Shlyerja e borxhit të energjisë, invalidët: Po diskriminohemi! Kryeministri “ha” fjalën e dhënë

    408
    Sigal

    OSHEE kërkon nga invalidët 2500 lekë në muaj për debinë e energjisë, jo 1 000 lekë siç është deklaruar. Në debi, edhe taksa e televizionit

    OSHEE diskriminon personat me aftësi të kufizuar duke ia llogaritur vlerën e këstit mujor për shlyerjen e borxhit me 2500 lekë të reja. Edhe pse Kryeministri Edi Rama

    ka deklaruar se personat me aftësi të kufizuar do të përfitojnë një këst minimal prej 1 000 lekësh në muaj, nëse lidhin kontratë me OSHEE-në për pagesën e debisë, kjo nuk respektohet. “Mundësia tjetër që u krijohet konsumatorëve që kanë borxhe ndaj kompanisë, është të lidhin menjëherë kontratën dhe përveç pagesës mujore, kur nuk duan ta shlyejnë borxhin menjëherë, të shlyejnë çdo muaj jo më pak se 2500 lekë të reja nga borxhi i tyre. Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara në sistemin e ndihmës ekonomike apo personat me aftësi të kufizuar si edhe pensionistët kryefamiljarë, – pra gjithë pjesa e mbrojtur deri sot nga fasha 300 KW dhe që do të përfitojë para direkt nga buxheti i shtetit qysh në janar pas heqjes së fashës, – vlera e këstit mujor për shlyerjen e borxhit, do të jetë jo më e vogël se 1000 lekë të reja në muaj”, është shprehur Kryeministri në deklaratën për shtyp, në lidhje me mekanizmat e reja nxitëse për shlyerjen e pagesave të energjisë elektrike. Por, në të vërtetë, ndryshe deklarohet e ndryshe veprohet. Në bazë të informacioneve të marra nga shumë invalidë të të gjitha kategorive, po ashtu edhe nga zyrat e OSHEE-së, na thane se edhe invalidët e lidhin kontratën me 2500 lekë si gjithë të tjerët. Ata duhet të paguajnë për çdo muaj, krahas faturës mujore të energjisë elektrike, edhe 2500 lekë për debinë e prapambetur.

     Flasin invalidët: Po diskriminohemi, Kryeministri “ha” fjalën e dhënë

    Isuf Tufa, banor i fshatit Laknas në Kamëz, edhe pse ka gruan invalide prej 25 vjetësh, diskriminohet nga punonjësit e OSHEE-së, të cilët nuk ia lidhin kontratën për shlyerjen e debisë me këst 1000 lekë në muaj, ashtu edhe siç ka deklaruar Kryeministri Rama. “Jam i papunë prej 2 vjetësh dhe pa tokë. Jam vet i gjashtë në familje që jetojmë me pagesën e invaliditetit të gruas (invalide prej 25 vjetësh) prej 14 000 lekësh. Kam pa paguar faturat e energjisë që në vitin 2009. nuk mund ta paguaja të gjithë shumën që të përfitoja faljen e kamatëvonesës, por që të mos ngelem debitor vendosa të paguaj krahas faturës mujore, edhe debinë me këste, gjithmonë duke llogaritur se do të përfitoja, meqë kam gruan invalide që të paguaja një këst 1000 lekë në muaj. Por te Kujdesi ndaj Klientit të OSHEE-së më thanë që duhet të jem me ndihmë ekonomike që të përfitoj. Kjo është e habitshme, se unë e dëgjova vetë Kryeministrin kur tha se për invalidët, nëse lidhin kontratë me OSHEE-në për shlyerjen e borxhit, kësti mujor do të jetë 1000 lekë në muaj”, thotë z. Tufa për “Telegraf”. Ai vazhdon më tej duke shtruar një pyetje: “Shteti më kërkon taksat dhe pagesat që i takojnë atij, se përndryshe më penalizon, madje dhe me burg, po unë si qytetar, ku t’i kërkoj të drejtat e mia? Pse unë duhet të jem korrekt, kur shteti nuk është korrekt me mua?”.

     Invalidët, debitorë të OSHEE-së, edhe me taksën e televizorit

    Në kontakte me invalidë të ndryshëm morëm edhe një shqetësim tjetër nga ata. OSHEE i ka quajtur debitorë edhe për Taksën e Televizionit, që ishte e përfshirë në faturën e dritave. Edhe pse në bazë të legjislacionit në fuqi, kjo kategori është përjashtuar nga taksa e TV-së, invalidëve u mbahen lekët për vitet e kaluara. Me gjithë kërkesat e vazhdueshme të shoqatave që përfaqësojnë individë të kategorive të caktuara, që OSHEE të heqë nga fatura e energjisë elektrike për invalidët, taksën e TV-së, asgjë nuk është bërë në zbatim të një të drejte të fituar me ligj. Kështu që në situatën e krijuar invalidët që sot janë debitorë ndaj OSHEE-së, duhet të paguajnë edhe taksën e televizionit me kamatëvonesë në këstet e tyre. Ata kërkojnë që në respekt të ligjit, ku invalidët janë përjashtuar nga taksa e televizionit, OSHEE të heqë nga faturat e energjisë elektrike, shumat e debive porsa i përket taksës së televizionit.

    Ledjana Saliu