Qeveria identifikon 143 projekte prioritare, kushtojnë 13.7 miliardë euro

53

Qeveria shqiptare nëpërmjet Komitetit të Planifikimit Strategjik ka përzgjedhur 143 projekte prioritare publike, të cilat kushtojnë 13.7 miliardë euro, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Financave. Kjo paketë e miratuar tashmë nga Komiteti i Planifikimit Strategjik përbëhet nga projekte dhe përfshin sektorët e:

(a) Transportit (rrugor, hekurudhor, detar, ajror);

(b) Energjisë (Transmetim, efikasiteti i energjisë);

(c) Mjedisit (uji dhe kanalizimet, mbrojtja nga përmbytjet, ndotja e ajrit);

(d) Infrastrukturës sociale (arsimi & sportet, shëndeti, arti-kultura, mbështetje për burgjet, banesat sociale, arsimi profesional);

(e) Infrastrukturës së biznesit (marina, turizëm dhe infrastruktura broadband).

Ministria e Financave shprehet se grupi i Menaxhimit të Buxhetit ka organizuar tre mbledhje për të koordinuar dhe për të kryer një analizë teknike të shëndoshë të projekteve pjesë e paketës.

Paketa përbëhet nga 2 kategori kryesore:

Kategoria I, projektet rajonale kosto 2,2 miliardë euro

Në kategoritë e parë përfshihen: Projektet e Rrjetit Kryesor dhe Projektet e Zhvillimit Ndërkufitar të Ballkanit. Në të përfshihen 21 projekte me një kosto totale investimi prej 2.2 miliardë euro. Ministria e Financave pohon se, boshllëku financiar për këtë kategori është 79%. Pjesa tjetër e investimeve përbëhet nga 3% grante, 6% hua dhe 2% nga buxheti kombëtar nëpërmjet PBA-së. Në këtë kategori, është parashikuar që 10% e shumës totale të mund të zbatohet nëpërmjet financimit të PPP-ve si një burim potencial. Kategoria II, projektet me rëndësi kombëtare kushtojnë 11.5 mld euro. Në kategorinë e dytë të paketës së projekteve strategjike janë ato me karakter kombëtar dhe rajonal që përfshijnë tre nën-kategori projektesh: kombëtare; zhvillim rajonal; dhe zhvillim lokal. Kostoja e investimeve totale për këtë kategori është 11.5 miliardë euro, nga e cila rezulton një boshllëk financiar prej 28%. Shuma e granteve për këto kategori është 3%, 13% për hua dhe 3% nga buxheti i shtetit nëpërmjet PBA-së. Në këtë kategori, 11% e shumës totale është parashikuar si një potencial për financimin nga PPP-të dhe 42% si potencial nga investimet private.