Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Aromë gruaje

    113
    – Mund të shkoni zotëri, dhoma 17! – i tha me një buzëqeshje lozonjare padronia, ajo grua topolake rreth të shtatëdhjetave, ngjyer në llak, manykyr dhe me një gjerdan të vjetër rreth qafës së trashës, plot rrudha. Dhe duke e ndjekur me sy, ajo i tregoi shkallët nga duhej të ngjitej. Ai nuk foli. U ngjit ngadalë, me çantën e tij në duar, duke vështruar përreth atë «shtëpi të gëzimit» siç e quanin, me një dekor të «Belle epoque». Ishte hera e parë që hynte në një shtëpi të tillë. Korridori ishte i gjatë dhe me një dritë të zbehtë ngjyrë rozë. Ai filloi të vështronte numurat me rradhë: 13, 14, 15… hapi i tij ecte ngadalë, si pa u ndjerë… dëgjoheshin pëshpëritje, diku tjetër fjalë të shkëputura, një e qeshur dhe një klithmë ekstaze. Tutje një derë u hap dhe u mbyll përsëri. Ja dhe numuri 17. Qëndroi një çast para saj në heshtje, pa folur, pa ditur ç’të bënte. Mbylli sytë. Meri e tij i dashur iu shfaq menjëherë me atë të qeshurën e saj të veçantë dhe gropëzat që i krijoheshin midis dy faqeve. E vështronte ëmbël dhe iu duk sikur po i thoshte: «Ku po shkon kështu, i dashur?» Por imazhi papritmas iu zhduk dhe ai e pa veten para asaj dere të heshtur, ku dëgjoi një lëvizje karrigeje. Pa arritur të trokiste, në hezitimin e çastit, ja ku dera u hap dhe fytyra e ëmbël e një gruaje 30 vjeçare u shfaq te porta gjithë mirësjellje.- Hyni zotëri! Si duket, padronia e kishte njoftuar atë që poshtë për ardhjen e klientit të ri.

    Ai hezitoi një çast dhe ajo e pikasi ndrojtjen e tij. E kapi për dore dhe e futi brenda: – E keni për herë të parë? – iu kthye ajo.Ai vetëm tundi kokën në shenjë pohimi.- Një «coca»? Ai e vështroi pa ditur ç’të thoshte. Por ajo i ishte afruar ndërkohë tavolinës, dhe hapi një shishe që ishte aty. Ai dëgjoi gurgullimën e lëngut që binte në gotë me një zhurmë monotone.- Ka filluar vapa! – tha ashtu kot ajo, sa për të filluar bisedën dhe për të larguar ndrojtjen e klientit, çka e pikasi menjëherë. U ul dhe filloi të zhvishte çorapet e gjata. Sytë e tyre u kryqëzuan. Dy të panjohur, të gjendur vetëm. Ajo u pëkul, i qeshi sërish, ëmbël. Pastaj u shtri duke hequr robdëshambrin, duke zbuluar trupin e saj të pulpët. Ai e pa shkarazi dhe u ul pranë saj pa ditur ç’të bënte, duke mos e lëshuar nga dora atë çantë apo qese të tij. – Si mund t’u thërres zotëri? Ai u habit nga kjo pyetje, u zu ngushtë, diçka mërmëriti saqë as vetë nuk e kuptoi atë çka tha. Vështrimet e tyre u kryqëzuan. – S’ka problem! – qeshi lehtë ajo dhe lëvizi një buton pranë krevatit. Menjëherë u dëgjua një muzikë klasike. Ishte një sonatë. Mozart? Hendel? Brahms? … Kushedi. Por ai nuk e pyeti se çfarë. Ajo mori një cigare dhe e ndezi. – Ju pëlqen? Ai tundi sërrish kokën në shenjë pohimi. Po, ishte një nga ato lloj muzike që dëgjonte Meri. Ishte ajo që e kishte futur dhe atë në botën e muzikës. Ishte Meri që e çonte në operat apo koncertet. I pëlqenin veçanërisht koncertet nën kubetë e kishave edhe pse nuk ishte fetare, aspak. Gruaja tashmë po e vështronte me kureshtje këtë njeri që kishte humbur në tingujt e asaj sonate. Kishte humbur i tëri. Kushedi në ç’botë. – Eja miku im, – e shkëputi pas pak zëri i saj dhe duke shtrirë dorën e tërhoqi atë drejt vetes, ngadalë, shumë butë, aq sa dhe vetë ai nuk e ndjeu këtë tërheqje. Ajo e kuptoi që kishte të bënte me një njeri të brishtë. Përse kishte ardhur? Çfarë i kishte ndodhur?… Ndonjë i sapo dalë nga spitali, burgu, një njeri i dëshpëruar në kulm? Ato tri vjet ajo kishte parë të vinin aty lloj-lloj burrash, nga të gjitha llojet, nga ata më të ëmblit deri te perversët, sharlatanët, ata që klithnin gjysmë të dehur, që kërkonin me çdo kusht t’i shkaktonin dhembje, gjumashë barkalucë që i zinte gjumi dhe duhej t’i nxirrje nga dhoma… apo të tjerë, ata që vinin fshehurazi, funksionarë të veshur me sqimë, pispillosur, flokët me llak dhe këpucë që u shkëlqenin, që nuk thonin asgjë, por veç sa kërkonin seksin, ekstazën. Ajo e pikasi ashtu të ndrojtur atë pesëdhjetë vjeçar, i cili iu duk si një çunak që po shkelte për herë të parë në shkallët e një bordelli. – Afrohu, – i pëshpëriti ëmbël ajo, duke dashur të zbulonte atë vështrim të tij të humbur. Nuk di pse i kujtoi veten e saj disa vite më parë dhe trishtin e asaj kohe, apo më mirë të atij dimri para se të hynte në një kabare të Pigalle dhe të shiste hiret e saj. Ajo zgjati krahun dhe e tërhoqi lehtë, drejt vetes. – Mos keni ndroje… ne jemi vetëm… nuk ke dëshirë? Do kaloni një orë të këndshme, pse jo… kjo jetë kështu është… është shkruar kështu… s’kemi ç’bëjmë… nuk mund të luftojmë kundër fatit. Mos e vrisni mendjen… bota… – por ajo nuk arriti ta vazhdonte frazën gjer në fund. Ishte një tiradë e gjatë, me një intonacion që binte vazhdimisht, ulej ngadalë, gjersa u shua. Ai e pa dhe përsëri nuk foli. Ajo pikasi një lloj dhembje të madhe në sytë e tij. Diçka e madhe dukej se e mundonte. Çfarë?… – Keni kohë që s’keni shkuar me një grua? Kjo pyetje atë sikur e zgjoi. – Po! – pëshpëriti ai… – kam kohë… shumë kohë. – Eja, – shtoi ajo dhe i ngjeshi kokën në gjinjtë e saj. Pikërisht atëherë ai ndjeu atë butësi mishi që kishte kohë që nuk e kishte ndjerë… gjinjtë… Donte të thoshte diçka, mërmëriti, po asnjë fjalë nuk u kuptua.

    – Fol mik i dashur… çfarë të mundon? – i tha ëmbël ajo, me dëshirën tashmë jo të bënte seks si me të gjithë klientët e tjerë, me të cilët donte të mbaronte një orë e më parë, por me kureshtjen për të zbuluar atë njeri. Por ndërkohë ai e ndërpreu në refleksionin e saj. – Dua të vishni një këmishë!

    – Ah, – qeshi ajo… kollaj… pse nuk më thatë më parë? – dhe ajo u ngrit për të kërkuar robdëshambrin pranë krevatit, por ai e ndërpreu duke zgjatur dorën. – Jo… e kam këtu… e kam sjellë me vete! – Çfarë? – Këmishën! Ajo shtangu. Ja, burri me një këmishë fshehur në një çantë… Ndërkohë ai hapi çantën dhe nxorri një këmishë në ngjyrë rubini… i mori erë. – Mos ma vini re. Eshtë e gruas sime… doja ta vishnit… kam nevojë… nevojë për aromën e trupit të saj. .. ajo nuk është më. Ajo e vështroi në sy me kurreshtje. Por tjetri përballë i kishte folur me një zë të ëmbël, të mjerë, si një lutje që i dilte nga shpirti. Ai i zgjati këmishën. – Ju lutem!… – shtoi ai duke parë hezitimin e saj. Tashmë, në duar, ajo kishte atë këmishë që i rrëshkiste nëpër gishtërinjtë e saj të gjatë. Mëndafsh ngjyrë rubini. E shpalosi ngadalë dhe brenda një sekonde imagjinoi atë trup elegant gruaje që e kishte veshur atë. Pastaj përkuli qafën e hollë dhe e veshi. Një sensacion të çuditshëm ndjeu në trup. Imagjinoi atë trup të ngrohtë që ishte pështjellur në të dhe që tashmë nuk ekzistonte më, atë trup që ishte tretur dhe ishte kthyer në hi, dhé, baltë. Oh! – gulçoi shpirti i saj. E megjithatë, nën dritën blu, në fund të dhomës, ajo këmishë i jepte tashmë një lloj magjie atij trupi të derdhur… një trup i bukur, një këmishë mëndafshi dhe ja, në sfond, dëgjohej Brahms… Ai po e shikonte ashtu në gjysmë-errësirë dhe vështrimi i tij u ndez. S’dihet çfarë ndjesie apo imazhi e pushtoi. Me siguri ajo, – mendoi vajza. Kishte një lloj ngazëllimi në sytë e tij. Sy që çuditërisht morën tjetër ngjyrë, tjetër jetë. Ai iu afrua ngadalë dhe i preku supet. Afroi buzët dhe puthi këmishën si të kishte një fuqi manjetike, magjepse. Puthi qafën e saj. Ndjeu aromën e këmishës, e asaj cohe që prej shumë kohësh kishte mbetur brenda një sirtari, e paprekur, në errësirë. Pastaj zgjati duart, të cilat rrëshqitën në cohën e mëndafshtë. Përkuli kokën dhe e pështeti në gjinjtë e saj. I mori erë sërrish.

    Çuditërisht, kjo gjendje e habitshme që nuk i kishte ndodhur kurrë, po e ngazëllente dhe vetë atë grua. Dëshira e burrit përballë po zgjohej. Sytë e tij kishin tjetër dritë. Ai e tërhoqi pas vetes dhe ranë në shtrat. Dhe ai vazhdoi të rrëshqiste duart mbi trupin e saj, ta shtrëngonte, ta ngjiste pas vetes, të puthte mëndafshin, duke kërkuar ashtu si gjithnjë, në gjithë ato vite të shkuara, gojën e lagësht të saj. Dhe e gjeti, e thithi, e kafshoi në dehje, duke belbëzuar fjalë të pakuptuara si të ishin fjalë ëngjëjsh. – Eda… Eda…. – pëshpëriste ai, duke udhëtuar mbi trupin e saj. Koha kishte ndaluar ose më mirë ishte kthyer mbrapsht, kishte rilindur. Gojë e lëngësht. Akrepat ishin rrotulluar në të kundërtën e tyre për të rikthyer gjendje, puthje, dehje, vetë ekstazën e dikurshme me gruan e tij. Dhe ai humbi në të. Çuditërisht si asnjëherë tjetër edhe ajo e panjohur kishte humbur në të. Vallë shpirti i këtij njeriu e kishte bërë të kuptonte se ç’ishte një dashuri… e vërtetë, e plotë, e patjetërsueshme?… Ç’po ndodhte kështu? Ishte tjetër kohë, tjetër botë… Sa kohë kishin kaluar? Nuk ishte në gjendje ta kuptonte. E ç’vlerë kishte koha? Koha me një të panjohur të shfaqur rastësisht si në një libër të shenjtë, këtu, në këtë “shtëpi gëzimi”, ku kishte veçse seks dhe ku ndjenjat e dashurisë nuk ekzistonin? Kur ajo u ngrit të hapte dritën, ai i pëshpëriti me zë të ulët: – Ju lutem mos e hap! Ajo e vështroi gjatë në këmbë të krevatit. Ndjeu dhimbje. Iu afrua, e puthi. – Edhe ju keni një aromë të ëmbël! – pëshpëriti ai. Ajo ngriti këmishën, e hoqi ngadalë, duke menduar përsër një çast gruan tjetër, atë, të panjohurën, e cila nuk ekzistonte më. Zbuloi sërrish trupin e saj lakuriq. Por ai nuk po e shikonte, ai shikonte diku tjetër, nga bota tjetër. Dhe papritur mbuloi fytyrën me duar dhe filloi të gulçojë, nën zë. Qante!… I erdhi keq për të. Bëri një hap, dhe një tjetër, qëndroi para tij dhe afroi kokën e tij në trupin e saj. Ai ngriti sytë. Vështrimet e kryqëzuan. Ajo e kuptoi. – Ka kohë? Ai tundi kokën. Në shenjë pohimi. – Kishte një kancer… nuk donte të ikte. Ishte herët. Por s’mundi, edhe pse luftoi shumë. Një betejë e humbur që në fillim… Erdhën dhe e morën një ditë maji… ishim të lumtur, dhe ja unë mbeta me hijen e saj. Unë ende jetoj me të… si mund të filloj një tjetër jetë, thuamë?! Ajo e la te fliste, gjatë… Kishte zë të ëmbël apo ashtu iu duk asaj. I erdhi keq. Zgjati gishtërinjtë dhe preku faqet e lagura të tij. Lotë të nxehtë. Sy që flisnin, që tregonin edhe pse nuk flisnin. Ishte një dialog mistik, i errët, por që të dy e kuptonin. Ishte ikja në botën tjetër dhe vetmia e madhe. Ajo u çudit kur ai u ngrit papritur dhe doli menjëherë duke e puthur shkarazi, madje pa i lënë një lamtumirë për ato çaste që kishin kaluar bashkë. Madje dhe kur shkoi te dera nuk e ktheu kokën. – Kaq shpejt? … Përse ?… – pëshpëriti ajo dhe e ndjeu se fjala e saj u end në ajër dhe qëndroi pezull, ndoshta për të mos zbritur kurrë. Por ndërkohë dera u mbyll. Brahms vazhdonte tutje në gjysmë-errësirë. Ajo qëndroi një çast e ngrirë dhe pështolli vetveten me krahët e xhveshur të saj. Ai njeri e kishte tronditur, i kishte lëvizur paksa zemrën, i kishte ndryshuar shijen e gojës, duke i lënë një shije plumbi dhe mjalti bashkë, e kishin topitur, kishte bërë që të humbte fuqinë për të lëvizur… Mori frymë thellë dhe e lëshoi veten përsëri në shtrat të humbiste për pak çaste. Por papritur gishtërinjtë e saj prekën atë gjë të mëndafshtë, çka e bëri të drithërohej përsëri. – Ah, këmisha!… Këmisha!… – pëshpëriti papritur ajo.

    Ai kishte harruar rubinin e tij. E mblodhi në dorë e pështolli nëpër duar. Papritmas e kapi dëshira ta kapte shpejt atë njeri që sapo kishte dalë nga dhoma e tsaj… ndoshta e kishte harruar nga hutimi i madh, ndoshta e kishte lenë enkas për t’u ndarë përfundimisht nga ajo… ndoshta. Ajo u vesh menjëherë, përplasi derën dhe zbriti gati me vrap shkallët. – Për ku kështu Denise? – e pyeti e habitur patronia. – Ja, do kthehem, – arriti të shprehej ajo dhe doli si furtunë nga porta e madhe, duke lenë pas figurën e shtangur të padrones që ende s’po kuptonte gjë. Ajo rendi gjer në fund të rrugës me shpresë se mund ta gjente, ta kapte, ta arrinte dhe t’i kthente atë diçka të shtrenjtë të lënë aty pas një trallisje të madhe. Dihaste. Flokët e gjata i tundeshin në erë. “Ku vallë të kishte shkuar?” – pyeste veten ajo duke shqyer sytë, ku? Makinat kalonin me shpejtësi. Vraponin dhe shfrynin me zhurmë, si kuaj, hingëllinin. Ajo vështroi në të majtë, pastaj në të djathtë, më pas tutje trotuarit përballë, por askund nuk po e shihte siluetën e tij. Njeriu ishte zhdukur si me magji. Nuk i dinte as emrin. I kishte ardhur turp ta pyeste në fund… Ai diçka i kishte pëshpëritur por ajo nuk e kishte kuptuar vërtet… ishin në shtrat. Ja, tani ajo kishte mbetur aty e lëshuar, në mes të trotuarit, me atë këmishë në duar si të ishte pjesë e një flamuri, ngjyrë rubini. Kishte dëshirë t’ia kthente. Këmisha e një gruaje tjetër. Këmishë gruaje, e dikujt që kishte ikur nga kjo botë dhe nuk ishte kthyer më. Ajo ndjeu mëndafshin nëpër duar dhe mendoi me vete: kushedi sa puthje, mijra puthje duhet të kenë lënë gjurmë në këtë këmishë. Dhe menjëherë iu shfaq ai njeri që e puthte aq shumë atë këmishë si një i çmendur… trupin e saj të veshur me këmishën e tjetrës. Në grushtin e saj ajo këmishë e bënte tashmë të drithërohej, sepse aty ishte trupi i një gruaje që nuk kishte mundur ta përjetonte plotësisht dashurinë. I dukej se diçka vibronte në të. Një shpirt?… Diçka prej mishi e gjaku, edhe pse trupi ishte zhdukur, ishte larguar si një hije, duke e lënë pas atë cohë si dëshmi e një dashurie që ishte djegur aq shumë…

    Dhe ashtu, me atë cohë njerëzore në dorë, ajo nisi të kthehej duke ecur pa nxitim, duke e lëshuar veten që të ecte vetë, me hap, madje me një hap që mbetej një çast pezull, në hapësirë, sikur të mos donte të bënte përpara, të kthehej drejt asaj “shtëpie të gëzimit”… Ecte, me dëshirën për të takuar atë të panjohur, për t’ia kthyer sërish me dëshirën që të mund ta mbante akoma dhe një çast atë njeri të panjohur në krahët e saj…