35 vite burg për Altin Alukun, vrau ish-vjehrrin e plagosi ish-vjehrrën në Kashar

478
Gjykata e Tiranës ka dënuar me 35 vjet burgim shtetasin Altin Aluku, i akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, ngjarje e ndodhur 17.05.2015 në zonën e Kasharit në Tiranë, ku autori ka vrarë me armë tip automatik shtetasin Lutfi Xhaferri dhe ka plagosur rëndë Naime Xhaferri, prindërit e ish-bashkëshortes së tij. Në konkluzionet e saj, Prokuroria e Tiranës kërkoi dënimin me burgim të përjetshëm të shtetasit Altin Aluku, por për faktin e gjykimit të shkurtuar të pranuar nga gjykata, pavarësisht kundërshtisë së prokurorit të çështjes, në përfundim i pandehuri u dënua me 35 vite burgim.

Nga hetimet e Prokurorisë Tiranë ka rezultuar se, në datën 17.05.2015, rreth orës 05.30’, viktima Lutfi Xhaferi dhe e dëmtuara Naime Xhaferi, kanë dalë nga banesa e tyre e ndodhur në fshatin Kashar dhe së bashku kanë shkuar në lagjen “Kamberaj” të këtij fshati, me qëllim për të pritur furgonin, me të cilin e dëmtuara do të shkonte në Tiranë për të shitur qumësht dhe produkte të tjera fshati. Rreth orës 05.45’, drejt tyre është afruar i pandehuri Altin Aluku (Kashari) i cili ecte në këmbë dhe mbante në dorë një armë automatike mod-56, të rregullt teknikisht dhe që e mbante pa lejen e organeve kompetente. Mbasi u është në një distancë prej rreth 5 m, i pandehuri i është drejtuar fillimisht viktimës duke i thënë që “Ju më keni qëlluar mbrëmë tek shtëpia”. Viktima Lutfi Xhaferi i është përgjigjur duke i thënë se “Jo. Ne nuk kemi asgjë me ty dhe nuk kemi pasur ndonjëherë”.

Menjëherë pas këtyre fjalëve të viktimës, i pandehuri ka qëlluar disa herë me armën që mbante në dorë në drejtim të viktimës duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëherëshme. Mandej ka drejtuar armën dhe ka qëlluar edhe në drejtim të të dëmtuarës Naime Xhaferi, duke i thënë që “do t’ju zhduk të dyve”. E dëmtuara është afruar drejt tij dhe është përpjekur që t’i kapte armën, me të cilën i pandehuri vazhdonte që të qëllonte në drejtime të ndryshme. Ajo ka arritur që t’i kapë armën, por i pandehuri ka mundur që të shkëputet dhe duke u larguar ka qëlluar përsëri drejt saj duke e plagosur në dorën e majtë.
Pas ngjarjes, autori është identifikuar dhe është arrestuar nga Policia e Shtetit, në tentativat e tij për t’u larguar dhe fshehur hetimit dhe gjykimit.
Sigal