Simon Miraka: “Kategoritë që do të përfitojnë dëmshpërblimin me ndryshim të Këshillit të Ministrave”

    410
    Sigal

    Ndryshime që janë bërë me vendim të Këshillit të Ministrave për të përndjekurit

    Para pak ditësh qeveria miratoi një vendim në mbledhjen e qeverise, i cili i hapi rrugë disa kategorive për të marrë dëmshpërblim, të cilat nuk ishin përfshirë për disa arsye në lista. Këto ndryshime janë bërë me vendim të Këshillit të Ministrave. Konkretisht këto vendime kanë të bëjnë me njohjen e disa vendimeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me disa kategori që nuk kanë marrë masën e dëmshpërblimit deri më tani. Dhe me vendimin e miratuar nga qeveria pak ditë më parë do të përfitojnë dëmshpërblim një numër i konsiderueshëm dosjesh. Në lidhje me vendimin e miratuar ka folur për “Telegraf”, Kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka. Sipas tij, këto ndryshime janë të rëndësishme dhe do të shpërblehen rreth 2 mijë dosje për kategoritë përkatëse që janë përfshirë në vendim. “Këto ndryshime kanë të bëjnë me njohjen e vendimeve të gjyqeve që janë bërë pas vitit 1990 për të pushkatuarit pa gjyq”, theksoi zoti Miraka. Po ashtu në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave janë njohur edhe vendimet e komisionit trepalësh. Në lidhje me këtë zoti Miraka u shpreh se: “Po ashtu do të njihen edhe vendimet e komisionit trepalësh që janë lëshuar nga arkiva e ministrisë së Brendshme”.

    Projektligji që nuk u miratua nga Parlamenti

    Projektligji i përgatitur nga të përndjekurit politikë nuk ka kaluar ende në parlament. Ky projektligj që ka të bëjë me disa çështje të rëndësishme për të përndjekurit politik ka kaluar në komisionin e ligjeve në majin e viti të kaluar, por ende nuk ka kaluar në parlament. Kreu i Institutit të Përndjekurve Politikë, Simon Miraka është shprehur se, ky projektligj ka kaluar në komisionin e ligjeve që në majin e vitit 2012, me disa ndryshime në favor të ish të përndjekurve. Ai është shprehur në lidhje më projektligjin se: “projektligj është kaluar në komisionin e ligjeve dhe unë nuk arrij që ta kuptoj se cila është arsyeja e vonës për tu miratuar në parlament. Shpjegimi im është që në komisionin e ligjeve është kërkuar që 85 -vjeçarët të merrnin tërë shumën e parave që u kishte mbetur nga kësti i parë. Ndërsa pjesa e Partisë Socialiste në komisionin e ligjeve kërkoi që mosha të ulej në 75 vjeç për burrat dhe në 70 vjeç për gratë. Duke qenë se buxheti ishte hartuar për 85- vjeçarët, atëherë mendoj që kjo e krijoi këtë kolaps që ende nuk ka kaluar në parlament. Ky është shpjegimi im që është tregon arsyet e vonesës së miratimit nga Parlamenti”.

    Pikat më kryesore për të përndjekurit

    -Pikat më kryesore janë ato që kanë të bëjnë me rastet që nuk u janë pranuar dokumentet për dëmshpërblim personave që nuk kanë aplikuar brenda afatit të caktuar kohor, për arsye se kanë qenë jashtë Shqipërisë, apo dhe personat që kanë probleme me shëndetin. Afati i aplikimit ka qenë nga data 18 dhjetori e vitit 2007 deri në 1 korrik të 2009-s. Në arshivën e Ministrisë së Drejtësisë janë afërsisht 2000 dosje apo më pak që janë jashtë afatit dhe ne në këtë projektligj që kemi përgatitur kemi kërkuar që të pranohen këto dosje. Një pikë pra është shqyrtimi i dosjeve jashtë afatit kohor. Një pikë tjetër ka të bëjë më rastet kur veprimet e disa të burgosurve politikë janë quajtur veprime terroriste. Është një absurditet dhe kjo kategori ka mbetur jashtë dëmshpërblimit, ose u janë zbritur disa vite burgu. Në këtë projektligj veprat e tyre quhen vepra politike dhe ato që kanë mbetur pa marrë dëmshpërblim do të marrin. Një pikë tjetër është njohja e komisionit trepalësh për vërtetimet e internimit apo pushkatimit pa gjyq etj. pikë tjetër është edhe kategoria e fëmijëve të birësuar që kanë mbetur jashtë dëmshpërblimit dhe në këtë projektligj është parashikuar që ato të marrin dëmshpërblim.