbeut, që fitoi edhe Rrethin Çiklistik të vitit 1936. Atëherë Ruzhdi Çerma ishte vetëm 9 vjeç.
Pushtimi italian i 1939-s
Kjo kohë e vështirë e gjen Ruzhdiun në Tiranë. Kishte ardhur të gjente punë. Krahas këtij halli e kishte zënë një hall tjetër edhe më i madh, çiklizmi. Donte të shikonte nisjet dhe mbritjet e çiklistëve. i pëlqeu edhe Rasim Aliko “milicia stradale”, Hashim Ferhati i SK Teuta, Xhemal Abeshi “Vllaznia”. Këtij djali nuk i shpëtoi nga vëmendja dhe një djalosh i pjekur në moshë, Avni Zajmi, i cili i organizonte këto gara. Avniu disa ditë para garave mblidhte ndihma tek populli, i cili nuk kursente të jepte ato para që sa me mëzi ja kapte dora. Për mbarë popullin, sporti ishte një nga argëtimet më të pastra e më të sigurta për ti ndjerë mirë në këto ditë të mbrapshta.
Gara e parë nuk harrohet, është si dashuria e parë
Më 15 shtator të vitit 1945, një djalë 17 vjeçar me një emër të panjohur, Ruzhdi Çerma, ka zhvilluar një garë çiklistike Durrës-Tiranë. Me kursimet ka blerë një biçikletë gati të zakonshme, vetëm pse i ka kthyer timonin e ka bërë atë pjesëmarrje në gara çiklistike. Rastësisht iu hap një vend te klubi i Tiranës, nga shefi Naim Pilku. Biçikletat ishin personale, një farë “Gerbi” italian që do të ndërrohej gjatë rrugës me një “Botekia”. Ai u nis me makinë me Osman Brojkën në Durrës, ku do të rreshtoheshin djem që dinin të ngisnin biçikletën dhe donin të merreshin me këtë sport. Ruzhdiu del i treti. Ky ishte momenti i celebrimit me këtë sport, që do të bëhej një jetë paralele me jetën tjetër, atë familjare e shoqërore.
Pas një viti
Ishte viti 1946 kur Ruzhdiu zhvillon garën e parë zyrtare Tiranë-Vlorë. Fill mbas Luftës, rrugët ishin të prishura, kurse pasionet zienin si vetë Lufta. Nuk kishte forcë të ndalonte dëshirat e këtyre djemve të dhënë pas çiklizmit. Janë 14 sportistë, dhe Ruzhdiu do të zërë vendin e 3-të, pas Gani Laçej dhe Dum Murthi. Ruzhdiu fiton 30 napolona para dhe një dhuratë të shkëlqyer, një biçikletë kursi që nuk është si e të tjerëve. Ajo është e bukur dhe është e tij. Atë tani do ta ketë shoqen e luftërave, për të zënë vendet e mira në klasifikim.
 
Ruzhdiu iu afrohej të rinjve dhe i nxiste përsëri si në fillimet e garës, kur ishin veshur bukur dhe donin të paraqiteshin po aq bukur deri në fund të saj. Por çiklizmi të shfaq bukur me papion kur fillon gara, dhe të kthen në finish në një gjendje që, edhe nënat e kishin të vështirë të njihnin bijtë e tyre
Ruzhdi Çerma
Lindur në Kavajë me 1927
1947-1956, anëtar i ekipit përfaqësues të çiklizmit
“Ruzhdi”, emër mashkullor arab që ka kuptimin i “ditur”, “pjekuri” që shkon në rrugë të drejtë (të fesë)
Sigal