9 vite burgu italianit, vrau shqiptarin. Ja historia e karrocierit nga Brescia. Ja emrat

Është dënuar me 9 vjet e 4 muaj burg 33-vjeçari Mirco Franzoni, i cili, plot katër vjet më parë, më 14 dhjetor 2013, vrau me armë zjarri shqiptarin Eduard Ndoj. Shqiptari kishte hyrë për të vjedhur në shtëpinë e vëllait të vrasësit të dënuar sot nga gjykata në Brescia për vrasje të vullnetshme.

Dënimi i dhënë është pothuajse gjysma e atij të kërkuar nga prokurorja Katy Bressanelli. Franzoni gjithmonë ka pretenduar se vrasja ndodhi pa dashje, me një të shtënë të vetme aksidentale gjatë sherrit me hajdutin. Akuza thotë se pati tri të shtëna, madje të regjistruara në telefonatën e një banori që pa skenën dhe njoftoi forcat e rendit.

Gjykata ka vendosur edhe dëmshpërblim për familjen e Eduard Ndojit. Franzoni do t’u paguajë 50 mijë euro të afërmve të viktimës dhe 25 mijë të tjera vëllait. Duke mos pasur as punë e as vendbanimi, vëllai dhe xhaxhai, bashkë me ta edhe e fejuara e Ndojit, janë detyruar të largohen orët e fundit nga provinca, pas tre vitesh përpjekje.

Eduard Ndoj ishte 26 vjeç në kohën e vrasjes dhe sapo kishte “vizituar” shtëpinë e vëllait të Franzonit. Më pas ia mbathi në pyll, ku qëndroi pak kohë. U ndoq nga Franzoni e miqtë e tij, deri sa u ndodh ballë për ballë me karrocierin breshian, i armatosur me një armë gjahu.

Sipas të dënuarit, Ndoj u përpoq t’ia merrte armën dhe në atë moment ajo u zbraz aksidentalisht. Franzoni qëndroi në burg katër ditë, ndërsa hetimet zgjatën thuajse tre vjet, deri në pranverën e vitit 2016.

Tani ka ardhur dënimi nga gjykata për vrasje të qëllimshme, pasi arriti të bindte vetëm përgjysmë trupin gjykues për versionin e tij të vrasjes aksidentale.