Sadedin Fishta: Rrotacioni politik, në administratën e Policisë njëra palë dhunon tjetrën

    684
    Sigal

    Flet Sadedin Fishta, Kryetari i Sindikatës së Policisë së Shtetit, për mungesën e transparencës së qeverisë, për të liruarit nga detyra

    Ka 23 vjet brenda Policisë së Shtetit që administrata dhunon njëri-tjetrin. Sapo bëhet një rrotacion, vjen një palë dhe dhunon palën tjetër, edhe pse të dy palët i shërbejnë vetëm ligjit. Këto i ka shprehur në një intervistë për “Telegraf” z.Sadedin Fishta, kryetari i sindikatës së Policisë së Shtetit. Sindikalisti i policëve  është shprehur me tone të ashpra ndaj kësaj “reforme” të ndërmarrë nga qeveria aktuale, e cila i ngjan të gjitha reformave të kryera, sa herë kemi të bëjmë me rotacion politik. Sipas tij, reforma që ata kanë mbështetur qeverinë ka të bëjë me rritjen e përfitimeve financiare dhe shtimin e numrit të forcave të policisë. Madje për të është shumë e rëndësishme të shtosh radhët e policisë dhe jo ti pakësosh, kjo si shkak i rritjes së kriminalitetit.

    Z. Fishta, si po shkon reforma në polici?

    Në kuadrin e reformës, ne e kemi mbështetur qeverinë në reformimin e policisë, duke u nisur nga vetë problematika që ka pasur policia në vitet e kaluara. Problemet që kemi ngritur ne si sindikatë nuk kanë qenë vetëm problemet e trajtimeve financiare të policisë, që kanë ardhur duke u reduktuar dhe kanë arritur në nivele shumë të ulëta, të cilat ne i kemi bërë publike dhe në media, edhe qeverisë, por dhe institucioneve ndërkombëtare, sepse ne jemi pjesë e sindikatës europiane dhe në mbledhjet që organizohen, në përfundim të tyre bëhet dhe rezoluta finale e mbledhjes, një kopje e së cilës shkon në KE, e cila të gjitha problematikat e ngritura ia çon shteteve respektive. Trajtimi financiar ka qenë në nivele shumë të ulëta, më i ulëti në Europë dhe krahasimisht me Kosovën, paga e një punonjësi të policisë këtu është sa gjysma e pagës në Kosovë, pra 265 euro është paga e punonjësit të policisë që ne rekrutojmë, në Kosovë është 465 euro. Pra ne nuk jemi akoma në nivelin e rekrutimit që ka sot Kosova, pa llogaritur pastaj Malin e Zi apo vendet e tjera në rajon. Përveç kësaj, ne kemi ngritur dhe problemin që ka qenë shumë i mprehtë, përsa i përket raportit të pagës së një inspektori me pagën e një drejtuesi, pa hyrë edhe nga grada në gradë. Raporti midis këtyre pagave ka qenë i një niveli shumë të lartë; 1 me 3,5 dhe ndoshta dhe më tepër, që do të thotë që gjysma e buxhetit të pagave të policisë e mos më tepër ka shkuar për pagat e gradave më të larta. Një pikë tjetër e rëndësishme që duhet të jetë pjesë e reformës është dhe shtimi i numrit të komisariateve, për shkak të mbulimit të territorit dhe rritjes së kriminalitetit. Në raport me shtetet e tjera, mbulimin e territorit e kemi 1 punonjës policie me 450 banorë, në një kohë që një shtet që ka një nivel më të ulët kriminaliteti e ka 1 me 250. Pra, edhe në këtë aspekt kemi kërkuar reformë. Mos të bëjmë pastaj krahasimin me Malin e Zi, që për 600 mijë banorë ka 7 mijë punonjës policie, ose Kosova që është sa gjysma e popullsisë sonë dhe ka 7-8 mijë punonjës policie. Ndërkohë, nga regjistrimet e fundit që janë bërë, janë 4 milion e 200 mijë qytetarë shqiptarë, pa futur këtu prurjet që vijnë gjatë kohës së pushimeve. Gjatë sezonit të verës popullsia, në bazë të statistikave, kalon mbi 5 milion. Pra, me një popullsi të tillë kemi 9 mijë punonjës policie, duke përfshirë edhe sektorin mbështetës, por vetëm me uniformë ne kemi rreth 7500 punonjës policie. Është absurde që një numër i tillë punonjës policie të përballojë fluksin prej 5milion qytetarësh. Pra, këto janë reformat që kemi kërkuar ne dhe që do të dëshironim t’i shihnim dhe te qeveria. 2 pikat e reformës që ne i mbështesim si sindikatë ka qenë problemi i  shtimit të punonjësve të policisë në raport me popullsinë, një nevojë e domosdoshme për shtetin për të mbuluar territorin, e dyta është dhe trajtimi financiar. Këto dy kolona ka reforma.

    Por ç’ndodhi faktikisht?

    Nga këto reforma që ne prisnim, shikojmë që në praktikë ndodh e kundërta. Aktualisht, ne kemi një dalje të punonjësve të policisë për shkak të ndryshimit të strukturave dhe shkurtimit të funksioneve organike. Kemi një dalje në reformë të shumë punonjësve të policisë. Unë, aktualisht, kam më shumë se 30 urdhra të daljes për shkurtim funksionesh, çka do të thotë që, në një kohë kur nuk kemi shkurtim të numrit të përgjithshëm, e cila caktohet me vendim qeverie, nuk mundet që këtë kategori punonjësish, sidomos atë kategori që është e profilizuar me arsim policor të lartë edhe të mesëm, (sipas arsimit i përgjigjet edhe grada) këta i nxjerrin në lirim para kohe, sepse nëse një funksion hiqet nga një strukturë, hapet një funksion tjetër në një strukturë tjetër. Kështu që, nuk justifikohet, qoftë dhe ligjërisht, largimi nga puna i këtyre punonjësve, vetëm në rastet kur i parashikon dhe ligji; kur ai përjashtohet nga policia, kur ai kërkon për shkak të problemeve shëndetësore, apo kur nuk është i aftë për ta kryer një detyrë, me kërkesë të tij. Nga këto urdhra, nuk kemi asnjë rast që është në përputhje me këto tre kritere që parashikon ligji. Ndërsa për shkurtim funksioni, në bazë të ligjit, në këto raste i jepet një funksion tjetër në një gradë tjetër, në një shkallë më të ulët dhe punonjësi i policisë do vazhdojë punën në një tjetër funksion.

    Çfarë procedurash duhet të ndjekë një punonjës policie kur e lirojnë nga detyra në të tillë mënyrë?

    Në momentin e lirimit, këtyre nuk i është dhënë as urdhri i lirimit, njoftimi me shkrim se kur lirohesh. Në datën e daljes së urdhrit thirret punonjësi dhe njoftohet me shkrim. Fatkeqësisht, në urdhrat që kam unë, nuk kam asnjë ku të jetë bërë njoftimi me shkrim se ky është liruar në datën kaq e aq dhe njëkohësisht t’i jepet një kopje. Është dokument personal urdhri dhe mbi këtë urdhër ai do të bëjë dhe ankimin në Gjykatën Administrative. Edhe këtë mund ta konsiderojmë shkelje të ligjit, se kur ndërpritet marrëdhënia e punës ai ka një kopje mbi të cilën ankohet. Pa një dokument në dorë nuk mund të shkojë të ankohet në gjykatë. Këtu nuk ka transparencë për këtë punë. Unë kam deklaruar edhe në media, se ne kemi 23 vjet që brenda Policisë së Shtetit administrata dhunon njëri-tjetrin. Sapo bëhet një rrotacion, vjen një palë dhe dhunon palën tjetër, duke ditur që këta të dy janë punonjës të policisë, duke ditur që të gjithë kanë një arsim dhe i shërbejnë ligjit. Vetëm, në rast se, kur këto dokumentohen që kanë bërë veprime në kundërshtim me ligjin, pra, kanë  favorizuar forcë politike, apo janë marrë me fushata, automatikisht, këta përjashtohen nga policia, jo të lirohen. Këtë e ka përcaktuar ligji shumë drejtë dhe shumë saktë.

    Cili është dëmi që shkaktohet nga këto lirime të punonjësve të policisë?

    Duke u marrë me problemet sociale dhe problemet financiare të familjeve të punonjësve të policisë, ne nxjerrim jo vetëm shkaqet, por edhe dëmin që i shkaktohet këtyre punonjësve. Duke marrë shkas nga numri i të liruarve që është relativisht i lartë, sidomos në disa qarqe si Tirana, Elbasani, Durrësi ne vërejmë se këtu dëmtohen dy palë; edhe vetë buxheti i Policisë së Shtetit, por dhe vetë punonjësit e policisë të cilët nga buxheti familjar do të heqin lekë për të hapur një gjyq. Dhe sigurisht që këta e kanë të fituar gjyqin, sepse më këto akte që kanë në dorë, në shkelje të ligjit, për ta, automatikisht, gjykata do të shprehet pozitivisht. Pasi të jepet vendimi i formës së prerë, do të kalohet te përmbaruesi dhe përmbaruesi si sekser ligjor, që është, do të marrë përqindjen e vet në dëmin që i është shkaktuar punonjësit për ekzekutimin e këtij akti. Dhe prapë Policia e Shtetit, përveç buxhetit që do të ketë për pagat, do të parashikojnë edhe një buxhet shtesë për zbatimin e vendimeve të formës së prerë. Pra në mënyrë artificiale ne do ta rëndojmë buxhetin dhe në vend që ky buxhet të shkojë për rritje pagash, ne do ta reduktojmë për vendimet e formës së prerë, siç ka ndodhur edhe 4 vite më parë. Aktualisht, ne kemi në Drejtorinë e Përgjithshme mbi 150 vendime që janë fituar nga punonjësit e policisë për këtë vit, llogarite, t’i shtojmë dhe këto vendime rishtas. Njëkohësisht ka dhe një tjetër problem, që në rast se punonjësit e policisë do të fitojnë të drejtën e tyre legjitime, me vendim gjykate do të fitojnë minimumi për një vit e tre muaj të drejtën e pagesës së plotë, në bazë të Kodit të Punës dhe ligjit të Policisë së Shtetit, duhet t’i mbash këta në mënyrë joefektive dhe ti paguash rrogën e plotë. Do të ishte shumë herë më mirë që këta njerëz të ishin në marrëdhënie pune, qoftë edhe me një gradë më poshtë, që do t’i shërbente edhe shtetit, edhe qytetarëve dhe nuk do të kishte këto ngarkesa qoftë psikologjike apo sociale.

    Nga e gjithë kjo vorbull problematikash të lirimeve nga detyra të punonjësve të policisë, a mund të themi që kemi të bëjmë me spastrime politike dhe s’kanë të bëjnë fare me reformën?

    Unë nuk e shoh më shumë si spastrim politik, sesa e shoh si hakmarrje individuale të oficerëve të policisë. Kjo është një sëmundje që ka vite që po reflektohet brenda një organizate policie, sepse vjen një oficer policie në një pozicion që ka vite pune i shkëputur, aktualisht për 8 vjet dhe e sheh kolegun e vet, që është në punë, si kundërshtar politik, ndërkohë që, në fund të fundit ka qenë një oficer që ka bërë detyrën. Por, duke konsideruar reformën që bëri qeveria e kaluar në 2007-n, paragjykohet një kategori e caktuar policie, e cila konsiderohet kundërshtar politik. Ndërkohë që, ti ke një bazë ligjore shumë të mirë në polici dhe ne duhet t’i referohemi vetëm ligjit, nëse do të ecim përpara. Nëse do të shikojmë parapa, atëherë, detyrimisht, do të kemi këto probleme dhe këto do të trashëgohen edhe në të ardhmen dhe kështu siç bëhet, me ketë lloj rrotacioni, ne kurrë nuk do të ngremë as shtet, as polici ligjore.

    A mund të më thoni një numër të të liruarve?

    Unë di që janë më shumë se 100, në të gjithë vendin.

    Po për takimin me ICITAP-in?

    Policët e liruar, përveçse kanë ardhur tek ne, kanë bërë ankesa edhe në institucione të tjera policore; këshillimore, ICITAP-i, PAMECA. Me një grup prej oficerësh të liruar kemi pasur një takim me përfaqësuesit e ICITAP-it, diskutuam dhe janë shprehur se ne do t’i shikojmë dhe në pozicionin që jemi, do të bëjmë të pamundurën që t’ia reflektojmë qeverisë në nivelet që ata përfaqësojnë.

    Z. Breçani, para disa ditësh, ju ka akuzuar se policët e liruar nuk janë përfaqësuar siç duhet nga sindikata. Çfarë keni për të thënë për këtë?

    Ka qenë një keqkuptim i z. Breçani, ai e pranoi dhe vetë, sepse po atë ditë bëri një takim me sindikatën, bashkë më një grup oficerësh dhe për të gjitha paqartësitë që ai kishte, u sqarua nga sindikata. Sindikata nuk mund të mbrojë asnjë punonjës policie, nëse ai nuk vjen vetë  dhe bën një  ankesë, qoftë edhe formale me shkrim, ku nxjerr edhe cilat janë pretendimet. Sepse sindikata ka dhe avokatin e vet, që në rastet, kur konstatohet se një vendim bie ndesh me ligjin, ne ofrojmë ndihmë juridike dhe i ofrojmë edhe mbështetjen e avokatit në gjykatë, duke kërkuar dhe të gjitha të drejtat që i takojnë atij. Pastaj po në darkën e asaj dite, po ai vetë e ka përgënjeshtruar atë që ka thënë, duke u shprehur se e gjeti mirëkuptimin dhe sindikata e mbështeti ashtu siç edhe ndodhi në ditët në vijim. Ne i mbështesim të gjithë, por jo nga pozita që kanë humbur, më shumë sesa për hallin që kanë, duke u bazuar në dokumenta shkresore-ligjore.