Sequi: Prona, prioriteti për anëtarësimin në BE

    435
    Sigal

    LETRA/Zbardhet përgjigjja e Kreut të Delegacionit të BE-së, z. Ettore Sequi për pronarët

    Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi si dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle u shprehën në dhjetor se, “nuk do ketë kushte shtesë për Shqipërinë”, kur u shty për në qershor, marrja e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë. Ende nuk kemi një version zyrtar për sprapsjen e herëpashershme të statusit kandidat për në BE, pasi shumica e detyrave lënë qeverisë shqiptare në një farë mënyre janë plotësuar. E vetmja gjë që ka mbetur e paplotësuar dhe në vend të progresit ka bërë regres, është problemi i pronës. Ndaj dhe pronarët gjithnjë e më shumë i janë drejtuar BE-së për çështjen e pronës, në mënyrë që të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare për të zgjidhur një herë e mirë këtë çështje, sipas të drejtës universale të pronësisë. Në kuadër të kësaj është dhe letra e pronarëve, drejtuar ambasadorit të BE-së në Tiranë

    Përgjigjja e Kreut të Delegacionit të BE-së, z. Ettore Sequi për pronarët, tregon se një nga 5 prioritet për aplikimin e Shqipërisë në BE është pikërisht çështja e pronës, gjë që të risjell ndërmend edhe një herë deklarimin e tij se Shqipëria na i paska plotësuar kushtet dhe statusi kandidat për të është thjesht çështje kohe.

    Letra e plotë e Ettore Sequi, drejtuar pronarëve

    Të nderuar Zotërinj,

    Ju faleminderit për letrën e 3 shkurt 2014, që sjell në vëmendjen time shqetësimet tuaja mbi gjendjen e të drejtave të pronësisë në Shqipëri dhe më saktë të kthimit dhe kompensimit të pronës.

    Komisioni Europian i kushton rëndësi të veçantë çështjes që lidhet me të drejtat e pronësisë. Siç e dini, kjo çështje është ndër 5 prioritetet kryesore të theksuara në Opinion e 2013-s mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, të cilat duhet të plotësohen nga autoritetet kombëtare përpara se, Komisioni të mund të propozojë fillimin e negociatave.

    Raport Progresi i Komisionit Europian 2013 për Shqipërinë arriti në përfundimin se:

    “Përpjekje të mëdha dhe sistematike janë të nevojshme për të adresuar problemet e vazhdueshme në fushën e të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave, kompensimi dhe ndërtimet e paligjshme janë çështje që duhet të trajtohen. Shqipëria duhet të miratojë dhe të komunikojë një plan të besueshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut mbi të drejtat e pronësisë”.

    Delegacioni i BE-së i ka inkurajuar autoritetet shqiptare për të aplikuar zgjidhje të drejtë

    dhe efikase për çështjet e pronës dhe do të vazhdojë të bëjë kështu. Në këtë kuptim,

    letra juaj është shumë e dobishme. Unë mund të konfirmoj se ofrimi i ndihmës së mëtejshme teknike për Qeverinë shqiptare për të forcuar sigurinë ligjore të titujve të pronësisë dhe për të zhdukur informalitetin  dhe rreziku i praktikave korruptive është parashikuar në programin me fondet IPA 2013.

    Ne jemi duke monitoruar nga afër mënyrën sesi autoritetet shqiptare adresojnë çështjen e të drejtave të pronësisë dhe do të vazhdojë të reflektojë progresin dhe sfidat në progres raportin e vendit përpara Parlamentit dhe Këshillit Europian.

    Juaji sinqerisht,

    Ettore Sequi

     

    Afatet për zgjidhjen e të drejtës së pronësisë

    Pesë marsi (nesër) është data e fundit, e vendosur si kufiri kohor për qeverinë shqiptare për të informuar mbi zgjidhjen në mirëkuptim të çështjes së pronarëve shqiptarë që kanë fituar paditë kundër shtetit në gjykatën e Strasburgut.

    Zgjidhja me mirëkuptim

    Në letrën dërguar pronarëve, Strasburgu bën me dije se i ka lënë një afat qeverisë shqiptare për të bërë të ditur vendimin për zgjidhjen në mirëkuptim të vendimit gjyqësor, dhe se pronarët do mund të bëjnë komentet e tyre mbi propozimin e bërë nga shteti. “Qeverisë i është dhënë një afat (05/03/2014) për të shfaqur qëndrimin e saj lidhur me zgjidhjen në mirëkuptim të çështjes suaj, si dhe të shfaqë çdo propozim që mund të ketë lidhur me të. Në rast se qeveria do të bëjë propozime të tilla, juve do të keni mundësinë të bëni komentet tuaja lidhur me to”, këshillon përmes dokumentit gjykata e Strasburgut.

    Vërejtjet

    Strasburgu instrukton pronarët për mënyrën si duhet të veprojnë në rast se qeveria vendos të mos i drejtohet mirëkuptimit për zgjidhjen e çështjeve. “Në rast se palët nuk bien dakord, qeverisë, nëse e kërkon këtë, i është përcaktuar një afat (02/05/2014) për të paraqitur vërejtjet e veta. Pas përfundimit të afatit të qeverisë, vërejtjet e qeverisë, nëse ka, do t’ju dërgohen juve vetëm sa për informacion. Në çdo rast, ju do keni mundësi të bëni vërejtjet tuaja brenda gjashtë javësh”, thekson në letër gjykata e Strasburgut. Më tej, gjykata i njofton të interesuarit se duhet medoemos të paraqesin vërejtjet e tyre lidhur me qëndrimin e qeverisë, në të kundërt ajo do ta konsiderojë këtë si heqje dorë nga çështja.