Statusi për në BE përballë personave me aftësi të kufizuar

    373
    Sigal


    Invalidët probleme me KEMP, me barnat e rimbursueshme, trajtimin e sëmundjeve profesionale dhe ekzaminimet shëndetësore

    Në qershor Shqipëria kërkon të marrë statusin, por a janë plotësuar rekomandimet e KE-së për njerëzit në nevojë, ku njëra nga pikat më elementare, kur hartohen projektligje që prekin drejtpërsëdrejti këtë shtresë, është përfshirja dhe marrja e mendimeve të grupeve të interesit? Mesa dimë ne, në bazë të informacioneve tona, përfshirja e tyre (PAK) në hartime e diskutime nuk realizohet fare. Ndërkohë që mendojmë se kemi të bëjmë me një shtet social, që punon e vepron në përmirësimin e gjendjes sociale të këtyre njerëzve. Por edhe pse reklamohen politika dhe projekte në ndihmë të shtresave në nevojë, apo personave me aftësi të kufizuar, është pikërisht kjo kategori njerëzish, e cila nuk e ndjen si duhet dhe ku duhet “dorën” e shtetit.

     Lista e barnave të rimbursueshme

     Në 1 prill hyri në fuqi lista e barnave të rimbursueshme dhe është pikërisht popullata në nevojë që duhet të përfitojë nga kjo listë, e cila përfshin 56 barna të reja, ndër të cilat, sipas ISKSH-së ka edhe për shëndetin mendor. Por personat me aftësi të kufizuar shprehen se barnat që janë efektive dhe sigurisht pak më të shtrenjta, nuk përfshihen në barnat e rimbursueshme, kryesisht ato që trajtojnë depresionin. Por alternativat që rimbursohen nuk janë efektive dhe ky përbën një nga shqetësimet më të mëdha të personave me aftësi të kufizuar, përsa i përket shëndetit të tyre. Duhet që ISKSH, nëse të sëmurët kërkojnë të marrin barna që janë më efektive dhe të shtrenjta, t’i rimbursojë të paktën çmimin e atyre alternativave që janë në listë.

     Sorollatjet e PAK për ekzaminimet shëndetësore

    Një nga problemet që ka të bëjë sërish me shëndetësinë, është dhe sorollatja e tyre për trë bërë ekzaminimet e nevojshme për përfitimin e pagesës së paaftësisë. Shpeshherë spitalet rajonale nuk i kanë kapacitetet për të bërë ekzaminimet e ndryshme dhe i nisin personat me aftësi të kufizuar drejt Tiranës. Mendoni kostot e dikujt që duhet të vijnë në Tiranë nga Korça ose Vlora…

     Pavioni i sëmundjeve profesionale

    Ajo çka paraqet problem me invalidët e punës është dhe mbyllja e pavionit të sëmundjeve profesionale që prej viti 2006, pasi të sëmurë të tillë duhet të kenë një trajtim specifik dhe nuk mund të përzihen me të sëmurë të pavioneve të tjera të shëndetësisë, qoftë edhe për etikë. Një nga premtimet elektorale të qeverisë së sotme ishte pikërisht hapja e këtij pavioni, ndërkohë që edhe pse po propagandohen arritje, suksese dhe projekte në shëndetësi, për këtë pavion asgjë deri më sot. Qeveria “Rama” mbështet fort, edhe me politika fiskale, biznesin fason si një nga punëdhënëset më të mëdha, por a kontrollohen këto biznese për kushtet teknike apo ato higjieno-sanitare? Biznese të tilla, apo dhe minierat, ku punohet mes pluhurit dhe helmeve, në rastet e papërgjegjshmërisë së institucioneve shtetërore dhe të kontrollit, janë burime të sëmundjes së silikozës (sëmundje profesionale), duke shtuar në këtë mënyrë të sëmurët me sëmundje profesionale, të cilët më parë dilnin në pension që në moshën 50 vjeç. Shtimi i të sëmurëve profesionalë është një barrë e rëndë për shtetin shqiptar, pasi “është më lirë të parandalosh se të kurosh”. Kthimi i këtij kontingjenti në invalidë pune është në dëm të shëndetit të qytetarëve shqiptarë, por edhe të buxhetit të shtetit.

     Problemet me KEMP

    Siç pohojnë edhe vetë personat me aftësi të kufizuar, edhe pse të sëmurë, ka raste që nuk merren seriozisht nga KEMP për të vlerësuar gjendjen reale të personit, qoftë shëndetësore, ashtu dhe sociale. Ndërsa na duhet të përmendim këtu se në disa rrethe nuk funksionon fare KEMP, qoftë për mungesë personeli, apo për pengesa politike siç shprehen dhe vetë invalidët. Kështu në Elbasan ka ka më shumë se dy muaj që nuk funksionon KEMP. Por mosdalja në KEMP e personave me aftësi të kufizuar rëndon jetën shëndetësore dhe sociale të tyre. Mosmarrja e ndihmës sociale dhe pagesës së aftësisë së kufizuar krijon probleme sociale deri dhe konflikte familjare. Pa pretenduar se mjekët e KEMP në rastet e rënda duhet të shkojnë vetë te pacientët për t’i vizituar, por a realizohet kjo? Sipas personave me aftësi të kufizuar në raste të tilla të rënda familjarëve të tyre u duhet që të paguajnë taksi dhe të shkojnë përballë KEMP. Si mund t’i kërkosh pagesa pastaj kësaj kategorie, si të energjisë, ujit, etj., kur nga ana tjetër, për papërgjegjshmëri të institucioneve që nuk kryejnë punën e tyre shteti nuk kryen shërbimet e detyruara për këta persona?