Ylli Ballta: “Humbjet marramendëse të shtetit nga privatizimi i Albtelekom dhe hedhja e punonjësve në rrugë”

    529
    Sigal

    Janë rreth tetë mijë persona, që presin të marrin përqindjen e tyre nga aksionet

    Vijon nga numri i kaluar intervista e Kryetarit të Federatës së Sindikatës së Post-Telekomit të Ylli Balltës në lidhje me problemet që solli privatizimi i Albtelekomit. Një problem shqetësues në këtë kompani mbetet edhe largimet e shumta të punonjësve që janë bërë dhe priten të bëhen përsëri në vazhdim.

    -Zoti Ballta, numri i punonjësve të Albtelekom vazhdon të shkurtohet sërish, cili është shkaku dhe çfarë roli ka luajtur sindikata?

    -Po është e vërtetë që numri i punonjësve vazhdon të shkurtohet çdo ditë. Pritet së shpejti edhe një reformë tjetër në sistem. Ndërsa sindikata jonë nuk është nënshkruese e kësaj marrëveshje, sepse ne nuk mund të pranojmë që të firmosim me drejtuesit për shkurtimin e punonjësve nga puna, kjo është filozofia jonë. Nënshkrimin e ka bërë sindikata homologe dhe tani mban përgjegjësinë morale para punonjësve, por dhe më shumë. Ne jemi dakord që të ketë reforma të bazuara edhe në propozimin që bën sindikata, sepse ne njohim njerëz të aftë të shkolluar që i kanë dhënë vlerë sistemit. Dhe gërshetimi i elementit të ri me elementin e vjetër është i domosdoshëm në këtë sistem. Pra, siç e thashë edhe më lart që justifikimi i përdorur nga kompania për shkurtimet nga puna është zhvillimi i teknologjisë, por kjo nuk mjafton dhe nuk justifikon veprimin.

     -Pasi të kalojë edhe 2- vjetori nga marrja e kredisë nga Albtelekom, a është e sigurt që do të jepen këto përqindje për punonjësit?

    -Janë rreth tetë mijë persona, që presin të marrin përqindjen e tyre, këtu futen edhe ish pronarët e tokave dhe të persekutuarit. Besoj se, pas mbarimit të kontratës së Albtelekom-it me BERZH kjo të marrë rrugë në favor të të gjithëve. Por unë mund të bëj një krahasim mes Telekomit dhe  Postës Shqiptare pse? Sepse pas ndarjes në vitin 1993 në dy ndërmarrje Posta doli shumë e varfër, në zyra objekte, teknologji, transport etj.. Vit pas viti me përpjekjet e vazhdueshme nga të gjithë, por veçanërisht në këto vite, mund të them që Posta ka pasur një menaxhim të shkëlqyer. Ajo ka thyer shumë barriera, të cilat deri dje Posta Shqiptare nuk i kapërcente dot. Sot ajo është bërë një lider dhe konkurrent i fortë në treg, madje ajo do të fillojë që të konkurrojë edhe shoqëritë e telekomunikacionit, sepse ka shtrirë internetin në të gjithë skajet e vendit dhe falas për qytetarët, specialistë të niveleve të admirueshme, po ashtu së fundi  ka realizuar edhe autostradën dixhitale me Kosovën. Plus që ajo kontrollon sistemin e saj on-line, Postieri Dixhital është një tjetër risi e Postës, transporti modern, uniformat etj.. Po ashtu ajo ka rritur edhe numrin e punonjësve me rreth 600-700 punonjës dhe sot ajo ka rreth 2700 punonjës në shërbim. Ankesat e klientëve të Postës kanë rënë ndjeshëm ndërkohë që, besimi ndaj shërbimeve të saj është rritur. Kjo tregon që shteti duhet të jetë i kujdesshëm me privatizimet që bën. Sot numri i letrave dhe pakove është rritur në mënyrë të ndjeshme dhe volumi është rritur gjithashtu, së bashku me cilësinë. Pagat janë, shpërblimet për punonjësit është një tjetër vlerësim për kontributin e tyre të pandërprerë sigurisht  në presim më shumë dhe kjo është normale, asnjëherë njeriu nuk kënaqet me atë që ka arritur ndaj dhe shoqëria ecën përpara pa u ndalur, por ama ka 2700 punonjës, ndërkohë që, Albtelekom-i nga 2000 punonjës sot ka vetëm rreth 1000 punonjës. Kontrata e fundit e Sindikatës me Postën Shqiptare është një tjetër tregues i marrëdhënieve korrekte institucionale dhe një realizim fitimprurës për punonjësit dhe administratën, konsensusi i gjerë mes punëdhënësit dhe punëmarrësit jep gjithnjë fryte të mira.

     -A mendoni se do ishte më mirë sot nëse Albtelekom nuk do të ishte privatizuar?

    -Unë mund të them atë që e kam thënë edhe herë tjetër që Albtelekom-i përpara privatizimit ka qenë banka e vërtete e Shqipërisë, për shtetin shqiptar. Në gjithë këto 23 vjet punë intensive dhe me mundësitë e pamundësitë e kohës punonjësit e Post-Telekomit kanë bërë një punë mese heroike të krahasosh çfarë kemi kaluar në këto vite dhe do thosha pa më të voglën modesti, nëse në shoqërinë shqiptare ka një ajkë, në mes të saj qëndrojnë punonjësit heroikë të Post-Telekomit. Ata  meritojnë të nderohen. pasi kanë punuar në periudhat më të vështira. Pothuajse gjithçka u shkatërrua, ajo që mbeti ishte Post-Telekomi shqiptar dhe këto njerëz meritojnë vlerësim maksimal në vijimësi. Dhe unë jam krenar që përfaqësoj këtë pjesë dhe në kuptim figurative unë jam zgjedhur si zëdhënësi  i tyre, si i zgjedhuri i tyre. Dhe sindikata në 100- vjetorin e Pavarësisë dhe asaj të krijimit të Post-Telekomit u dha Diploma Mirënjohjeje të gjithë punonjësve veteranë dhe aktuale,shpërndarës Poste, përpunues, punonjës me kontribute në vite, ish- drejtuesve dhe drejtuesve aktualë të Post-Telekomit Shqiptar, pasi FSPT Shqipërisë është një institucion që vlerëson në radhë të parë punën dhe respektin ndaj saj.

    Rrjeti i tretë i Albtelekom me kabllo të varur në rrugë, rrezik për qytetarët

    -Po, ka pasur ndryshime, por nuk duhet të harrojmë që rrjeti i tretë ka ngelur siç ka qenë, pra është një rrjet i tërë merimangash. Pra vërtetë është shtrirë teknologjia në qytete dhe në periferi, por nuk ka mundur të pastrojnë rrjetin e trete, pasi sheh kabllo të tërë nëpër rrugë. Në këtë aspekt kompania duhet të bëjë më shumë, por edhe konkurrenca ka bërë që të shkurtohet numri i punonjësve, tani kanë dalë mjaft kompani të tjera Telekomunikacioni që konkurrojnë denjësisht. Pra duhet të jepet mundësia për të konkurruar edhe për të punuar. Për këto arsye duhet të ketë një status punonjësi në mënyrë që mos të ndodhin largime të tilla nga puna.