Dashamir Shehu: “Edhe me reformat e statusit, Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap demokratik”

466
Sigal

INTERVISTA/Dashamir Shehi: “BE-së i ka interesuar që në Shqipëri të ketë më shumë stabilitet, sesa demokraci”

Zoti Dashamir Shehi, Kryetari i LZHK-së, në intervistën për “Telegraf” shpreh bindjen se afati përfundimtar i BE-së për të shqyrtuar nëse Shqipërisë do t’i jepet statusi kandidat do të jepet pas zgjedhjeve të 2013-s. Nga ana tjetër, Europës, thotë zoti Shehi, i intereson që në Shqipëri të ketë stabilitet, sesa demokraci.

– Zoti Shehi, vetë BE-ja pohoi që nuk ka afat për votimin e reformave të 12 prioriteteve. Ky mesazh, si mund të deshifrohet nga palët politike në Shqipëri?

– Është një qëndrim diplomatik i BE-së, që të mos e mbyllë derën fare. Me një fjalë, çdo kohët tjetër mund të jetë e vlefshme. Unë jam i sigurt që vendimi për dhënien e statusit do të shkojë pas zgjedhjeve parlamentare të 2013-s.

– Nga apelet e shumta të faktorit ndërkombëtar për bashkëpunim të PD-PS për të votuar reformat e statusit,  a nuk të jepet përshtypja se BE-ja na lut, ndërsa palët politike në Shqipëri nuk interesohen edhe shumë për integrimin?

– Për të qenë pak më të sinqertë, as BE-ja nuk na do neve dhe as kjo klasë politike që kemi sot  nuk do të shkojë në Europë. Nuk është se Shqipëria është Norvegjia dhe Zvicra që i lutet. Ne jemi vende të varfra të Ballkanit. Plus edhe me një sërë problematikash institucionale që kemi dhe realisht nuk jemi vetëm ne shqiptarët. Kështu që BE-ja nuk ka ndonjë dashuri të madhe të fusë këto vende të prapambetura të Ballkanit brenda vetes së vet. Por BE-ja ka një detyrim. Dihet që gjithë hapësira gjeopolitike e Europës do të bashkohet në BE, sepse çdo vend jashtë BE-së do të sjellë efekte të tjera, që mund të hyjnë në influenca të tjera. Prej nesh varet vetëm kohëpranimi në BE.

– Duke u nisur nga sjellja e emisarëve të faktorit ndërkombëtar në Shqipëri, që më shumë interesohen të miratohen në letër reformat, sesa shkalla e zbatimit të tyre, mos vallë ata interesohen më shumë që në Shqipëri të ketë qetësi politike, se sa janë arritur standardet demokratike europiane?

– Deri më sot BE-së i ka interesuar që në Shqipëri të ketë më shumë stabilitet, sesa demokraci. Janë apo jo institucionet e pavarura dhe shtetërore të qëndrueshme, nëse elementët e demokracisë respektohen në gjithë parametrat dhe nga të gjithë, për këto çështje të mëdha të Demokracisë, faktori ndërkombëtar nuk është bërë dhe kaq merak deri tani. Plus, që për vendet ish-komuniste BE-ja gjithmonë ka mbyllur një sy dhe procesi ka qenë sipërfaqësor. Problemi për Shqipërisë është se para nesh kanë hyrë bullgarët, rumunët dhe kanë krijuar probleme, atëherë BE-ja mendojnë  që është më mirë që një pjesë e këtyre problemeve, mbi shtetin e së drejtës, mbi rregullat e lojës të  ekonomisë së tregut të përcaktohen përpara se të hyjmë në BE, e jo të na pranojnë  e pastaj t’i zgjidhim ato, sepse do t’i krijonte vetvetes probleme. Ndaj Europa është bërë më e kujdesshme, nevojë për zgjerim nuk ka. Atëherë, këtë çmim do ta paguajnë vendet e Ballkanit. Po të kishim në Shqipëri shembuj të qartë të bashkëpunimit të sinqertë politik, sigurisht që BE-ja do të na kishte falur një proces më të shpejtë integrimi.

– Statusi e vetë procesi i integrimit, ka të bëjë thjesht me votimin e tre ligjeve, apo është i ndërlidhur me arritjen e një shkallë  demokratike europiane për shqiptarët

– Nga ana e jashtme formale, ka të bëjë me ato tre ligjet, sepse çdo proces, përveç esencës, ka edhe guackën e jashtme. Por, të jemi të ndërgjegjshëm, nuk është kjo. Edhe pasi të votojnë ato tre ligje, Shqipëria nuk është bërë asnjë centimetër më demokratike. Pra, duhet një ndryshim radikal në gjithë mentalitetin e qeverisjes, pastaj i opozitës, në mënyrën sesi do të ndërtohen institucionet në Shqipëri. Ky fakt nuk ndodh, mënyra sesi jeta politike do të jetë më transparente. Ne, me apo pa reforma, ne kemi shumë rrugë akoma për t’u bërë europianë.

– Kritika më e rreptë që i bëhet  nga faktori ndërkombëtar klasës politike është korrupsioni e mendësia e mosndëshkueshmërisë, ndërsa palët politike sillen sikur korrupsioni të jetë UFO, diçka jashtërealitetit politik shqiptar. Kujt i përket kritika?

– Kritika për korrupsion i përket atyre që kanë pushtetin. Qeverisë, në radhë të parë. Por edhe opozitës, e cila është e mbarsur me pushtet. Administron gjithë bashkitë më të mëdha të vendit. Por, askush nuk jep garancinë, që këta opozitarë, nesër në pushtet, do të jenë luftëtar të korrupsionit, sepse kanë qenë deri dje e janë përfolur kaq shumë për korrupsion. Çmimin më të madh të korrupsionit duhet ta paguajnë këta që qeverisin sot. Nuk ka justifikime të tjera, shumë të mëdha, siç ndodh. Unë them që në 8 vjet korrupsioni nuk luftohet. Nuk kemi parë një qeveritar të dënuar. Lufta kundër korrupsionit, tani mbaron si në kohën e Enverit.

– Ngërçi i Qarkut të Fierit është princip, apo sebep politik, që të mos votohen reformat e statusit kandidat?

– Çështja e Fierit është bërë një sebep i madh, për faj të PD-së dhe PS-së. Sepse unë e gjykoj, që, pavarësisht se kush e ka fajin, nuk duhet që tani t’i japim shkas BE-së, që të ngatërrojmë Fierin me Brukselin. Po të ishte kaq e rëndësishme për BE-në dhe PS-në ky Fieri, PD-ja le t’ja kishte dhënë 2-3 muaj më para, se nuk u bë kiameti për një qark, se dihet, që ky qark i së majtës ka qenë. Është një realitet që e dinë të gjithë. Qarku është vetëm të futë në punë 5 veta, se asnjë kompetencë tjetër nuk ka. Po të ishte nga mënyra e organizimit të shtetit, qarqet duhet të ishin shkrirë me kohë. PS-ja e mban Fierin në emrin e parimeve, PD-ja nuk e di në emrin e kujt parimeve e mban? Europa nuk na lë jashtë për Fierin, por ngaqë nuk kemi ndërtuar demokracinë që kërkohet prej saj.

– Mos ndoshta modeli i deformimit të votave në qarkun e Fierit, mund të kopjohet edhe në zgjedhjet e 2013-s?

– Fieri nuk është precedenti që do krijojë rrezikun. Fieri është rezultat i mentalitetit politik, që është krijuar në tërë këto vite tranzicioni tek ne. Në Fier ndodh ajo që disa matrapazë të vegjël kanë bërë atë që bëjnë matrapazët e mëdhenj në parlament. Atje, njerëzit kanë kaluar ku kanë interesin, se nuk ka më të majtë e të djathtë. Qarku i Fierit është fundi i një politike të palavdishme në Shqipëri.

– Palëve tona politike u mungon bashkëpunimi edhe për çështjet më të mëdha kombëtare. Mendoni se interesat partiake mbizotërojnë në politikëbërjen në Shqipëri?

– Jo vetëm interesat partiake janë mbi interesat kombëtare në politikëbërjen në Shqipëri, por interesat personale janë edhe më të forta edhe se ato partiake. Gjithë politikëbërja te ne është e mbërthyer në interesa personash, klanesh, partish.

– A nuk është një tregues negativiteti moral, kulturor, atdhetar, që politika ta ndajë edhe në kremtimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku palët politike do ta festojnë veçmas?

– Këtu në çdo gjë, njerëzit ndahen në bazë interesash klanesh, personash, partish dhe bëhen për të ndikuar në mendësinë e njerëzve sesi do të reagojnë në zgjedhjet që do të vijnë. Nuk shikohet si një e tërë historia e gjithë Shqipërisë.

– Ju si e gjykoni qëndrimin politik të Edi Ramës, i cili ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Ahmet Zogut i cili u shpreh “Të ngresh një republikë për eshtrat e një ish-monarku, kërkon shumë kurajo, do të thotë të kapërcesh mbi kufomat që mundësuan ngritjen e kësaj republike që gëzojmë”?

– Janë fjalë jashtë etike. Eshtrat e Zogut nuk ngrënë monarkinë në këmbë. Shqipëria është Republikë, do të jetë Republikë edhe 1.000 vjet të tjera e kjo nuk e pengon të respektojë eshtrat e Kryetarit të shtetit shqiptar.

– Faleminderit!