Shën Valentini i dashurive të mëdha

    430
    Sigal

    Poezi shqiptare nga të gjitha kohët dhe trevat shqiptare

     

    Andon Zako Çajupi

     Dashuria

     

    E mban mend, moj Marë,

    dashurin’ e parë?

    Njeri nuk e gjegji,

    Se jeshmë të vegjël.

    Unë pa ty s’rrojë,

    Vij’ e të kërkojë;

    Tl pa mua s’rroje,

    Vij’ e më kërkoje.

    Në lule me erë

    putheshim ngaherë,

    dhe si burr’ e grua,

    losnim nënë ftua.

    Një ditë, të dyza,

    losnim mbylla-syza:

    U fshyëm pa dukur!

    Cinë të besoj taninë,

    Perëndin’ a dashurinë?

    Perëndi, në këtë jetë

    Është dashuria vetë.

     

     

    Fan Noli

    Sofokliu

    Sofokliu ishte budalla,

    Kur u mplak, edhe Kupidi e la,

    Tha: “Shpëtova nga një maskara!”

    Goja, pra, iu tha.

     

    Sofokliu nuk e kishte mirë:

    Plaku s’ka takat, po ka dëshirë,

    Gjalpë s’ka po ka një pus me hirrë,

    Furrë dhe trazirë.

     

    Kam Ferid Asllanin si shahit,

    Tetëdhjet’ e pesë vjeç ashik:

    Amerika, Evropa u-çudit,

    Nuse desh kur vdiq!

     

    Flamurin që la e trashëgova,

    Nat’ e ditë çupa, gra kërkova,

    Se ç’u batërdisa, se ç’u shova,

    Se ç’u përvëlova.

     

    Kur të vdes, dhe kur të më mbuloni,

    Çupa, gra, në varr mos më vajtoni.

    Do t’ju dua prapë, siç më doni.

    Dolla! Mos më zgjoni.

     

    —————

     

    Millosh Gjergj Nikolla

    Kanga e Rinisë

    Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

    Thueja kangës sate që të vlon në gji.

    Nxirre gëzimin tand’ të shpërthejë me vrull…

    Mos e freno këngën! Le të marri udhë.

     

     

    Thueja kangës, rini, pash syt e tu…

    Të rroki, të puthi kënga, të nxisi me dashnu,

    me zjarrm tand, rini… Le të na mbysi dallga,

    prej ndjenjash të shkumbzueme q’i turbullon kanga.

     

    Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi

    Kumbi i zanit të përplaset për qielli

    dhe të kthejë prap te na, se hyjt ta kanë zili

     

    E na të duem fort siç duem një diell.

    Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

    Qeshu, rini! Qeshu! Se bota është e jote.

     

    Agim Shehu

    NË  ZVICËR

    Bie dëborë e hollë, e hutuar,

    vellon e bardhë në dritare ma shtriu :

    Kërkonte nusen –

    pa gruan time të thinjur,

    dhe shkriu…

    1991

     

    Flutura Açka

    Baladë fushatës së frenimit të ndjenjave

     

    Që sytë mos na tradhtojnë,

    shpikëm syzet.

     

    Që duart mos na dridhen,

    shpikëm xhepat.

     

    Ç’maskë do zgjedhim,

    për zemrat?

     

    Lasgush Poradeci,

    E mora shoqezën përkrah.

     

    E mora shoqezën përkrah,

    E matmë rrugën ca-nga-ca,

    Sikur na ndillte larg diçka.

     

    Pa zu dita perëndojë,

    Pa zu nata na mbulojë,

    Pa zura shoqën, ta pushtoj.

     

    Përse buçet liqer i qet!

    Liqer, ti ç’thua ndaj buçet!

    C’far’pe, liqer, mi zall të shkretë?

    E çastin kur e sjall nër mend,

    Kur sjell nër mend,ah!atë vend,

    As rroj as vdes, po jam pa mend

     

    Fatos Arapi

     Ti do të më dashurosh patjetër

    Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.

    shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.

    Në mallin tënd ky karafil i egër,-

    Ti do të më dashurosh patjetër!

    Në sytë e tu, diej të vegjël

    e ndezën natën dhe ditën e ndezën.

    Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?-

    Ti do t’më dashurosh patjetër.

    Kapërcej ty e kapërceva veten,

    dhe përtej vetes kapërceva jetën,

    dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,-

    I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

    Ti do t’më dashurosh patjetër!

    Ismail Kadare

    Pa ty

    Ti ike udhës së pafundme,

    Ku zverdhin drurët gjetherënës,

    Mbi gjokse pellgjesh, tani tundet,

    I arti medaljon i hënës.

    Lejlekët ikën.

    Fill pas teje,

    Si stof i keq u zbeh blerimi,

    Dhe ngjajnë toka, pylli, reja,

    Me negativin e një filmi.

    Tani në fusha shkoj menduar,

    Ku nis të fryjë një erë e ftohtë,

    Ku ca mullarë të gjysmuar,

    Duken që larg, si Don Kishotë.

    Ç’të bëj, po them me veten time,

    Në këtë orë të vonë të muzgut,

    Ku qerrja baltave, bën shkrime.

    Të lashta, sa të Gjon Buzukut?

    Do shkoj të ulem përmbi pellgjet,

    Të pi, në gjunjë duke rënë,

    Në grykë e di, që do më ngelet,

    I ftohti medaljon i hënës.

    Dritëro Agolli

    I Përndjekuri i Dashurisë

    Unë jam i burgosuri yt,

    Rroj me prangat, që ti, më ke vënë,

    Po çudi, as qelia s’më mbyt,

    Dhe s’më mbyt, as dritarja e zezë.

    Kur ti, prangat m’i hodhe në mish,

    Unë i putha duart e tua,

    Është rast i pashembullt, ta dish,

    Që xhelatin ta puth, a ta dua.

    I përndjekuri yt erotik,

    I përndjekur do mbetet gjithmonë,

    Erotim i mirë, a i lig,

    Hidhmi duart në fyt, torturomë,

    Ky burgim sa do zgjasë, s’e di

    I përjetshëm, do kisha dëshirë,

    Veç ti, eja, më shih në qeli,

    Të përndjekurit tënd i vjen mirë.

     

    Koçi Petriti

     Kënga e mjellmës

    Kisha trefish moshën e saj,

    Ish si sajim prej perëndish

    E tha: Jam vajzë!

    E i thashë: Qaj!

    Më dërgoi Zoti të të prish.

    Qenke sajim prej perëndish,

    Lëng luleshtrydhesh, prush kulumbrish.

    Më puthte që nga floku gjer në thua,

    Sikur ajo të ish grua e unë i mitur,

    Një çast nën mua u rrit e u moshua,

    U puth e prapë, u përtërit papritur.

    Bardhyl Londo

     Vetëm Itaka mbetet

    Kanë ndërruar anijet. S’janë më si të

    Odiseut.

    Kanë ndërruar dashuritë. S’janë më si të

    Menelaut.

    Kanë ndërruar gratë. S’i ngjajnë me

    Helenës.

    Dhe prapë do të ndërrojnë në shekujt

    Praparendës.

     

    Vetëm Itaka mbetet.

    Itaka te fëmija, Itaka te njeriu,

    ajo e përjetshmja,

    ëndrra,

    dashuria,

    jeta,

    vdekja.

    Itaka- vetë njeriu.

    Xhevahir Spahiu

     Shembja e një nate dashurie

    Ktheva kokën, mbajta hapat:

    binin tjegullat, binin trarët,

    binte qielli i një nate dashurie.

    Atje mbi papafingo, pranë yjeve e pata puthur,

    shemben yjet tani, bëhen pluhur.

    Dritare s’ka, ka sy të zgavërt,

    s’ka mure me plasaritje të ethshme,

    skelete fjalësh në gjysmerrësirë,

    skelete ëndrrash, premtimesh të nesërme.

    Ngrihet tymi si një mjegull e bardhë,

    Në cep të rrënimit,

    dy burra po pinë qetë-qetë cigare.

    Ej, ju atje! Nuk dëgjoni si ulërijnë brenda meje xhindet,

    edhe pak e llava do të dalë jashtë meje, si tek vullkanet.

    Mos u kthe në kujtim, i thashë!

    Mos u kthe në harrim, më tha!

    Botës i falëm një natë dashurie

    dhe kjo s’është pak.

    Një natë. Dhe çfarë nate!

    Dora mbi sup,

    hëna mbi mal,

    qielli i kaltër i botës mbi krye…

    Mbajeni, mbajeni!

    Ajo po bie…po bie….

    Dhe ishte një natë e paemër,

    siç ishin të paemër yjet.

    Kini mëshirë, mos e shembni atë natë!

    Është rënkimi im, apo klithma e saj?

    Kini mëshirë, kini mëshirë!

    Ajo ishte një natë dashurie

    që kurrë s’duhej të kish gdhirë.

     

    Kini mëshirë,në mos po atje nën gurë,

    nën peshën e natës së shembur do të shembem,

    i vrarë, jo nga urrejtja, po nga dashuria,

    që, përjetësisht quhet dhembje.

     

    Arben Duka

    Aty kukishçelur bliri

    1

    Dy sumbulla prej floriri,

    Një te gusha, një te syri,

    Aty kukishçelur bliri,

    Seç m’i këputi qafiri.

     

    Me avash e me ngadalë,

    Se nuk je i marrë, o djalë,

    Me ngadalë e urt’ e butë

    Dhe lulet mos m’i këput.

     

    Me ngadalë e urt’ e butë

    Dhe lulet mos m’i këput,

    Po të duash, merru erë,

    Të shërohesh, o i mjerë.

     

    Dy sumbulla prej floriri,

    Një te gusha, një te gjiri,

    Aty kukishçelur molla,

    Më grisi rrobat e holla.

     

    Me avash e me ngadalë,

    Se nuk je i marrë, o djalë,

    Lehtë – lehtë, porsi bleta,

    Se m’i vret mollët e shkreta

     

    Gjuha e syve

    Buzët mund të thonë

    Fjalë dhe çudira,

    Po gjuha e syve

    Eshtë më e mira.

     

    Sepse sytë flasit

    Me dritë dhe shenja,

    Siç flasin ndër netë

    Ylli edhe hëna.

     

    Dy njerëz më kot,

    Janë të dashuruar,

    Kur gjuhën e syve

    Ende s’kanë mësuar.

     

    Është gjuhë e butë,

    Po djeg dhe si shpuza,

    Pa vendosur syri,

    S’mund të puthë buza.

     

    Pa u puthur buza,

    Nuk ka dashuri,

    Nga gjuha e syve

    Nis ajo magji.

     

    Sekreti i bukurisë

    Zoti të bëri për vete,

    Të hodhi në sy, dy dete,

    Dhe në gushë e kraharorë,

    Nja dy male me dëborë!

     

    Në botë mos ishe tinë,

    S’do ta njihja bukurinë,

    S’di si do ta mbyllnim synë,

    S’do mësonim historinë!

     

    Historinë e bukurisë,

    Qëndisur prej Perëndisë,

    Në flori, e jo në letër,

    Bëri ty, e s’bëri tjetër!

     

    Se edhe Zoti që është Zot,

    Si ti tjetër, nuk bën dot,

    As me ndihmën e profetëve,

    Sot edhe në jetë të jetëve!

     

    Kur të bëri Perëndia,

    Tjetër, tha nuk bëj si tyja,

    Se tek ti, u sos magjia,

    Mori vulën bukuria!

     

    SHËN VALENTINI
    14 SHKURT 269 – 14 SHKURT 2013

    Perandori romak me origjinë ilire, Klaudi, mbretëroi në vitet 268 – 270 pas Krishtit.
    Klaudi u lind në Dardani Kosovë dhe u përfshi në ushtrinë romake qysh i ri duke ngjitur shkallët e karrierës me shpejtësi, pasi u dallua mes të tjerëve për zgjuarsinë e tij dhe trimërinë e pashoqe.
    Ushtria romake e mirëpriti me entuziazëm ardhjen në krye të Perandorisë Romake të Klaudit, pasi Perandoria Romake po kalonte çaste të vështira të një shthurjeje të përgjithshme.
    Klaudi vuri rregull në të gjithë ushtrinë dhe përcaktoi edhe disa klauzola strikte, të cilat nuk duheshin shkelur. Një nga rregullat e forta që Klaudi vendosi për ushtarët romak ishte edhe ndalimi i fejesave apo martesave të tyre gjatë kohës që shërbenin në ushtri.
    Kush do të thyente këtë urdhër të Perandorit Klaud ai do të ekzekutohej në mënyrën më shembullore. Pikërisht ky urdhër u thye nga prifti Valentino, i cili u mundua të kurorëzonte në fshehtësi dashurinë e një ushtari romak me një vajzë nga Roma. Kur Perandori Klaud e mori vesh shkeljen e urdhrit të tij nga ana e priftit Valentino, ai dha urdhër që Valentino të ekzekutohej në sheshin e Romës, që të zinin mend edhe të tjetër. Ngjarja ndodhi në 14 shkurt të vitit 269 pas Krishtit, kur në sheshin e Romës ishte ngritur një tribunë enkas për ekzekutimin e priftit Valentino. Vet Perandori Klaud mori pjesë në këtë ceremoni shembullore, ku ushtria ishte rreshtuar në të dy krahët e tribunës dhe populli përkarshi. Priftin e gjorë Valentino e sollën të lidhur një dyzinë ushtarësh të armatosur dhe e ngjitën në tribunën e ekzekutimit, ku e priste xhelati me hanxhar në duar. Ishte ora 14:00 e datës 14 shkurt të vitit 269 pas Krishtit dhe trumbetat gjëmuan frikshëm duke bërë që të dridhej sheshi i Romës. Kokën e priftit Valentino e vendosën mbi një trung të prerë, ndërkohë që, xhelati me kapuç të zi në kokë shikonte nga Perandori.
    Trumbetat oshtin përsëri dhe Perandori bëri shenjë me dorë, ndërkohë që, xhelati ngriti hanxharin në ajër dhe e lëshoi mbi kokën e priftit të gjorë Valentino.
    Koka e Valentinos u rrokullis nga tribuna dhe ra poshtë.
    Ishte një heshtje varri, veç kambanave të kishave që gjëmonin ethshëm. Perandori u ngrit në këmbë dhe mërmëriti. – Le të guxoi kush të shkel më urdhrat e mia.
    Kjo ndodhi në orën 14.00 të datës 14 shkurt të vitit 269 pas Krishtit.
    Që nga ajo ditë 14 shkurti festohet në mbarë botën si dita e të dashuruarve.

    Përgatiti Çlirim Hoxha