Rrahja e shqiptarëve, Haradinaj ngre tonet: Hetoni ngjarjen!

553
Sigal

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rrahjes brutale ndaj dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad. Shefi i qeverisë së Kosovës përmes një posti në rrjetin social “Facebook”, shkruan se lëvizja e lirë në shtetin e Serbisë nuk është e garantuar.

Sipas tij, çdo veprim apo akt dhune, është një shenjë e cila tregon se ky shtet është larg vlerave europiane. Gjithashtu Haradinaj krahas urimit për shërim të shpejtë ndaj dy të rinjve, i bën thirrje Serbisë që ky rast të zbardhet me urgjencë.

“I pashembullt akti i rrahjes brutale të dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad. Sulmi mbi dy udhëtarë shqiptarë dëshmon se lëvizja e lirë në shtetin serb nuk është e garantuar dhe çdo akt dhune është larg vlerave europiane. Derisa Çlirim Maloku po lufton për jetë, nga lëndimet e marra, një shtet që negocion për anëtarësim në BE duhet të ndërmerr veprime të shpejta për ta zbardhur rastin. Dy të rinjve shqiptarë u uroj shërim sa më të shpejt, ndërsa sulmuesit të sillen para drejtësisë dhe të marrin ndëshkimin meritor”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.