Akt terrorist, sulm me kallash autobusit Athinë-Tiranë, një vdes e një plagoset

427
Sigal

Ngjarja ndodhi në orën 01:20 të ditës së hënë. Janë vënë 10 mijë euro shpërblim për informacion rreth autorëve

Një akt terrorist në pritë, sulm me kallashnikov nga disa drejtime me pasojë një të vdekur e një i plagosur, është bilanci i ngjarjes së rëndë shënuar në orët e para të ditës së djeshme në aksin e rrugës nacionale Tepelenë-Fier. Mësohet se, objekt i sulmit me breshëri kallashnikovi ka qenë autobusi i linjës Athinë-Tiranë, ndërsa viktimë e goditjeve me plumba është 25-vjeçari Laurent Tabaku, nga Elbasani, pasagjer në autobus. “Një prej personave që mbetën të plagosur nuk ka mundur t’i mbijetojë dot plagëve dhe ka humbur jetën në spitalin e Fierit. Policia bën me dije se 25-vjeçari Laurent Tabaku humbi jetën rreth orës 15:00 të ditës së hënë. Për shkak të gjendjes kritike ai nuk mund të transportohej drejt Tiranës”,-thuhet në komunikatën zyrtare të policisë. Po ashtu, mësohet se në funksion të identifikimit të autorëve dhe arrestimit të tyre, janë vënë në dispozicion 10 mijë euro.

NGJARJA

Mësohet se ngjarja e rëndë ndodhi në orën 01:20 të datës 27.01.2014, në aksin rrugor Tepelenë- Fier, në vendin e quajtur Mogila. Persona të paidentifikuar të fshehur poshtë rrugës nacionale, kanë qëlluar  me armë në drejtim të faqes anësore  të autobusit me targa AA 578 GC,  të linjës ndërkombëtare Athinë –Tiranë. Drejtuesi i autobusit nuk ka ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës dhe ka ndaluar në fshatin Beraj, ku ka kontaktuar me një patrullë të Policisë Rrugore. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe 19-vjeçarja Qebarije Dihani nga Fieri. “Unë thashë, iku fëmija, mbaroi. Isha bashkë në një sedilje me çupën. Ajo ishte nga krahu i xhamit që u thye edhe unë isha nga krahu tjetër. Autobusi u mënjanua për të ndaluar, ne bërtitëm të gjithë ec, ec se do na vrasin të gjithëve. Autobusi vazhdoi rrugën, deri sa arritëm tek ndihma e policisë. Do vinim në shtëpi nga Greqia. U shtrimë të gjithë në tokë në autobus”, rrëfen i ati i të plagosurës Qebarie Dihani.

HETIMET

Nga hetimet e para rezulton se në pritë, kanë qenë e kanë gjuajtur me breshëri kallashnikovi më shumë se tre persona. Në autobus kanë qenë 22 udhëtarë, shqiptarë që vinin nga Greqia në familjet e tyre në Shqipëri. Mësohet se, ka qenë manovrimi i shoferit dhe shpejtësia që ka evituar përmasat e tragjedisë. Drejtues të policisë thanë se, “me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të vendngjarjes janë nisur efektivat e Komisariatit të Policisë Tepelenë, dhjetëra forca të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër dhe të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si dhe dy grupe të FNSH”. Vijon krehja e gjithë zonës për të bërë të mundur kapjen e autorëve”… Policia e Gjirokastrës ka shoqëruar 9 persona në lidhje me sulmin me armë ndaj autobusit që ka ndodhur në Memaliaj. Burime zyrtare thanë se, deri tani janë shoqëruar në ambientet e Policisë së Gjirokastrës 9 persona nga rrethi i Tepelenës. Akti terrorist ka shokuar njerëzit, të cilët, përherë e më shumë ndjehen të pasigurt për jetën e tyre. Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, kanë reaguar dhe politikanë të ndryshëm.