Berat, në terrenet sportive të fëmijëve janë ndërtuar banesa dhe lokale të jashtëligjshme

669
Sigal

Lagjet nuk kanë më kënde lojërash, fëmijët zaptojnë lulishtet. Flet ish-trajneri Dhori Arbëri: “Ka rënë cilësia e sportit”

Prej disa vitesh, nëpër lagjet e qytetit, ishin ndërtuar kënde sportive për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që të luanin. Por pas viteve të demokracisë këndet sportive u zaptuan nga individë të ndryshëm dhe u ndërtuan objekte të ndryshme. Këto kënde ishin ndërtuar gjatë periudhës së komunizmi në të gjitha lagjet e qytetit. Një pjesë të terreneve gjatë viteve iu dalën pronarët, ndërsa pjesa tjetër e mbetur u zaptuan nga persona të papërgjegjshëm. Madje, shumë persona që kanë zbritur nga zonat rurale në vitet e demokracisë, shfrytëzuan këto vende bosh edhe pse këto terrene ishin fusha sportive, ku luanin fëmijët. Drejtuesit e bashkive nuk u ndjen, por u treguan indiferentë përballë kësaj situate. Të gjitha këto veprime, rënduan tek fëmijët, të cilët prekeshin kur shikonin që këndet sportive po shkatërroheshin dhe në vend të tyre po ndërtoheshin banesat apo lokal të jashtëligjshme. Këta persona, të cilët përfituan nga anomalitë erdhën nga fshatrat dhe një pjesë nga qyteti dhe u bën zot të diçkaje që nuk ishte e tyre, atyre iu shtua aq shumë oreksi saqë zaptuan dhe rrethuan të gjitha sipërfaqet, sikur të ishin ende në fshatra. Tashmë këto terrene sportive krijuan një kooperativë të vogël brenda lagjeve. Në qytetin e Kuçovës ishin një numër i madh terrenesh sportive, por tashmë asnjë nuk ekziston më. Po këtë fat e patën dhe terrenet sportive të qytetit të Beratit, ku numri i tyre ishte shumë i madh krahasuar me qytetet e tjera të qarkut. Këto terrene tani e shohin veten nën zotërimin e banesave dhe të bagëtive të fshatarëve që kanë migruar nga fshatrat për në qytet.

Fëmijët

Fëmijët të mbetur pa terrene iu janë drejtuar lulishteve të qytetit për të luajtur futboll, volejboll apo basketboll. Tashmë lulishtet janë kthyer në terrene sportive nga vetë fëmijët, të cilët kërkojnë ambiente për të luajtur. Qytetarët e shumtë që shikojnë fëmijët duke luajtur në lulishte shprehen: “E kanë nga e keqja pasi ato kënde sportive që kishte ndërtuar monizmi nëpër lagje dhe që rezistuan deri ca vite edhe në demokraci tashmë janë zaptuar nga fshatarët, të cilët u strehuan në qytet, duke gjetur vende bosh dhe ndërtuan banesat e tyre”. Zhdukja e terreneve sportive, ka ndikuar shumë dhe në rritjen cilësore të futbollit, volejbollit dhe basketbollit, sidomos në dy qytetet e sportit të Beratit dhe Kuçovës. Njëri nga ish-trajnerët e Beratit, lojtari mirënjohur Dhori Arbëri, shprehet se mungesa e terreneve sportive ka ndikuar dhe në cilësinë e sportit në këtë qytet. “Shumë lojtarë që kanë përfaqësuar futbollin në Berat apo Kuçovë dhe më gjerë kanë dalë nga lagjet, nëpër klasat sportive dhe më pas ato kanë kaluar në ekipet e para të rinjve dhe tek të rinjtë dhe më pas tek ekipi kryesor. Kjo traditë nuk ndiqet më, sepse është prishur zinxhiri i bërjes së gjërave”. Sipas Arbërit mësohet se, sporti do kushte dhe  në qytetin e Beratit nuk janë as kushtet më minimale.