Ekzekutohet 27 vjeçari në Mamurras, vrasja dyshohet si hakmarrje për plagosjen e para 6 viteve

750
Sigal

Një vrasje me armë zjarri është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Mamurras (6 shtator 2018).

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:30, afër xhamisë së qytetit, ku shtetasi Indrit Pepa (Në foto) është qëlluar me armë zjarri, duke mbetur i plagosur rëndë.

27 vjeçari, banues në Mamurras, është transportuar për në Spitalin e Traumes në Tiranë, por rrugës ka ndërruar jetë.

Policia ka bërë identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasit A.M. 49 vjeç, banues në Mamurras i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.

Vrasja dyshohet për hakmarrje, viktima plagosi autorin 6 vite më parë

Nga hetimet paraprake, dyshohet se i riu është ekzekutuar  për hakmarrje, pasi 6 vite më parë ai kishte plagosur 49 vjeçarin. Indrit Pepa mësohet se jetonte jashtë vendit dhe prej pak kohësh ishte kthyer në Shqipëri.

Grupi hetimor në vendngjarje nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kjo është vrasja e dytë në Mamurras në harkun e pak orëve. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:34, një 14 vjeçar u plagos rëndë me thikë pas një sherri me 15 vjeçarin me iniciale A.Xh.

Viktima, Adriel Sala, ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Autori i dyshuar është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprimet e mëtejshme hetimore proçedurale, për veprën penale të kryer.