Blutë e Korçës mbledhin të dhëna personale të bizneseve, ndoshta për t’i përdorur për presion në zgjedhje

455
Sigal

Policia e Korçës mbledh të dhënat e bizneseve, për t’i përdorur ndoshta për… presion

Një skandal ndodh në Korçë nga Policia e Shtetit, e cila po mbledh të dhënat nga bizneset, për emrin, mbiemrin e punëtorëve, të pronarëve, numrat e tyre të ID-së, adresën e tyre, gjendjen familjare dhe shoqërore  të gjithsecilit, mënyrat e kontaktit. Policia e shtetit nuk u shpjegon bizneseve qëllimin e vërtetë, përse i mbledh këto të dhëna. Përse duhet që policia e Shtetit të shkojë në çdo biznes dhe të marrë këto informacione, kur nuk ka asnjë dyshim për veprimtari kundër ligjit, apo kriminale? Kujt i duhen këto të dhëna, që i mbledh Policia e Shtetit? Për çfarë qëllime do të përdoren këto të dhëna, të cilat janë të privatësisë të gjithsecilit? Policia e Shtetit nuk e ka këtë kompetencë ligjore. Atëherë, përse shpërdoron Policia e Shtetit ligjin? Mos vallë, policia e Shtetit përdoret për qëllime partiake, duke ditur, që vitin tjetër bëhen zgjedhje dhe përgatiten nga …ndokush lista emërore të …votuesve? Nuk ka tjetër shpjegim, që të justifikojë marrjen e këtyre informacioneve të bizneseve nga Policia e Shtetit. Kjo shkelje e ligjit nga Policia e Shtetit ka shkaktuar edhe reagimin e kryetarit të shoqatës së biznesit Koli Firaj, sipas të cilit nga Policia e Shtetit nuk jepet informacion për kryerjen e një veprimi të tillë. “Të dhënat që kërkon policia, si adresa e biznesit, emri i pronarit dhe numri i kontaktit apo numri i të punësuarve, policia mund t’i sigurojë edhe nga institucione të tjera, pa qenë nevoja e mbledhje së tyre në terren, – argumenton kreu i shoqatës rajonale të biznesit. Koli Firaj, kryetar i Shoqatës Rajonale të Biznesit: Policia u ka kërkuar adresën e saktë të biznesit, emrin e pronarit, numrin e pronarit dhe numrin e punonjësve, të cilat mund t’i gjejnë fare lehtë në institucionet përkatëse në degën e Tatimeve në Korçë. Përballë një praktike, të panjohur dhe zbatuar më parë, biznesi ngre pikëpyetje për transparencën dhe ligjshmërinë e veprimeve të policisë lokale. Koli Firaj: Ne kërkojmë shpjegim të kësaj nisme, ligjshmërinë e saj dhe transparencë, përse bëhet kjo?