Vehbi FURXHI/ “Rezervati i Maliqit” ose “Pylli i fazanëve” në Korçë?!

    1324
    Sigal

    1- PAK HISTORI LINEARE DHE INFORMACION NJOHËS

    -Pylli i Maliqit, i njohur si “Rezervati i Maliqit”, ndodhet në fushën e Maliqit, nga e cila e ka marrë emrin. Ai bën pjesë ne komunën e Libonikut dhe ndodhet 12 km larg nga qyteti i Korçës dhe 3.5 km larg nga qyteti i Maliqit. Pylli i Maliqit kufizohet në veri me tokat bujqësore dhe kanalin kullues, në jug me lumin Dunavec, në lindje me rrugën auto (argjinatura) dhe në perëndim me lumin Devoll. Në aspektin gjeologjik formohet nga formacione të pandara të ultësirave të kuaternarit. Sipërfaqja e kësaj zone të mbrojtur është pronë shtetërore dhe administrohet nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor Korçë.

    Rezervati ndodhet në trekëndëshin e formuar nga bashkimi i lumit Devoll me degën e lumit Dunavec dhe ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 45 ha, ku përfshihen 37.5 ha pyje, 3.7 ha toka bujqësore, 3.7 ha toka inproduktive dhe 0.1 ha troje. Tokat janë kryesisht trofike. Bimësia pyjore autoktone përfaqësohet nga shelgjishtet (22.97 ha) dhe plepi (9.45 ha), ndërsa në vitet ’60 janë bërë pyllëzime me bredh (3.80 ha) dhe akacie e bli (1.28 ha). Bimësia barishtore është shumë e larmishme me lloje të familjeve graminore, bishtajore, dybuzore, etj., por mbizotëron hithra.

    Rezervati ka qenë i populluar në sasi të konsiderueshme me fazan dhe kaproll, por që janë zhdukur nga gjuetia e paligjshme në periudhën e tranzicionit. Me pakicë haset dhelpra, ndërsa nga shpendët rezervati popullohet nga dervishët, qukapikët, dallëndyshet, turtujt, etj.

    Pylli i Maliqit është një pyll relikt i mbetur si dëshmi e liqenit te dikurshëm të Maliqit. Për veçoritë e tij dhe vlerat e biodiversitetit ai është shpallur që në vitin 1967 me vendim të Këshillit të Ministrave si zonë e mbrojtur me emërtimin “Rezervati i gjuetisë Maliq”. Pas miratimit të ligjit Nr. 8906, datë 6.6.2002 “Për zonat e mbrojtura” pylli i Maliqit, me sipërfaqe 45 ha, me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 676, datë 20.12.2002 është shpallur si monument natyre me emërtimin “Pylli i përzierë Maliq”.

    Deri në vitin 1990 rezervati i Maliqit është menaxhuar nga Ndërmarrja Pyjore Korçë, e cila është përkujdesur për mbrojtjen e pyllit si dhe të faunës së tij duke u kujdesur njëkohësisht edhe për shtimin e kaprollit dhe rritjen e fazanëve, prandaj rezervati i Maliqit është i njohur edhe si “pylli i fazanëve”. Për sigurimin e bazës ushqimore për këto kafshë Ndërmarrja Pyjore Korçë kultivonte me bimë arash tokën bujqësore që ishte pjesë e rezervatit. Para viteve ’90 rezervati i Maliqit është përdorur edhe për kultivimin e kërmijve për eksport, duke siguruar të ardhura të konsiderueshme në valutë. Një nga të metat e kësaj periudhe ka qenë tendenca për halorëzimin e pyllit dhe futja e llojeve jo autoktone për këtë relikt si akacia, bredhi, etj.

    Pas vitit 1991 rezervati i Maliqit u vu nën administrimin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor Korçë dhe me miratimin e ligjit për zonat e mbrojtura është shpallur monument natyre. Në bazë të ligjit për zonat e mbrojtura (Neni 7) për monumentet e natyrës zbatohet shkalla e parë e mbrojtjes dhe hyrjen e vizitorëve për afate të shkurtra kohore bëhet në përputhje me rregullat e veçanta të miratuara nga Ministri i Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrin Territorit dhe Turizmit dhe Ministrin e Pushtetit Vendor.

    Për fat të keq për shkak të mungesës së fondeve dhe interesimit të autoriteteve përgjegjëse rezervati i Maliqit po shkon drejt degradimit. Me reformën e re që po zbatohet nga Ministria e Mjedisit pylli i fazanëve do të menaxhohet nga seksioni pyjor Korçë i Drejtorisë Rajonale të Pyjeve të porsa krijuar në qarkun e Korçës.

    II-NJË UDHËTIM I SHKURTËR, NJË IMPRESION NEGATIV

    -Ishte një dite fillim marsi i 2014 ku bashkë me inxhinierin e Pyjeve të Parkut Kombëtar të Prespës z. Olsi Duma, një njeri shumë miqësor, me një eksperiencë profesionale për t’u admiruar në fushën e menaxhimit të pyjeve, morëm rrugën drejt Rezervatit të Maliqit, ose Pyllit të Fazanëve duke më plotësuar mua kështu një dëshirë të hershme…

    Ishte një ditë me qiell pak të vrenjtur, ku nuk mund të çuditesh që papritur mund të vesojë, ose të bjerë shiu, “duke ndarë kaun nga kau…”.

    Mbasi lamë rrugën e asfaltuar, makina mori drejtimin nga e djathta, në një rrugë të pa asfaltuar, ku diku shtrihej ndërmarrja bujqësore e Maliqit (ish këneta e Maliqit). Lamë pas Drithasin me ca godina të irnosura tipike njëkatëshe si një relike të kohës së shkuar dhe mbas pak arritëm te ura mbi lumin Devoll. Rruga e pa asfaltuar vazhdonte në Sheqeras e më tutje, por ne morëm në të majtë të urës në rrugën që shkonte në krah të lumit Devoll, ku digjeshin një grumbull i madh plehrash duke krijuar një re tymi gri të herrët…

    Mbas pak Olsi ndaloi makinën dukë më thënë: -“Ja ky është rezervati i Maliqit, ose Pylli i Fazanëve!”.

    Prezantimi ishte një godinë e shkatërruar…

    U futëm në brendësi të pyllit me drurë të lartë disa të rrëzuar, disa të prerë e një godinë tjetër e shkatërruar, mbasi ka qenë godina e administratës të rezervatit…

    Kaluam më tutje në këmbë në mes një rruge me drurë të lartë si bredha, akacie, plepa, shelgje e tek tuk ndonjë kumbull e egër me lulet e saj të bardha që paralajmëronte ardhjen e pranverës…

    Asnjë roje, as edhe një zog, pa le fazanë, kaproj… nuk të zinte syri gjëkundi…

    Pas vitit 1990 u vodh dhe u zhduk në mënyrë barbare i gjithë rrethimi i parkut me rrjetë teli. Ka 4-5 vjet që është lënë pas dore ky rezervat duke qenë në administrimin e administratës të Parkut të Bozdovecit, papërgjegjshmëria dhe indiferenca institucionale e drejtuesve nga administrohej ky rezervat, e kishte sjellë në këtë gjendje degraduese, “si mall pa zot”.

    Në këto momente m’u kujtua pylli i “Galicicës”  dhe “Molika”në Maqedoni, një rregull ligjor për tu admiruar…

    Le të venë të shohin dhe do t’i vrasë ndërgjegjja për masakrën që po i bëjmë pyjeve tona, mushkërive të qyteteve e fshatrave të qarkut të Korçës e më gjerë me prerjet e paligjshme dhe mos trajtimin e tyre profesional. Abuzimi dhe abuzuesit kanë emra, por gjemb në këmbë nuk u ka hyrë asnjëherë!?

    A mund të lihet kjo pasuri e paçmueshme kështu!? (Neglizhencë, papërgjegjshmëri, abuzim korruptiv, apo nepotizëm?)

    Në kthim me një “shije” të hidhur duke parë nga xhamat e makinës ujin e lumit Devoll që gjarpëronte anës rrugës, papritur ia filloi një shi i rrëmbyeshëm dhe Olsi i dha gaz makinës duke rritur shpejtësinë sa vajtëm tek ura mbi lumin Devoll. Shiu binte rrëmbyeshëm e turbullonte ujin e Devollit duke e bërë ngjyrë të verdhë dhe me Olsin shkëmbenim mendime, se si ky rezervat mund të bëhet një perlë turistike në gjithë stinët e vitit, jo vetëm për qarkun e Korçës, por edhe më gjerë.

    III-Ç’TREGON EKSPERIENCA HUNGAREZE

    -Një rast për t’u përmendur në Komunën Tishabaobola, e cila ngjason për nga vendosja në hapësirë dhe për nga kushtet klimatike tokësore, si dhe nga burimet zhvillimore me pjesën që i përket komunës të Libonikut dhe Vreshtasit, në qendrën e ish kënetës të Maliqit përgjatë lumit Devoll dhe parkut të Fazanëve. Komuna ishte vendosur në afërsi të lumit Tisha, afër një parku pyjor përgjatë dy anëve të lumit. Këtu resurset natyrore ishin kthyer në burime të ardhurash, punësimi të kësaj komune, nëpërmjet gjuetisë së peshkut, turizmit, pushues, gjuetisë, shfrytëzimit të bimëve natyrore dhe asaj të kultivuar në pyll në qendër të ish kënetës, e të tjera.

    “po përpunohet mendimi për të rikthyer një pjesë të ish qendrës së kënetës në gjendjen e mëparshme, pasi prodhimi që merrej nga këto toka ishte inrentabël (rendiment dhe cilësi të ulët). Ky rikompozim i kësaj pjese do të krijonte mundësinë në shtimin e shpendëve, peshkimit, kafshëve di dhe një sitem të plotë ndërlidhje, midis saj, pyllit e lumit…” (G.K korrik 2004).

    IV-REZERVATI I MALIQIT, OSE PYLLI I FAZANËVE, NJË RISI PËR RAJONIN E KORÇËS E MË GJERË

    Kërkesat bashkëkohore për ta bërë një qendër shumë dimensionale e një model i një parku evropian.

    -NJË PROJEKT  i cili të hartohet nga ekspertë pyjesh, biologë, inxhinierë pyjesh, si i mirënjohuri Thimaq Lako, Olsi Dumo, Piro Pojani e të tjerë, në bashkëpunim me ministritë përkatëse si ajo e  Mjedisit, e Bujqësisë, e Turizimit dhe interesimin e qeverisë “Rama” dhe institucionit të prefektit Z. Ardit Konomit e këshillit të qarkut Korçë do ta kthejë rezervatin e Maliqit, ose Pyllin e Fazanëve të dikurshëm në një qendër shumë dimesionale, duke e shpëtuar në radhë të parë nga degradimi dhe shkatërrimi, e duke u trajtuar shkencërisht e në bazë të kërkesave bashkëkohore do ta kthejë atë për vetë veçantinë e tij (ish këneta e Maliqit) në një qendër mjedisore bio ekstensive, turistike dhe një burim të ardhurash nga atraktiviteti i saj menaxhues bashkëkohor.

    Në radhë të parë duhet ndërprerë degradimi, prerjet e paligjshme, të nxirren përgjegjësit e një trajtimi të tillë të këtij rezervati, i trajtuar deri tani si “mall pa zot”… Të bëhet rrethimi me rrjeta teli dhe të rikrijohen kanalet kulles në pjesën veriore të rezervatit të cilat kanë dalë jashtë kontrollit…

    Mbjelljet e reja mos përsëritin gabimet e mëparshme, por të studiohet çfarë drurësh e bimësh i përshtaten kësaj zone trofike, duke patur parasysh shkurret dhe bimësinë endemike të zonës, ose të kultivuar si plepat kanadezë (përdoren në fabrikat e prodhimit të letrës).

    Projekti duhet të parashikojë një faunë të shumëllojshme që përputhet me faunën e rajonit të Korçës. Kjo faunë, mund të shumohet e të jetë e kontrolluar, po kështu dhe gjuetia të jetë e ligjshme e me kritere të caktuara, shumë interesant dhe funksional dhe i kërkuar do të ishte brenda rezervatit një park zoologjik të vizitueshëm nga fëmijë e të rritur, kënd lojërash për fëmijë, motele, restorante, kafe dhe në të ardhme rezervati të ishte me vetë financim, si një shembull, jo vetëm për qarkun e Korçës, por për gjithë Shqipërinë.

    Me krijimin e administratës të Parkut Kombëtar të Prespës “Rezervati i Maliqit”, ose “Pylli i fazanëve”, duhet të kalojë në vartësi të këtij parku, në mënyrë që ai të trajtohet shkencërisht dhe në mënyrë bashkëkohore e shumë dimensional, i frekuentueshëm, një pikë turistike e shkencore me vlera unikale, në korrelacion me Parkun Kombëtar të Prespës, duke shfrytëzuar eksperiencën e punën e çmuar që po bën në realizmin e projektit ndërkombëtar biosfera – baseni – Ohër – Prespë që drejtohet nga drejtori i përgjithshëm Wolfgang Fremuth, një njeri me një pasion të jashtëzakonshëm, një shkencëtar i vërtetë, me një korrektësi perfekte (ashtu siç janë gjermanët), që të ngjall një respekt të merituar, po ashtu dhe zv. Drejtori z. Thimaq Lako.

    Le të shpresojmë, por nuk mjafton vetëm kjo, duhet luftë pa kompromis për të arritur qëllimin, kundër skeptikëve, dhe të paaftëve, të cilët janë mësuar të peshkojnë në ujëra të turbullta…