Rama: Burg biznesmenëve që punësojnë persona në të zezë!

    385
    Sigal

    TIRANE – “Burg për të gjithë biznesmenët apo drejtuesit e kompanive që nuk sigurojnë apo punësojnë persona në të zezë”. Deklarata është dhënë nga kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së organizuar në kuadër të Konventës së Shërbimeve Sociale, ku shefi i qeverisë theksoi se nuk do të ketë më persona që të pasiguruar dhe që do të punojnë në të zezë.

    Duke bërë një përmbledhje të punës së bërë nga ana e qeverisë gjatë këtij viti sa i përket rritjes së punësimit, Kryeministri Rama nënvizoi se vetëm në vitin e parë qeverisës janë 81 352 persona të punësuar. Në mesin e këtyre personave, ka edhe persona të nxjerrë nga puna në të zezë.

    Në këtë drejtim, Kryeministri bëri të ditur se nuk do të lejohen më punësime në të zezë, dhe se në rast të evidentimit të rasteve të tilla atëherë do të ketë ndjekje penale për personat përgjegjës të kompanive.

    Dhe kjo siç theksoi kryeministri vjen për shkak se nuk mund të lejohet më një fenomen i tillë në vendin tonë pasi është një veprimtari e dënueshme penalisht dhe si e tillë do të ketë masa penale ndaj biznesmenëve apo drejtorëve të kompanive.

    “Dua të ndalem në aspektin e formalizimit të punës, që është mjaft i rëndësishëm. Kemi një shifër që as në ëndrrën më optimiste, që nuk e kemi parë të arritshme në vitin e parë qeverisës, që flet për 81 352 të rinj të punësuar. Një pjesë janë të punësuar rishtas falë skemës mbështetëse të punësimit, dhe një pjesë tjetër janë nxjerrë nga puna në të zezë. Është shifër e konsiderueshme për të forcuar bazën e punësimit në vend. kam dëgjuar se nuk janë hapur vende pune, por fakti është që janë 81 352 të punësuar, dhe në gjuhën e botës normale këto quhen vende pune, ashtu sikundër puna në të zezë është veprimtari e dënueshme penalisht. Dhe për këtë arsye, ndërhyrjet që po bëjmë në legjislacion, qoftë me punësimin rishtas në të zezë të personave, do të jetë e barabartë me ndjekje penale të personit përkatës dhe drejtuesit të kompanisë përkatës.” theksoi në fjalën e tij kryeministri Rama

    Rama: 5400 dosje abuzive të personave me aftësi të kufizuar
    Kryeministri më pas në fjalën e tij u ndal në punën e bërë gjatë këtij viti nga ana e Ministrisë së Mirëqënies Sociale, konkretisht në pagesën e ndihmës së personave me aftësi të kufizuar.

    Rama theksoi se ashtu si në të gjitha fushat e tjera, edhe në këtë pikë janë gjetur parregullsi të shumta, ku nga 27 mijë dosje të personave me aftësi të kufizuara, 5400 ose rreth 20% e tyre kanë rezultuar abuzive.

    Kjo pasi siç u shpreh kryeministri Rama, 5400 persona merrnin ndihmë në mënyrë abuzive, pavarësisht se nuk i përkasin kategorisë së shtresave në nevojë.
    “Kjo konventë nuk është konferencë e radhës, por momenti për të bërë një bilanc të rëndësishëm, dhe nga ana tjetër, për të konsoliduar një instrument shumë të rëndësishëm, në luftën me varfërinë siç janë shërbimet sociale. Të jemi të vetëdijshëm, se si në të gjitha fushat, edhe këtu trashëgimia është e rëndë. Po të shikosh, shëndetësinë, Lazaratin, energjinë, dhe plagë të tjera të hapura që kemi trashëguar, mikrobi është i njëjtë. Është i shtetit që synon vetëm ripërtëritjen e vetvetes, dhe në këtë fushë, që është më e pazëshmja se janë njerëzit më të dobët të shoqërisë, jemi të vetëdijshëm se kemi trashëguar një situatë si lidhjet e paligjshme të energjisë, nga bimët e paligjshme në territor, dhe nga të gjitha fushat e vendit. Mjafton një fakt që në një vit, nga 27 mijë dosje të qëmtuara prej jush me aftësi të kufizuar, 20% ose 5400 kanë rezultuar dokumentacion abuziv, nga persona që aftësitë i kanë të pakufizuara.” tha kryeministri

    Rama: Viti 2015, i pari pa borxhe të trashëguara në historinë e shtetit shqiptar
    Kreu i qeverisë, nënvizoi gjithashtu edhe shlerjen e borxheve prej 54 milionë dollarësh për personat me aftësi të kufizuar, e trashëguar ndër vite. Rama theksoi se viti i ardhshëm do të jetë viti i parë në historinë e shtetit shqiptar, që nuk do të ketë borxhe, të trashëguara për këtë kategori personash.

    Kjo do të thotë siç u shpreh kryeministri se pagesat e tyre do të jenë në kohë,

    “Më kujtohet vitin e kaluar në të njëjtën kohë, në një takim me PAK dhe jemi ndjerë në pozitë të vështirë, se nga njëra anë kishim trashëguar borxhin prej 54 milionë dollarësh, pasi paratë që figuronin për ta ishin drejtuar gjetkë. Dhe nga ana tjetër një situatë ku historikisht ku këta persona nuk e merrnin asnjëherë pagesën në kohë, dhe në prag të vitit të ri ne nuk kishim para për ti paguar. Sot një vit jemi në kushte të ndryshme. Sot jemi në kushtet kur kemi mbyllur plotësisht gropën prej 62 milionë dollarë vetëm me pagesat e aftësisë së kufizuar, dhe praktikisht jemi pa borxhe, dhe kemi çelur një buxhet për vitin e ardhshëm, i pari buxhet në histori, që nuk bazohet mbi borxhin por mbi një start të ri pa borxhe. Çka do të thotë se kemi çdo qindarkë që na duhet për t’i paguar PAK në kohën e duhur. Kjo mund të duket diçka e rëndomtë por është e para herë në Shqipëri që ndodh. Nga ana tjetër, për ambicien që kemi nuk mund të mbetemi këtu dhe ti referohemi të shkuarës për të shënuar progres, se nuk kemi kujt ti referohemi. Nuk ka qenë një situatë e pranueshme nga ana ligjore, morale, ekonomike, që të mund ti referohemi.” tha ai