Takimi me liderët e Ballkanit, Mogherini e prerë: Reformat, kusht për integrimin

519
Përfaqësuesja e Lartë për Çështjet e Jashtme, njëkohësisht zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini zhvilloi një takim jozyrtar me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar situatën në rajon dhe në veçanti për mundësitë për përparimin e rajonit drejt integrimit në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2018.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Denis Zvizdiç, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ai i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviç dhe kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç theksuan vendosmërinë e tyre të plotë për të vazhduar punën për procesin e integrimit drejt Bashkimit Evropian.
Siç u konfirmua qartësisht këtë vit, si nga Këshilli i Evropës në mars edhe nga presidenti Juncker në fjalimin e tij drejtuar Bashkimit Evropian në shtator, viti 2018 do të paraqesë një mundësi unike për rajonin për të bërë hapa të pakthyeshëm në rrugëtimin e tij drejt integrimit në BE, me kusht që t’u jepet prioritet reformave të nevojshme, në veçanti shtetit të së drejtës, reformës në drejtësi dhe të drejtave themelore të njeriut.
Me një dinamikë të ripërtërirë në politikat e zgjerimit të BE-së dhe mundësinë për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për rajonin, Mogherini nënvizoi nevojën që partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë për të përshpejtuar reformat për përmbushjen e pritshmërive të qytetarëve dhe marrjen e hapave konkrete drejt integrimit në BE.
Pjesëmarrësit theksuan vendosmërinë dhe interesin e tyre në forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në promovimin e mirëkuptimit mbarërajonal.
Në këtë kontekst, u fokusua rëndësia e vazhdimit të diskutimeve mes presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç për të bërë progres në lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Sigal