Prof.Shezai Rrokaj: Kongresi i Manastirit, një alfabet, një gjuhë, një komb

    85

    INTERVISTA/Flet Dekani i Histori-Filologjisë Prof.Shezai Rrokaj për njehsimin e alfabetit 104 vjet më parë

    Në 104- vjetorin e mbajtjes së Kongresit të Manastirit Prof. Shezai Rrokaj risjell në një intervistë për “Telegraf”, disa nga pikat më të rëndësishme që i mbijetuan kohës. Sipas zotit Rrokaj, Kongresi i Manastirit është padyshim një monument në historinë e popullit shqiptar, të cilit i janë referuar dhe do t’i referohen shqiptarët sa herë është e nevojshme për t’iu qasur e për të analizuar çështje madhore.

    -Zoti Rrokaj 104 vjet më parë është mbajtur Kongresi i Manastirit, i cili siç dihet përveç të tjerave pati edhe një ndikim të madh në njehsimin e gjuhës dhe shkrimit shqip. Ju çfarë do na veçonit për këtë ngjarje të madhe?

    -Kongresi i Manastirit është padyshim një monument në historinë e popullit shqiptar, të cilit i janë referuar dhe do t’i referohen shqiptarët sa herë është e nevojshme për t’iu qasur e për të analizuar çështje madhore që kanë vendosur fatin e tyre, siç janë ato që kanë të bëjnë me pavarësinë e me njësimin politik kombëtar, të gjuhës dhe të shkrimit shqip. Kongresi i Manastirit u mbajt nga 14-22 nëntor 1908, me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit. Është e rëndësishme të theksohet se vetë fakti i një pjesëmarrjeje nga të gjitha anët (26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë vendit, 52 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote). Lidhur me këtë ngjarje madhore është folur shumë ndër studiues si gjuhëtarë, historianë, didaktë etj.. Të shumta janë edhe burimet arkivore si: Arkivi i Shtetit në Tiranë si dhe arkivat e disa vendeve me të cilat ishte lidhur fati i mëtejmë i vendit tonë apo në të cilat vepronin klube a shoqata intelektualësh shqiptarë. Dua të vë në dukje se, në Kongresin e Manastirit, çështja e njësimit të alfabetit dhe gjuhës nuk ishte qëllim në vetvete. Siç do të shihet më tej, me ndonjë përjashtim, kjo çështje ishte e lidhur ngushtë me kërkesën e njësimit kombëtar dhe të autonomisë. Pra, ajo (kërkesa) u bë program i një lëvizjeje kombëtare… e lidhur me procesin e formimit të ndërgjegjes kombëtare dhe të unitetit kombëtar’. I përmbahemi mendimit se uniteti i alfabetit, uniteti i gjuhës dhe uniteti i kulturës ishin kërkesa që buronin dhe do të viheshin në shërbim të unitetit të kombit. Vetëm kjo ide mund të mblidhte bashkë në Kongresin e Manastirit një përfaqësim kaq të larmishëm dhe të gjithanshëm.

    -Çfarë vlen të përmendet më shumë nga ky kongres, mund të na thoni diçka më konkretisht?

    -Në funksion të kësaj ideje vlen të përmenden katër çështje:

    a) Së pari, Romantizmi Evropian pati një ndikim të drejtpërdrejtë në disa shkolla gjuhësore të shekullit XIX. Veçojmë në këtë rast konceptin e Humboldt-it mbi gjuhën si shprehëse e “shpirtit të popullit”, a konceptin e Vvhithney-it mbi funksionin shoqëror të gjuhës, ku do të mbështetej edhe Meillet-ja dhe më pas Shkolla sociologjike frënge. Idetë e iluminizmit dhe të romantizmit do të frymëzonin mjaft prej Rilindësve tanë. Në të njëjtin këndvështrim vendoset E. Sapir-i, kur thotë se “kontributi i gjuhës në përgjithësi në përcaktimin, shprehjen dhe përcjelljen e kulturës është i pakundërshtueshëm”.

    b) Së dyti, Lidhja e Prizrenit dhe më pas, gjallërimi i lëvizjes patriotike për çlirimin kombëtar, shënoi një hap të rëndësishëm kundër politikës asimiluese dhe shkombëtarizuese të xhonturqve, nga njëra anë, Patriarkanës greke të Stambollit dhe synimeve të shteteve fqinje për copëzimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e bashkë me të, edhe të gjuhës e të kulturës së tyre, nga ana tjetër. Politika asimiluese shprehej qartë edhe në  politikën e tyre arsimore, në përdorimin e alfabeteve dhe gjuhëve të tjera si arabishtja, turqishtja, greqishtja e italishtja.

    c) Së treti, alfabeti i autorëve të vjetër. Është provuar tashmë se ekzistonte një traditë shkrimi qysh para shekullit të XVI e ndoshta edhe një gjuhë e përbashkët, të paktën në shkrimet e përdorimit praktik. Një normë shkrimi e gjejmë edhe te Matrënga (1592), ku studiuesit përjashtojnë të ketë pasur ndikim prej Buzukut. Siç dihet, kjo traditë shkrimi vazhdoi të ndiqej tek autorët e tjerë veriorë si: Budi, Bardhi e Bogdani. Në shekullin e XVIII shkrimi u përhap edhe në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut (Elbasan, Voskopojë, Berat), ku dominojnë alfabete të gjuhës arabe e greke për shkrimin e shqipes.

    d) Së katërti, gjuha shqipe shkruhej asokohe me alfabetin latin, grek e arabo-turk. Përveç alfabetit të shkrimtarëve të vjetër të Veriut, i cili përdorej kryesisht nga priftërinjtë katolikë në veprat dhe shërbesat fetare, në shekullin e XIX përdoreshin tri alfabete. Alfabeti latin i pastër a i përzier do të ishte edhe më i përdoruri. Siç do të shihet në vijim, një vend të rëndësishëm zënë në këtë drejtim tri alfabetet latine: ai i Stambollit, i shoqërisë “Bashkimi”, si dhe ai i shoqërisë “Agimi”.

    -Në këtë kongres pati disa propozime për krijimin e një alfabeti të ri, përse nuk u bë e mundur, si e analizoni ju në ditët e sotme?

    -Diskutimet u përqendruan rreth alfabetit të Stambollit, alfabetit të shoqërisë “Bashkimi” dhe atij të shoqërisë “Agimi”. Hil Mosi, delegat i shoqërisë “Gegëni”, propozoi të krijohej një alfabet i ri, i cili të bashkonte të tri alfabetet. i këtij mendimi ishte edhe Luigj Gurakuqi me mendimin “që të mos i thyhej zemra askujt”. Komisioni i ngritur Ad Hoc, diskutoi lidhur me  tri çështje: a) a do të merrej njëri prej tri alfabeteve, b) a do të kishte një kombinim të tri alfabeteve për të nxjerrë një alfabet përfaqësues, c) a do të liheshin mënjanë të tri alfabetet dhe do dilej me një alfabet të ri. Debati u përqendrua rreth faktit për gjetjen e shkronjave latine që t’u përshtateshin tingujve të shqipes. Alfabeti i Stambollit dhe ai i “Agimi” mbështeteshin në parimin një tingull një shkronjë, duke i plotësuar tingujt e tjerë, që nuk kishin gjegjëset e tyre në alfabetin latin, me shenja diakritike. Alfabeti i “Bashkimit” përdorte  tashmë dyshkronjëshin për të shprehur tingujt, që nuk gjendeshin në alfabetin thjesht latin. Në përfundim, siç del nga raporti i Gjergj Qiriazit, u zgjodhën dy alfabete: ai i Stambollit i ndryshuar dhe një alfabet thjesht latin, që afronte me atë të shoqërisë “Bashkimi”. Në fakt, Komisioni bëri përpjekje t’i afrojë dy alfabetet e pranuara deri në 27 shkronja të përbashkëta, duke ndryshuar edhe alfabetin e Stambollit edhe atë latin të thjeshtë.

    -Si i vlerësoni në ditët e sotme vendimet që u morën në këtë kongres, duke u mbështetur në faktet historike që ekzistojnë për zhvillimin e këtij kongresi?

    – Një rol të rëndësishëm luajti edhe De Rada për shkronjën ë, por edhe  gj-në e nj-në që u përdor përkohësisht. Ky parashtrim na jep mundësinë për të nxjerrë disa përfundime:

    a) Eliminimi nga diskutimi i alfabeteve arabo-turk e grek dhe zgjedhja e alfabeteve me bazë latinishten dëshmon për përhapjen më të madhe të këtij të fundit. Kjo zgjedhje ishte padyshim më pak një vazhdim tradite të autorëve të vjetër sesa një shprehje vullneti për të qëndruar larg alfabeteve me të cilët lidheshin vendet që synonin të na asimilonin a të na copëzonin. Një alfabet larg fqinjësisë territoriale e larg alfabetit të pushtuesit ishte një garanci më shumë për një autonomi dhe një pavarësi kombëtare.

    b) Zgjedhja e dy alfabeteve në Kongres tregonte se do të duhej ende kohë që klubet të hiqnin dorë nga ndasitë, copëzimet dhe kaosi grafik për t’u përfshirë gradualisht në një lëvizje unitare kombëtare në kuptimin e gjerë. Siç do të shihet më tej, edhe pse me dy alfabete, Kongresi jo vetëm i dha fund larmisë grafike të deriatëhershme, por edhe shërbeu, në vijim të Lidhjes së Prizrenit, si një fillesë për një funksionim të kombit në tërësinë e elementeve që e përbëjnë atë.

    c) Është pak e besueshme që zgjedhja e dy alfabeteve të jetë bërë për të shprehur a respektuar bashkësinë veri/jug e ca më pak atë fetare në myslimanë/të krishterë. Sikur të ishte e vërtetë, kjo gjë do të shënonte një çarje kombëtare e një moment ndasie tepër të rrezikshëm për fatin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Faktori i jashtëm, i cili është përdorur si argument diskutimi nga studiuesit për të dhënë interpretime të ndryshme, lidhet më shumë me përdorimin praktik të shtypshkronjave, që asokohe mbështeteshin në karakteret latine.

    d) Njësimi i alfabetit ishte një fillim për njësimin e gjuhës si mjet për të mbërritur te njësimi i kombit nëpërmjet shkollës, letërsisë e kulturës, që do të vinin më mirë në qarkullim dijen kombëtare si pronë e bashkësisë për rritjen e vetëdijes njësuese. -Sa kanë ndikuar këto vendime që u morën në dekadat e mëvonshme?

    -Në vijim të këtij parashtrimi mund të pohojmë paraprakisht se njësimi i alfabetit dhe më tej i gjuhës nuk ishte një qëllim sui generis i Kongresit të Manastirit, siç pretendonte Klubi Selanikut. Kongresi i Manastirit nuk ishte një tubim me synime të një reforme thjesht gjuhësore a kulturore. Jemi të mendimit se nëse çështja gjuhësore u bë qëllim në vetvete, ajo u bë për të  shërbyer si mjet për një qëllim më të madh: arritjen e unitetit kombëtar dhe pavarësinë e vendit. Në funksion të këtij mendimi vlen të sillen argumente në dy drejtime, duke iu përmbajtur analizës brenda tri klubeve më të rëndësishme, alfabeti i të cilëve u bë edhe objekt diskutimi në Kongres: a) Veprimtaria e tri shoqërive deri në Kongres ishte shumë më tepër sesa thjesht një preokupim për një alfabet të njësuar, vetëm se mungesa e një alfabeti të tillë ishte bërë pengesë për të realizuar përhapjen e dijes, kulturës dhe unifikimin shpirtëror kombëtar. b) Vetë Kongresi diskutoi dhe përpunoi një platformë që kapërcente përmasat e një reforme alfabetore.

    -Si e vlerësoni kontributin e disa prej figurave të rëndësishme edhe pas mbajtjes së Kongresit?

    -Të ndalemi te çështja e parë, duke përmendur ndihmesën e disa prej figurave të rëndësishme të këtyre viteve:

    a) Në vitet ’40-të të shekullit XIX, N. Veqilharxhi në letrën enciklike, i krahason me “skllevër” ata popuj dhe kombe që mbeten në padije, prandaj duhet të fillojnë të “lërojnë gjuhën e tyre kombëtare”. Përhapja e e kulturës do të zgjonte kombin dhe do ta shpëtonte nga rreziku i shkombëtarizimit, “mirëpo kjo nuk fitohet ndryshe veçse me shkronja të posaçme kombëtare”.

    b) Shoqëria “Agimi”, sikundër ajo e Stambollit, zbatoi parimin një tingull një shkronjë. Kjo ishte edhe arsyeja kryesore që detyroi Mjedën dhe mbështetësit e tij (vëllain e tij, Lazër, Xanonin, Logorecin etj..) të largoheshin prej “Bashkimit”, duke iu afruar më shumë traditës së çelur nga Zef Jubani, Pashko Vasa, K. Kristoforidhi etj..

    Çështja e dytë lidhet me programin kombëtar që doli nga Kongresi i Manastirit. i parë në këtë drejtim, ky kongres mund të quhet një kongres gjuhësor në funksion të një synimi politik. Në të mirë të kësaj ideje shkon jo vetëm pjesëmarrja e larmishme e gjithëpërfshirëse, që pasqyronte vetë rrymat e ndryshme në lëvizjen kombëtare, por sidomos platforma që miratoi. Në fjalimet e shumta, që u mbajtën gjatë atyre ditëve, shprehej qartë thirrja për bashkimin e shqiptarëve, toskë e gegë, të krishterë e myslimanë, për zhvillimin kulturor e ekonomik të vendit. Në disa mbledhje u diskutua për qëndrimin që do të mbanin ndaj Turqisë, por edhe ndaj ndërhyrjes së disa shteteve evropiane me fqinjësi territoriale, por edhe Austrisë e Italisë.