Ministri Olldashi: Lista e PS, “bordero” e Koço Kokëdhimës

618
Sigal

 Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, i cili kryeson edhe listën e kandidatëve për deputet të Partisë Demokratike për Qarkun e Fierit, po njihet çdo ditë me problemet që ka ky qark dhe po u qëndron afër banorëve për shqetësimet që kanë. Ndërkohë ministri ka komentuar ditën e djeshme edhe listën e deputetëve të miratuar nga kreu i opozitës,  Rama. Ministri Olldashi, i cili do të kandidojë në Qarkun e Fierit,  e ka cilësuar listën e PS-së si “bordero” të Koço Kokëdhimës. “Në 2003 unë drejtova një komision hetimor dhe konstatova se të gjithë tenderët e Bashkisë së Tiranës atëkohë, madje edhe katër objekte në një tender, i merrte Koço Kokëdhima. E njëjta gjë kishte ndodhur në Ministrinë e Kulturës, përsa kohë këtë ministri e drejtoi Edi Rama, më pas në zgjedhjet e 2005, 2007, 2009 dhe 2011 ne nxorëm fakte që të bënin të mendoje se jo Edi Rama, por Koço Kokëdhima ishte kryetari i vërtetë i asaj që nuk është më Partia Socialiste, por partia e Kokëdhimës”. Sipas ministrit sot, edhe socialistët po binden që ne kemi pasur të drejtë në akuzat tona. “Lista që ka publikuar PS, nuk është listë socialistësh, por bordero e Koço Kokëdhimës, patronit të vërtetë të asaj çka është katandisur Partia Socialiste. Nëse ka ende ndonjë që nuk beson, le t’i hedh një sy listës së kandidatëve për deputetë në Vlorë dhe në Fier”, është shprehur Olldashi. Ndërsa në vijimësi të projekteve për rikonstruksionin e rrugëve dhe ndërtimin e tyre, Olldashi ka komentuar edhe mbikalimin e trenit në by-pass-in e Shkozetit në Durrës. “Projekti parashikonte ndërprerjen tre muaj të hekurudhës Tiranë-Durrës, por inxhinierët tanë e modifikuan në mënyrë që na lejon edhe të vazhdojmë ndërtimin e by-pass-it, edhe funksionimin normal të hekurudhës”,- tha ministri Olldashi.