Suplementi Pena Shqiptare/ Asdreni, Personalitet i njohur i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

1353
Aleksandër Stavre Drenova apo Asdreni lindi më 11 prill 1872 në Drenovë të Korçës, Shqipëri; vdiq më 1947 në Bukuresht, Rumani. Ka qenë një poet, publicist, patriot shqiptar. Është autori i Himnit të Flamurit. I mbetur jetim u detyrua të braktiste shkollën e mesme dhe të mërgonte në Rumani më 1889. Bëri punë të ndryshme dhe kaloi një jetë me vështirësi. Mori pjesë gjallërisht në përpjekjet e kolonisë së shqiptarëve të Bukureshtit në luftën për çlirimin kombëtar dhe u shqua si veprimtar i saj. Nisi të shkruante poezi dhe publicistikë nga fillimi i shek. XX i frymëzuar nga poeti i madh Naim, Frashëri. Në krijimet e para poetike, të cilat i përmblodhi në librin “Rreze dielli” (1904), Asdreni vijoi traditat e poezisë së rilindase, lartësoi dashurinë për atdheun, nxiti bashkatdhetarët të rreshtoheshin në luftën për çlirim nga zgjedha turke. Vepra më e rëndësishme e Asdrenit, “Ëndrra e lotë” (1912) shquhet për pasurinë e motiveve, frymën demokratike dhe nivelin e denjë artistik. Në krijimet e këtij vëllimi poeti demaskoi ashpër pushtuesit e huaj, i këndoi heroizmit të masave popullore në kryengritjet e armatosura të viteve 1911-1912, fshikulloi parinë frikacake dhe oportuniste, e cila iu shmang detyrës ndaj atdheut («Zëri i kryengritësve», «Krerëve tradhëtorë», «Çpërblimi»). Te ky vëllim u përcaktuan tiparet themelore të krijimtarisë së Asdrenit: fryma luftarake, karakteri demokratik, interesimi për problemet shoqërore, notat e ligjërimit të gjallë. Ajo shënoi një hap në kalimin nga romantizmi te realizmi në letërsinë shqiptare. Në krijimtarinë e Asdrenit, motivi i luftës për çlirim kombëtar u ndërthur me idenë e luftës shoqërore, në shumë vjersha gjeti pasqyrim pakënaqësia e njeriut të thjeshtë ndaj shoqërisë borgjeze të kohës, është gjithashtu autor i Himnit të Flamurit, një himn kombëtar për të gjithë shqiptarët. Ngjarja që pasoi, shembja e shtetit të lirë kombëtar shkaktuan tek poeti një dëshpërim të thellë, që u shpreh në krijimet e periudhës 1914-1920 («Shqipëria më 1914» etj.). Në gjysmën e parë të vitit ’20, nën ndikimin e lëvizjes demokratike, poezia e Asdrenit përjeton një hov të ri. Në një sërë veprash të kësaj kohe poeti shprehu aspiratat e masave popullore për drejtësi shoqërore. Në heroin e poemës “Burri i dheut” (1920), Asdreni mishëroi përfaqësuesin e vegjëlisë që derdhi gjakun më 1920 për dëbimin e pushtuesve italianë dhe për një të ardhme më të mirë. Në këtë periudhë poeti shkroi një radhë vjershash të rëndësishme. si «Hymni i festës», «Fisnikët e Shqipërisë», «Republika shqiptare», në të cilat demaskoi forcat e vjetra shoqërore dhe antipatriotike, që përvetësuan frytet e sakrificave të masave popullore në luftën për çlirim dhe nisën të sundojnë vendin sipas interesave të tyre. Dështimi i Revolucionit Demokratikoborgjez të qershorit 1924 e forcoi frymën e pesimizmit dhe të fatalizmit në krijimtarinë e Asdrenit (Psallme murgu, 1930, dhe një varg krijimesh poetike të viteve 30). Ku shpaloset arti i tij dhe tendencat moderniste, të cilat e ngritën nivelin poetik të krijimeve të tij.: në poemën «Trashëgimi» (1935) kritikoi qeverinë për krizën ekonomike, e cila në atë kohë kishte përfshirë thuajse mbarë rruzullin. Vëllimin e vet të katërt “Kambana e Krujës” nuk e botoi dot me gjallje. Në vjershat e viteve të fundit të jetës përshëndeti ngadhënjimin e revolucionit popullor në Shqipëri.

Jeta
Sonet
Si prej druvarit pylli poshtë kur bie,
Apo me kazmën dërmën i ve shtëpisë,
Ashtu dhe sot, çdo zot i një mbretërie
Ka zënë rrugën krejt të marrëzisë.
Me këmbë shkelen ligje shoqërie
Sikur ka rënë urgjia e Perëndisë,
Ndër ta më s’mbet as pikë dashurie,
Që ngrihen mbi kurriz të njerëzisë.
Gjakderdhësit më dysh sot janë ndarë,
Dje putheshin si miq të vërtetë,
Sot u përleshën krejt mu si barbarë.
Që tejmatanë bota mbet e shkretë,
Ata mbi frona po tallen si të marrë,
Kur jashtë po shkrihet kot një e bukur jetë.

1914
Dituria
Sonet
Ku jini ju, o mjeshtrit e dëgjuar,
Shkëlqim me veprat botës ju që i dhatë,
Ju filozofër mendjes gjë që s’latë,
Ku janë ato që i shkuat nëpër duar?
Politikanë e diplomat’ të shquar
Si mendjemprehtë kokë e tru që vratë,
Këshilla që përndanit ditë e natë
Dhe predikonit paqen pa pushuar?
Qysh, fjal’ apo me bisht gënjeshtra ishin,
Me dorën tuaj gjithë ato që shkruat,
A lodra qenë që ta prishin?
O mjer, ata që mendjes suaj merren,
Ju veprat në varreza sot i ndrruat;
Se mbi vëllimet njerëzit po theren!…
1916

Sigal