Xhezo CANA/ Arshi Shehu, patrioti “fanolist” që drejtoi Tepelenën në vitet 1920-1934

    986
    Sigal

     Në vitin 1934, transferohet në Fier. Si kryebashkiak, Arshiu është një nga drejtuesit e “Kryengritjes së Fierit”

    Një figurë e shquar me kontribute të shumta në historinë e Tepelenës është dhe Arshi Daut Shehu, i cili për nga veprimtaria dhe kontributet që ka dhënë gjatë jetës së tij, mund të thuhet se, është një figurë me vlera të spikatura kombëtare si atdhetar, luftëtar pavarësie e lirie dhe si drejtues bashkie në Tepelenë për 14 vite (1920-1934), por çuditërisht i mbetur ende jashtë vlerësimit. Arshiu është i biri i Daut Shehut (ose Sheh Daut Tepelena), siç i thoshin. Sheh Daut Tepelena, ishte një patriot i shkolluar, me kontribut të madh e të njohur në lëvizjen patriotike dhe me një influencë në zonën e jugut të Shqipërisë. Më 15 shtator 1908, së bashku me 31 klerikë të tjerë si Sheh Beqir Toci, Baba Ahmet Turani etj  u mblodhën në Tepelenë dhe firmosën një dokument për problemet shoqërore të pajtimit të gjakrave. Në vitin 1909 në Teqenë e Koshtanit, Sheh Daut Tepelena me klerik të tjerë si Baba Ahmet Turani, Baba Ahmet Ali Koshtani, Sheh Ali Bença, Sheh Beqir Toci etj  mblodhën Kongresi për zhvillimin e arsim-kulturës në kazan e Tepelenës. Sheh Dauti ishte një patriot që u vu në mbështetje të pavarësisë së Shqipërisë dhe luftërave kundër pushtuesve grekë. Arshi Shehu, i biri kishte lindur në një familje të tillë ku patriotizmi dhe dashuria për Shqipërinë, ishte moto e familjes së tij dhe ishte kultivuar e manifestuar prej shekujsh, ndër breza.

    ARSHI DAUT SHEHU

    Kontributi i Arshi Shehut, fillon që në vitet 1911-‘12 kur ende ishte i ri. Sipas kujtimeve të tij, për lëvizjet për pavarësi veçojmë këtë fakt: “Më 1912 në Tepelenë, ishte një garnizon turk që përbëhej nga tre batalione, ku shumica ishin shqiptarë (kosovarë e Dibranë). Kasëm Qafzezi ishte kapiten i ushtrisë dhe Qemal Delvina, toger. Në marrëveshje me këta që na dhanë dy pushkë, unë dhe Rauf Shehu e dy-tre të tjerë, dolëm fshatrave për të mbledhur shokë të tjerë për luftë. Për t’u përgatitur për kryengritjen, u hodhëm matanë Vjosës. Në fillim, shkuam në fshatin Damës, në shtëpinë e Bajram Beqirit, ku morëm dhe një armë. Që atje, shkuam në Tosk-Martalloz, në teqenë e Sheh Hasimit dhe pastaj në teqenë e Miricës, të mirënjohurit të zonës Dervish Musait (Katiraj) i sektit Halveti. Në fshatra, na premtuan ndihma. Nga teqja e Miricës e Dervish Musait (Katirajt), shkuam në fshatin Vasjar, ku në fillim nuk na mbështetën, mbasi nuk kishin besim te ne, por më vonë erdhën 35 vetë. (Në fshatin Vasjar, Arshi Shehu kishte martuar motrën e tij, Zybën me Rushanin, tek Zaçajt-Xh.C). Pas Vasjarit shkuam në teqenë e Toçit dhe më pas në Krahës, tek Dervish Medini. Në Krahës, dolën 73 vullnetarë midis tyre dhe një figurë e njohur e zonës e quajtur Kalo Brahimi. Pasi u kthyem nga Luftinja dhe nga të gjitha Teqetë, numri i vullnetarëve për luftëtarë arriti nbë 250 trima. Mbanim lidhje me Sadulla Xhaferin (Agaraj) dhe u nisëm për në Ujë të Ftohtë. Kjo çetë me vullnetarë ishte në mbështetje të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shërbeu për mbrojtjen e zonës nga agresioni grek. Në emër të çetës, iu dërgua një letër Ismail Qemalit, ku i shprehej mbështetja e ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë, po qe nevoja edhe duke derdhur gjakun e burrave dhe djemve të Tepelenës…”.

    Kontributi i Arshi Shehut, ka qenë prezent në çdo moment të historisë. Pushtimi dhe agresioni grek në Tepelenë e gjënë Arshi Shehun në mbështetje të viktimave , të grave dhe jetimëve që ngelën dhe u vendosen brenda në Kala të Tepelenës. Në 1920, në Lushnjë u mblodh “Kongresi i Lushnjës”. Përsëri Arshi Shehu është delegat i kongresit të Lushnjës, si përfaqësues i Tepelenës. Në Kongresin e Lushnjës,  ai shkoi i veshur me kostumin kombëtar shqiptar, duke përcjellë mesazhin se ishte figurë patriotike e jo një delegat i thjeshtë, apo i rastësishëm. Aty takon një tjetër personalitet e patriot po nga Tepelena, drejtuesin zonal të atyre viteve, Veli Vasjarin, nënprefektin e Lushnjës, ku pak muaj më vonë, së bashku u hodhën në krye të luftës kundër italianeve në Tepelenë.

    KRYEBASHKIAK I TEPELENËS

    Në vazhdim, ndërsa Veli Vasjari ishte nënprefekt i parë, i dalë nga kongresi i Lushnjës , Arshi Daut Shehu, u zgjodh kryetar i  bashkisë Tepelenë, direkt pas këtij Kongresi. Këtë detyrë Arshi Shehu e mbajti nga viti 1920 deri 1934. Gjatë periudhës si kryetar bashkie, spikatin disa nga veprimtaritë që gazetat e kohës, i pasqyrojnë. Në 21 qershor 1920 së bashku me Veli Vasjarin e Riza Cerovën, pas dy javësh të rrethuar kalanë e Tepelenës me mbi 700 luftëtarë, çlirojnë Tepelenën nga forcat italiane. Në tetor 1920 Arshi Shehu së bashku me nënprefektin Veli Vasjari dhe Azis Çamin, shkojnë në Salari te shtëpia e Dule Dalanit dhe nderojnë si dëshmor Selam Musa Salarinë, pas një vendimi të marrë si Bashki. Në janar-mars  1921, marrin pjesë aktive në amortizimin e dëmeve, që shkaktoi tërmeti që rrafshoi të gjitha shtëpitë e Tepelenës, me përjashtim të kalasë. Në vitin 1924, Arshi Daut Shehu, mbështet hapur Fan Nolin dhe merr pjesë në varrimin e Avni Rustemit, së bashku me Veli Vasjarin. Në janar 1925, në zgjedhet për kryetarët e bashkive, ai rizgjidhet përsëri si kryetar bashkie, ndërsa në Gjirokastër, kryetar bashkie zgjidhet luftëtari Bajo Topulli. Në vitin 1927. në një kronikë të gazetës “Demokratja”, thuhet se “… pavarësisht problemeve ekonomike, Tepelena nën drejtimin e kryetarit Arshi Shehu, po zbukurohet me rrugë e lulishte dhe pastërti të madhe”. Në vitin 1929 zgjidhet delegat i Qarkut Gjirokastër, për “Kongresin e Muhamedanëve”, zhvilluar në Tiranë, së bashku me Sheh Haredinin nga Kurveleshi, Qemal Përmetin etj.. Përsëri në kronikat shtypit të vitit 1929, pasqyrohet kontributi i veçantë i Kryetarit të Bashkisë Tepelenë, Arshi Shehu së bashku me punonjësit e tjerë të bashkisë, ku thuhet: “… këta burra patriotë, po e drejtojnë bashkinë e Tepelenës me lavdi dhe me ndere të mëdha”. Shpesh në Tepelenë, përveç detyrës së kryetarit të bashkisë, Arshi Shehu, ka kryer   njëkohësisht dhe detyrën si drejtues i nënprefekturës. Në vitin 1930, nga dokumentet zyrtare që gjenden në Arkivin e Shtetit, rezulton se Arshi Shehu ka qenë edhe nënprefekt i Tepelenës. Në vitin 1927 nga dokumentet arkivore, tregohet kujdesi i tij për rritjen e nivelit të shkollës dhe arsimimin në përgjithësi në zonën e Tepelenës. Me iniciativën e tij, ai dërgon në shkollën e Liceut të Elbasanit, Murat Koçiun, i pari liceist nga Tepelena. Në gazetat e kohës gjënë dhjetëra reportazhe për “kryetarin”  që e donin të gjithë se ai ishte gjithmonë me shqetësimet e popullit. Ai kontribuon me lekë për ngritjen e përmendores së Çerçis Topullit në vitin 1934, kontribuon me financat e tij personale, për familjen e patriotit të njohur Kanan Mazes nga Shkoza, mbasi kishte mbetur keq ekonomikisht, si dhe kontribuon për njerëzit me probleme të ndryshme.

    DETYRA TË TJERA

    Pas 14 vjetësh si Kryetar i Bashkisë së Tepelenës, në vitin 1934 transferohet po në të njëjtën detyrë, në qytetin (kazanë) e Fierit. Në vitin 1934 vihet në krye të lëvizjes se Fierit së bashku me patriotët Kostë Çekresi, Musa Kranja, Zenel Hekali e Xhevair Arapi. Pas dështimit të kësaj lëvizje, detyrohet të largohet në Itali dhe në fund, vendoset në Malin e Zi. Qeveria e Zogut e dënoi me vdekje në mungesë, ndërsa për familjarët, Arshiu rezultonte i “humbur’, mbasi nuk kishin asnjë informacion për të. Në këtë kohë (1935-1936), vëllai i tij martoi vajzën e madhe Ervehe, me Zenel Shehun nga fshati Toç i Tepelenës, familje tjetër shehlerë, e cila njihej jo vetëm në Tepelenë, por në krejt jugun e vendit, madje deri në Vlorë e më gjerë, për kontribute të mëdha e të shumta  patriotike në shërbim të atdheut e të popullit të zonës. Kthehet nga arratia, pasi fitoi faljen, kur qeveria e Ahmet Zogut, shpalli amnistinë. Pas kthimit në Shqipëri e caktojnë kryetar të pushteti në Tërpan, ku mori dhe familjen e jetoi atje. Patrioti tepelenas Arshi Daut Shehu, kishte katër fëmijë, konkretisht Ervehe Shehun, Rebani Shehun, Gjylani Shehun e Xhemal Shehun, të cilët me punën dhe kontributet e tyre në shërbim të kombit, treguan me vepra se ishin dhe mbetën pasardhës dinjitoz e të vlefshëm të familjes së madhe patriotike të Arshi Daut Shehut.

    ‘BORXHI’ I TEPELENËS

    Nipi i tij, mjeku i njohur Eqerem Shehu (djali i vajzës), aktualisht banues në Tiranë, e kujton gjyshin e tij Arshi Shehun, si një njeri korrekt, kërkues, tepër i shqetësuar kur cenohej puna, respekti ndaj ligjit dhe njerëzve, sidomos të njerëzve që kishin halle jetësore. Sipas Eqremit,  ai shërbeu edhe si një mësues i vyer për fëmijët e tij, i donte të ishin model. Nipi, kujton një detaj, kur Arshi Shehu ishte në momentet e fundit të jetës, kur kishte mbledhur katër fëmijët e tij, duke u thënë: – “Punoni shumë, jetoni me nder, do të jem i kënaqur dhe do prehem i qetë në botën tjetër, në qoftë se ju do të kontribuoni për atdheun e popullin, të paktën sa gjysma e asaj që kam kontribuar unë, sa gjysma e asaj që kanë kontribuar prindërit tanë dhe gjyshërit tuaj”. Dhe në të vërtet, ai kishte kontribuar shumë, kishte treguar idealizëm e patriotizëm për atdheun dhe dashuri për punën e njerëzit për gati 30 vjet si drejtues pushteti, si luftëtarë e njeri. Mendojmë, se Tepelena si pushtet lokal, i ka “borxh” një nderim, birit dhe ish-drejtuesit të saj patriot. Edhe pse vonë, tepelenasit e presin një nderim për këtë figurë, madje siç mësuam, ia kanë kërkuar këtë gjë edhe bashkisë së qytetit Tepelenë, që Arshi Daut Shehu, të ketë titullin “Qytetar Nderi”, pasi ai, nderin e ka skalitur vetë në historinë e Tepelenës, veçanërisht në 14 vitet 1920-1934 si kryetar bashkie i këtij qyteti.

    *Studiues historie