Seri ALLUSHI/ Pronat: Avokati i popullit takohet me popullin në Vlorë

    427
    Sigal

    Ditën e Premte në datën 5 dhjetor 2014 Avokati i Popullit zoti Igli Totozani realizoi një takim me përfaqësues të shoqatave të pronarëve, të shoqërisë civile dhe të Qeverisë.  Ky takim ishte planifikuar të zhvillohej disa ditë më parë, po për shkak të mosparaqitjes së gjithë palëve, Avokati i Popullit, në një njoftim zyrtar, konfirmoi zhvillimin e tij më 5 dhjetor. Takimi i zhvilluar dje synonte të evidentonte problemet mjaft të mprehta lidhur me pronat në qarkun e Vlorës. Takimi u karakterizua nga ankesa të shumta dhe kritika të forta nga pjesëmarrësit për mos zbatimin e Kushtetutës së Republikës lidhur me pronat, si dhe për indiferentizmin e aktorëve Shtetëror e Politik që janë garant të Kushtetutës. Nga përfaqësuesit e shoqatave të Pronarëve, Avokatit të Popullit iu prezantua edhe një herë situata kaotike e konfliktuale e krijuar nga moria e akteve ligjore e nënligjore antikushtetuese dhe antieuropiane, lidhur me mos kthimin e pronës pronarit që e trashëgon. Kryesisht u vu theksi tek ligji 7501, si një ligj antikushtetues e  antidemokratik, por edhe antieuropian, sepse ishte në kundërshtim me Konventën e të Drejtave të Njeriut për pronën. Ky Ligj krijoi një konflikt të përjetshëm, sepse shteti u ka marrë pronarëve tokat e trashëguara dhe ja u ka dhënë të tjerëve, aktualisht toka është me dy pronarë për shkak të dy pronësisë, investitorët vendas e të huaj nuk afrohen, tregu i shit-blerjes së tokës nuk funksionon etj. Pasojat e këtij ligji rezultuan katastrofike. Në më shumë se gjysmën e territorit të Shqipërisë ky ligj nuk u zbatua, por u injorua e u anashkalua, ekonomia u fut në kolaps, deri më sot mbi 8000 të vrarë dhe taksapaguesve Shqiptarë iu krijua artificialisht një borxh absurd për kompensim me miliarda euro dhe në fund të tunelit ka vetëm errësirë totale. Me shqetësim të veçantë u tërhoq vëmendja  që megjithëse Kushtetuta e miratuar me Referendum popullor me nenin 41, 42 dhe 181, sanksionoi fare qartë të drejtën e kthimit të pronës dhe i vuri detyrë Qeverisë për abrogimin e korrigjimin e të gjitha akteve ligjore e nënligjore të nxjerra para kësaj kushtetute për pronën, por Qeveria Berisha nuk deshi që ta zbatojë Kushtetutën. Por, edhe të gjitha qeveritë që erdhën më pas, ruajtën, zbatuan, amenduan e thelluan me akte të mëtejshme ligjore e nënligjore qëndrimin antipronar e antikushtetues për kthimin e pronës. Në historinë e tij Populli Shqiptar është qeverisur më 11 kushtetuta dhe që të gjitha njihnin dhe mbronin Pronën Private. Por këto Kushtetuta zbatoheshin nga Qeveritë përkatëse. Vetëm Qeveritë post komuniste, në Shqipëri, nuk e zbatojnë Kushtetutën.  Edhe Qeveria RAMA po rreh gjoksin se do bëjë shtet dhe reformë në drejtësi. Por reformë në drejtësi do të thotë që të korrigjohet e adaptohet gjithë legjislacioni, konform kushtetutës dhe konventave europiane, si dhe të shfuqizohen gjithë ligjet dhe vendimet e padrejta e gjithçka e bërë antikushtetuese, siç përcakton neni 181 i kushtetutës, të cilin e ka votuar më shumë se gjysma e popullit shqiptar, por që nuk duan ta zbatojnë Qeveritë.  Avokatit të popullit zotit Totozani, i u kërkua për të sqaruar pyetjen: A është Kushtetuta ligji me i lartë i shtetit? Kush është ngarkuar me kushtetutë për zbatimin e kushtetutës? Në një shtet kur nuk zbatohet Kushtetuta ku duhet të kërkojnë ndihmë qytetarët ? Kur ma jep kushtetuta Pse ma mban tjetri pronën time? Kur shkelet kushtetuta çfarë duhet të bëjnë qytetarët? Me shumë shqetësim u trajtua fakti që edhe Qeveria Rama vazhdon qëndrimin kundër kthimit të pronës pronarit që e trashëgon. Ajo tenton që të ndikojë institucionet Europiane, duke konsideruar kompensimin si rrugën e vetme të zgjidhjes, nëpërmjet minimizimit abuzivë të vlerës së tokës. Zgjidhja e Situatës mjerane me pronat kërkon përgjegjësi të qeverisë e jo demagogji, sepse askush nuk duhet të mendojë se me disa ligje antikushtetuese e në përmbajtje komuniste mundet që ta uzurpojë pronën e tjetrit. Askush nuk mund të mendojë se sa herë që ndërrohen qeveritë populli dashka të ndryshojë pronat dhe sinorët e tyre Në këto kushte përfaqësuesit e pronarëve sugjeruan: 1. Qeveritë njëra pas tjetrës nuk duhet të aludojnë asnjë herë se pronarët trashëgimtarë dikur do heqin dorë nga prona e tyre, prandaj qeveria aktuale duhet të ndryshojë qëndrimin për zgjidhjen e këtij problemi, duke zbatuar Kushtetutën dhe konventën ndërkombëtare të drejtave të njeriut, përndryshe nuk mund të bëhet pjesë e Europës së Bashkuar? 2. Maxhoranca aktuale duhet të çlirohet nga frika se po e prekën çështjen e pronës do bëhet hataja. Ju sigurojmë se nuk do ndodhi asgjë, sepse e drejta nuk është me pronarët që fabrikoi  politika, por me ata që e trashëgojnë pronën, me ata që kanë lindur e janë rritur në atë pronë brez pas brezi e aty brenda saj kanë edhe varret e të parëve të tyre. 3. Strategjia e Maxhorancës qeverisëse e përcaktuar në programin e Qeverisë RAMA se, “Qeveria fillimisht do zbatojë (përmbyllë) ligjin 7501 dhe pas kësaj do zbatojmë Kushtetutën” është katastrofike, sepse është kushtetuta përcaktuese e jo ligji 7501, të cilin de fakto kushtetuta me nenin 181e ka shfuqizuar. 4. Qeveria të heqë dorë nga Kompensimi, sepse është një faturë financiare absurde, e papërgjegjshme, e pa nevojshme, e papërballueshme nga shteti, por edhe e papranueshme  nga pronarët. 5. Qeveria të marrë në konsideratë Draft-Ligjin e përgatitur nga Shoqata Pronësi me Drejtësi, Shoqata Bregdeti dhe Shoqatat e tjera, të cilin në bashkëpunim me grupet e interesit të mundësojë implementimin e tij.

    Konkretisht për zgjidhjen e problemit të pronësisë së tokës nga pronarët u insistua: –

    Të zbatohet neni 181 i Kushtetutës, i cili përcakton: “Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, brenda 2-3 vjetësh, duhet të ndryshojë ligjet për pronat, që kanë dalë para kësaj Kushtetute, duke i përshtatur sipas nenit nr. 41”. Po ashtu të zbatohet Karta e Kopenhagenit (e ratifikuar edhe nga Parlamenti Shqiptar), sipas së cilës, prona private kategorizohet si e shenjtë, e patjetërsueshme, e trashëguar nga brezi në brez dhe që ruhet nga shteti me ligj.

    Mënyrat e zgjidhjes mund të jenë:

    1. Varianti i parë,  Në zonën bregdetare Uji i Ftohët Vlorë e deri në Sarandë, përfshirë edhe Dukatin, i cili ka një vijë bregdetare prej 70 km, nuk ka pronarë të mëdhenj tokash.   Meqenëse, në këtë zonë ka edhe konflikte të ashpra për pronat,  të veprohet si në Qarqet verilindore të vendit, që përjashtimisht nga Ligji 7501 toka ti kthehet pronarit trashëgimtar. Për këtë shoqata Pronësi me Drejtësi, Shoqata Bregdeti dhe Degët e Shoqatës Dukati i kanë dërguar Qeverisë dhe Parlamentit edhe një draft-ligj.

    2. Varianti i dytë, Përfituesit (pronarët e rinj), për tokën që kanë marrë falas dhe kanë 23 vjet që e shfrytëzojnë dhe natyrisht që kanë siguruar edhe të ardhura gjatë viteve, tashmë t’ia paguajnë(shlyejnë) direkt tokën pronarit të vjetër me çmimin e tregut, në të kundërt ti lëshojë tokën. Pushteti vendor te ndjeke realizimin e këtij transaksioni, i cili të bëhet me praninë e noterit. 3. Tokat që janë zënë për interesa publike, duhet tu kompensohen detyrimisht ish pronarëve. 4. Kullotat pronë private e dukatasve në shekuj, që faktikisht tani i shfrytëzojnë e   menaxhojnë pronarët autoktonë, por ligjërisht nuk i u janë njohur . Meqenëse këto kullota kanë kaluar në administrim të Bashkisë Orikum, atëherë edhe procedurat e njohjes së pronësisë së tyre duhet ti kalojnë në kompetencë Bashkisë.

    5. Në rast të mosveprimit të qeverisë sipas varianteve që kërkojmë, mbetet si rrugë e vetme zgjidhje Gjykata e Strasburgut. Vetëm kështu shteti do shkarkohej nga barra e pa nevojshme financiare për kompensimin, secili do të shkonte në identitetin e tij të trashëguar, do të shuhej situata konfliktuale, do të fillonte shit-blerja e tokave, do të mundësohej njësimi, zmadhimi dhe bashkëveprimi i familjeve fermere, do të fillonin menjëherë investimet, ekonomia do të zhvillohej më shpejt dhe Shqipëria do të mund të bëhej pjesë e Bashkimit Europian. Pretendimi dhe kërkesa e Pronarëve është e bazuar në Kushtetutën e Republikës dhe në konventën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për pronën. Ata kërkojmë pronat që i kanë krijuar e blerë të parët e tyre. Nga kjo kërkesë u shprehën ata, nuk tërhiqemi asnjë here dhe të gjithë do ti drejtohemi për zgjidhje Gjykatës së Strasburgut.