Sindikatat letër Ramës për bashkëpunim para dhe pas elektoral

    420
    Sigal

    Ja 23 pikat që Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i propozon PS-së për mbështetje

    Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë me në krye z. Kol Nikollaj i ka drejtuar Partisë Socialiste, si partia më e madhe opozitare dhe që udhëheq koalicionin opozitar një letër të hapur publike për të nënshkruar një “Memorandum mirëkuptimi para dhe pas elektoral”, nëpërmjet të cilit sindikalistët kërkojnë nga Partia Socialiste që ajo të përfshijë në programin e saj kërkesat e Sindikatave që sot ato janë në kuadër të premtimeve elektorale, por që nesër të jenë detyrime konkrete për t’u zbatuar. Për sa më sipër KSSH-ja kërkon kryesisht nga PS-ja:

    1.PS duhet të hap një rrugë të re, duke krijuar një model të ri ekonomik dhe për të ofruar një projekt social kombëtar, nëpërmjet një konsensusi të madh shoqëror.

    2. PS pas 23 Qershorit të vlerësojë bashkëpunimin me të gjithë partnerët social duke bërë të mundur garantimin e një paqeje sociale me synim përmirësimin e jetesës së punonjësve dhe eliminimin e konflikteve dhe ndeshjeve sociale.

    3. PS duhet të nxisë dhe të zhvillojë një dialog dypalësh dhe tripalësh në të gjithë sektorët e ekonomisë me synim arritjen e një konsensusi social të shoqërisë, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjes mes palëve (Qeveri–Sindikata–Punëdhënës)

    4. Në bashkëpunim me Sindikatat, Partia Socialiste duhet të synojë dhe të ofrojë mundësi punësimi për të gjithë individët e aftë për punë.

    5. Kryeministri Edi Rama duhet të takohet institucionalisht dhe perdiodikisht minimalisht dy herë në vit me lidershipin sindikal, për të diskutuar dhe bashkëvendosur për situatën ekomomike dhe sociale të vendit.

    6. PS duhet të realizojë një funksionim efektiv të Këshillit Kombëtar të Punës duke e rikompozuar atë në lidhje me realitetin dhe dinamikën shqiptare të përfaqësimit real sindikal dhe duke e kthyer atë në një Këshill Ekonomik dhe Social në përputhje me standardet e BE-së

    7. PS duhet të punojë në mënyrë urgjente që në 6 muajt e parë të mandatit të saj, të përafrohet Legjislacioni i Punës me standardet euopiane, duke miratuar ndryshimet e nisura në Kodin e Punës, Gjykatën Administrative, etj..

    8. PS duhet që në konsultim me sindikatat në vitin e parë të mandatit të miratojë të gjithë aktet ligjore dhe nënligjore në zbatim të ligjit për “Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”.

    9. PS merr përsipër që të riorganizojë dhe të riorientojë një formim dhe arsim profesional në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

    10. PS duhet ta vlerësojë punën dhe t’i japi asaj dinjitetin e duhur duke bërë të mundur zbatimin e politikave ekonomike që krijojnë vende pune direkt, të mirë paguara dhe të denja për çdo punonjës.

    11. PS duhet të përcaktojë minimumin jetik në bashkëpunim më Sindikatat dhe aktorë të tjerë të interesuar, ta publikojë atë zyrtarisht dhe mbi bazën e këtij minimumi duhet të përllogarisë dhe të garantojë pagën minimale.

    12. PS në çdo vit, duhet të bëjë rritjen vjetore të pagave e pensioneve, sidomos në sektorin publik, me prioritet arsimin, shëndetësinë dhe policinë.

    13. PS duhet të angazhohet që nëpërmjet një konsensusi shoqëror dhe politik urgjent të kryejë reformimin e sistemit të sigurimeve shoqërore duke mos rritur më tej moshën e daljes në pension.

    14. PS duhet që të miratojë ligjin për “Statusin e Moshës së tretë” brenda vitit të parë të qeverisjes.

    15. PS merr përsipër që në kuadër të reformimit të pensioneve të krijojë mundësinë për një trajtim të veçantë me një pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm për të gjithë punonjësit e sektorëve industrial të profesioneve të vështira si: në miniera, metalurgji, naftë, peshkim etj.

    16. PS duhet të diskutojë me sindikatat për çështjen ambientale.

     17. PS duhet të angazhohet për hartimin dhe zbatimin urgjent të një “Pakete Antikrizë”.

    18. PS duhet të angazhohet që të ketë konsultime me sindikatat dhe me aktorë të tjerë potencial të shoqërisë për projekt-buxhetin e çdo viti.

    19. PS duhet të marrë përsipër kryerjen e reformës të decentralizimit dhe riorganizimit të pushtetit vendor.

    20. PS duhet që të intensifikojë dhe instuticionalizojë bashkëpunimin me Sindikatat dhe Organizatat e Punëdhënësve që nëpërmjet shkëmbimit të informacionit dhe konsultimit.

    21. PS duhet të vendosi një drejtësi sociale për të gjithë nëpërmjet politikave fiskale fleksible.

    22. PS duhet të rishikojë procedurat tenderuese dhe koncensionare duke mbështetur ata investitorë që kryejnë investime serioze dhe që garantojnë vende pune të sigurta për punëtorët.

    23. PS një herë e përgjithmonë do t’i japi fund militantizmit politik në sistemin arsimor dhe atë shëndetësor dhe në Administratën publike, Drejtorinë e Shërbimit të Burgjeve etj..