8 muaj pa ilaçe burgu i Drenovës, mbi 40 të burgosur përfunduan në spitalin rajonal

389
Burgu i sigurisë së lartë në Drenovë prej mëse 8 muajsh nuk furnizohet me medikamente. Burime brenda burgut thonë se gjatë këtyre muajve nuk ekziston asnjë ilaç dhe janë shënuar mbi 40 raste të burgosurish në gjendje shëndetësore të rënduar, të cilët janë transportuar pranë spitalit Rajonal të Korçës për të marrë shërbimin e duhur.

Alarmi është ngritur nga burgosurit, të cilët vuajnë dënimin në këtë burg të sigurisë së lartë, por edhe nga punonjësit e këtij institucioni. Të dënuarit pohojnë për mediat se prej muajsh brenda burgut të Drenovës nuk ekziston asnjë lloj medikamenti, duke filluar që nga ato elementare, siç janë paracetamol, aspirina por edhe ilaçe të tjera specifike.

Sipas tyre, deri tani kanë qenë të afërmit që u kanë siguruar furnizimin me ilaçet bazë. Ndërkaq, nga drejtoria e burgut të Drenovës është bërë kërkesë zyrtare për me medikamente, por edhe pse kanë kaluar 8 muaj, ende nuk është dhënë një zgjidhje për këtë problem serioz. Në burgun e Drenovës duket se situata nuk është shumë e mirë, pasi ka dhe tejshtim të të burgosurve. Në godinën e observimit, e cila ka 9 dhoma ku normalisht në një dhomë duhet të qëndrojnë 6 veta, gjejmë mbi 11 të burgosur. Po kështu, ende nuk është bërë asgjë për mungesën e ujit të pijshëm, kushte të cilat shpesh kanë çuar në protesta të burgosurit.
Sigal