Prof. Dr. Emil LAFE/ Folklori muzikor shqiptar, një thesar i kulturës sonë kombëtare

    540
    Sigal

      Vëllimi me këngë çame është dhe puna e parë intensive në fushën e Albanologjisë e Prof. Dr. Wilfried Fiedlerit

    Në kuadrin e 80-vjetorit të Prof. Dr. Wilfried Fiedler dhe 56-vjetorit të ekspeditës folklorike shqiptaro-gjermane sot dhe nesër mbahet në Tiranë një konferencë shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Konrad Adenauer” (Hotel Sheraton, ora 10). Referuesit janë studiues të njohur të shkencave albanologjike nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, ndër ta edhe vetë Prof. Dr. Wilfried Fiedler.

     EKSPEDITA FOLKLORIKE SHQIPTARO-GJERMANE E VITIT 1957

    DHE 80-VJETORI I ALBANOLOGUT WILFRIED FIEDLER

     Folklori muzikor shqiptar, një thesar i kulturës sonë kombëtare

    Sipas një informacioni të prof. Aleks Budës në “Buletinin për shkencat shoqërore” (1956, nr. 1, f. 262-263) të Institutit të Shkencave, nga fundi i muajit nëntor 1955 erdhën në Shqipëri historiani Dr. Erich Paterna (1897-1982) i Universitetit “Humboldt” të Berlinit dhe bashkëpunëtori shkencor i Institutit të Etnografisë të Akademisë Gjermane të Shkencave Dr. Erich Stockmann (Republika Demokratike Gjermane). Ata patën takime në kryesinë e Institutit të Shkencave në Tiranë dhe biseduan për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet instituteve shkencore të Shqipërisë dhe RDGJ. Dr. Erich Stockmann (1926-2003) ishte studiues i muzikës popullore të vendeve të Ballkanit. Ai vizitoi sektorin e folklorit dhe sektorin e etnografisë të Institutit, ku u njoh hollësisht me punën që po organizohej dhe zhvillohej. Dr. Erich Stockmann punoi edhe me koleksionet e pasura të folklorit muzikor pranë Radio Tiranës. Këtu zë fill, me sa duket, edhe ideja e një ekspedite të përbashkët gjermano-shqiptare.

    Ekspedita shqiptaro-gjermane për mbledhjen e folklorit muzikor u organizua dhe u mbështet nga Instituti i Kulturës popullore i Akademisë së Shkencave të RDGJ dhe nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë. Ajo u zhvillua në periudhën maj-gusht 1957. Nga pala gjermane morën pjesë Dr. Erich Stockmann (etnomuzikolog, përgjegjës i grupit), Wilfried Fiedler (gjuhëtar) dhe Johannes Kyritz (specialist i teknikës); nga pala shqiptare kompozitorët dhe muzikologët e njohur Ramadan Sokoli dhe Albert Paparisto. Qëllimi i ekspeditës ishte mbledhja e dhe regjistrimi i këngëve dhe melodive instrumentale popullore. U përdorën aparate incizimi dhe filmimi nga më modernet për kohën. Siç shpjegon Dr. E. Stockmann, kjo ndërmarrje përbënte një kërkesë e ngutshme duke pasur parasysh gjendjen tepër të varfër të mbledhjes së folklorit muzikor shqiptar. Në vende të tjera të rajonit të Europës Juglindore (Hungari, Jugosllavi, Rumani, Bullgari) mbledhja e folklorit muzikor kishte nisur që në shek. XIX dhe sidomos gjatë gjysmës së parë të shek. XX ishin regjistruar me mjetet e kohës me mijëra njësi nga pasuritë e kësaj gjinie të kulturës popullore, që ruheshin në arkiva kombëtare me kushte teknike të posaçme. Etnomuzikologët që u morën me studimin e tyre, ishin befasuar nga zbulimi i stileve arkaike të muzikës popullore të barinjve e fshatarëve ballkanas. Kjo i kishte nxitur për hulumtime të mëtejshme më të thelluara, por ndërkaq Shqipëria mbetej për fat të keq një “njollë e bardhë”. Ndër botuesit e serisë monumentale “Visaret e Kombit” (1937-1944) nuk kishte qenë ndonjë etnomuzikolog dhe vëllimet e parashikuara me folklor muzikor për këtë seri nuk u përgatitën. U botua vetëm një vëllim me 50 melodi kryesisht qytetare nga Pjetër Dungu (“Lyra shqiptare”, 1940) dhe më pas vëllimi “Dasëm shkodrane” (1943) nga Gjon Kolë Kujxhija. Po këtë vit kompozitori dhe etnomuzikologu rus Juri Arbatski botoi një trajtesë të gjatë për muzikën popullore shqiptare, mbështetur në lëndën muzikore që pati mbledhur vetë në terren te shqiptarët në Jugosllavi, po herë-herë qe hedhur edhe këtej kufirit në krahina të Shqipërisë (“Südostdeutsche Forschungen”, 1943). Më 1953 u botua në Çikago disertacioni i tij “Loja e daulles në Ballkanin Qendror” (“Beating the Tupan in the Central Balkanas”), i shkruar gjatë luftës në Pragë. Po ky autor shkroi edhe zërin për muzikën shqiptare në enciklopedinë “Die Musik in Geschichte und Gegenëart” (“Muzika gjatë historisë dhe sot”), botuar në Zvicër më 1949. Dr. E. Stockmann vlerëson punën që nisi në mesin e viteve ’50 nga sektori i folklorit në Institutin e Shkencave e në vijim në Universitetin e Tiranës për mbledhjen dhe ruajtjen e incizimeve e të regjistrimeve të muzikës popullore të bëra deri atëherë dhe për të kryer incizime e regjistrime të reja në të gjitha krahinat e vendit. Ai veçon në këtë mes kontributin e rëndësishëm shkencor të kompozitorit dhe etnomuzikologut të shquar Ramadan Sokoli me botimet e tij të shumta dhe veprimtarinë e dendur, që nxiti e ndihmoi edhe studiues të tjerë më të rinj t’i hynin punës në këtë fushë.

    Shqipëria paraqitej shumë interesante për etnomuzikologët gjermanë. Që në vizitën e parë më 1955 Dr. E. Stockmann kishte vënë re të kënduarit shumëzërësh (polifonik) në Jug dhe njëzërësh në Veri. Atë e kishte interesuar veçanërisht shumëzërëshi, që dukej qartë se vinte nga një lashtësi e thellë. Studimet rreth tij premtonin përfundime me vlerë jo vetëm për muzikën popullore shqiptare, por edhe për shumëzërëshin europian në përgjithësi. Nisur edhe nga kjo ide, ekspedita u shtri në Shqipërinë e Jugut, në trevat e shumëzërëshit, me tri nënndarjet kryesore të tij: të kënduarit e toskëve, lebërve dhe çamëve. U mblodhën materiale në një numër të madh pikash, si Çermë-Biçak, Lushnjë, Cakran, Podgozhan, Pogradec, Korçë, Qafëzez, Starje, Ersekë, Rehovë, Leskovik, që përfaqësojnë të kënduarit e toskëve; në Dukat, Brataj, Himarë, Borsh, Vrion – përfaqësojnë të kënduarit e lebërve; në Fier, Babicë, Skelë (e Vlorës), Sarandë, Xarrë te çamë të shpërngulur nga fshatrat e tyre në Greqi (1944) ose vendës nga Çamëria e Shqipërisë. Subjektet nuk ishin kurdoherë vendës, por përfaqësonin edhe vendbanime të tjera në krahinat përkatëse. Studiuesit gjermanë vunë re si tipar arkaik të kënduarit veç e veç të burrave e grave. Nga të dyja gjinitë u mblodhën: këngë dashurie, legjendare, historike, këngë të motmotit e të festave të ndryshme, si dhe këngë shoqërore. Nga gratë u mblodhën edhe këngë djepi e vajtimi. Duke vënë re se për regjistrimi i tekstit me shkrim nga incizimi dilte shpesh i vështirë edhe për vetë shqiptarët, u ndoq praktika e diktimit të tekstit fjalë për fjalë nga këngëtari, para se ta këndonte me melodi. Teksti i regjistruar në këtë mënyrë u krahasua pastaj me tekstin e kënduar. U incizuan edhe pjesë muzikore të luajtura kryesisht me instrumente frymore popullore, fyelli, gërneta, cule (lloje të ndryshme).

    Lënda e mbledhur nga ekspedita kap rreth 30 orë incizime në 620 bobina. Me këtë qe hedhur një hap i rëndësishëm për studimin e mëtejshëm të muzikës popullore shqiptare. Materiali i mbledhur do të vlerësohej dhe do të botohej në një seri me disa vëllime nga Instituti i Kulturës Popullore në Berlin. Por u përgatit dhe u botua më 1965 nga Akademia e Shkencave e RDGJ vetëm vëllimi i parë me titullin “Albanische Volksmusik. Gesänge der Çamen” (“Muzika popullore shqiptare. Këngë të Çamëve”), 302 f. Dr. Erich Stockmann ua la punën kryesore për këtë botim bashkëpunëtorëve të tij të vyer: etnomuzikologes Doris Stockmann (1929-2006), dhe gjuhëtarit të ri, poliglotit të talentuar Wilfried Fiedler (1933), që sapo kishte kryer studimet universitare. Duket se ftohja e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve pas vitit 1961 ndikoi që seria e parashikuar të mbetej vetëm me vëllim e parë. Ky vëllim përbëhet nga një hyrje e shkruar nga Dr. E. Stockmann, prej së cilës janë marrë mjaft nga të dhënat e mësipërme, dhe nga dy pjesë studimore. Pjesa e parë “Muzika” (f. 19-160) e shkruar nga Doris Stockmann, përmban një studim të përgjithshëm për muzikën popullore çame dhe transkriptimin e këngëve në nota (30 këngë). Pjesa e dytë “Tekste”, e hartuar nga Wilfried Fiedler, përmban një studim për gjuhën, stilin dhe ndërtimin e këngëve popullore çame, si dhe vetë tekstet e këngëve, shqip e në përkthimin gjermanisht, të pajisura me shënime sqaruese filologjike e muzikore, sepse muzika është edhe pasioni i dytë i autorit, krahas gjuhësisë. Me gjithë një numër botimesh që janë bërë deri sot për folklorin çam, ky libër mbetet një përmendore shkencore e poezisë dhe e muzikës popullore çame, aq e ndjerë, aq prekëse, aq e ëmbël, pasqyrë besnike e përjetimeve të shpirtit të një popullsie që ka përshkuar drama të rënda, po edhe ka ditur të këndojë aq ëmbël gëzimet e jetës në periudha të qeta. Prandaj është e domosdoshme që ky vëllim pa vonesë të përkthehet dhe të botohet shqip.

    Albanologu Wilfried Fiedler dhe vepra e tij

    Wilfried Fiedleri ka lindur më 1933. Kreu studimet e larta për sllavistikë dhe filologji të gjuhëve të tjera të Europës Lindore e Juglindore në Universitetin “Humboldt” të Berlinit. Në vitet 1955-1963 punoi në Institutin e Kulturës Popullore të Akademisë së Shkencave në Berlin. Pas ekspeditës së vitit 1957 erdhi përsëri në Shqipëri në mars-qershor 1959 për të mbledhur material për disertacionin e doktoratës me temë “Formimi i shumësit të emrave në gjuhën shqipe”. Pikërisht në atë kohë u njoha së pari me të, pasi vinte për të ndjekur leksionet e prof. Mahir Domit me grupin tonë. Pak kohë pas mbrojtjes së disertacionit (1961) dhe marrjes së gradës “doktor”, kaloi në grupin e ballkanologjisë në Institutin e Gjuhësisë të Akademisë së Shkencave, ku vijoi të merret me gjuhën shqipe, duke bashkëpunuar sidomos me gjuhëtaren Oda Buchholz (1940), që kishte studiuar në degën e gjuhës shqipe në Universitetin e Tiranës.

    Pikërisht kjo ekspeditë dhe përgatitja për botim e vëllimit me këngë çame janë dhe puna e parë intensive në fushën e Albanologjisë e Prof. Dr. Wilfried Fiedlerit, i cili kapi këtë vit moshën e nderuar 80-vjeçare! Fusha kryesore e punës së tij si albanolog ka qenë sistemi gramatikor i gjuhës shqipe dhe shqipja si gjuhë ballkanike. Pas disertacionit të sipërpërmendur ka shkruar një varg studimesh e artikujsh. Është bashkautor i Oda Buchholzit në veprën “Albanische Grammatik” (Lajpcig, 1987, 582 fq.), që është gramatika më e plotë e më e pasur gjuhës shqipe e hartuar nga studiues të huaj dhe me vështrime të reja origjinale, që u vlejti të dyve edhe si punim habilitimi (fitimi i së drejtës për mësimdhënie në universitet). Si vepër themelore e tij mund të mbahet “Das albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku” (“Sistemi foljor në gjuhën e Gjon Buzukut”), Prishtinë, 2004, 812 f. W. Fiedler është bashkautor (me O. Buchholz dhe G. Uhlisch) në fjalorin shqip-gjermanisht (1977) dhe me A. Klosin në fjalorin gjermanisht-shqip (1997), që kanë njohur disa ribotime. Për 30 vjet (1959-1939) ka dhënë lëndët gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin “Humboldt” të Berlinit. Më 1991-1998 qe pasues i Martin Camajt si profesor i albanologjisë në Universitetin “Ludëig Maximilian”të Mynihut. Prej vitit 1999 është profesor i jashtëm i gjuhës shqipe në Universitetin “Humboldt” të Berlinit dhe në Universitetin e Jenës. Ka përkthyer gjermanisht autorë të ndryshëm nga letërsia e sotme shqipe, ndër të cilët I. Kadare, M. Camaj, A. Podrimja, S. Hamiti. W. Fiedler është anëtar i jashtëm i akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

    Në kuadrin e 80-vjetorit të Prof. Dr. Wilfried Fiedler dhe 56-vjetorit të ekspeditës folklorike shqiptaro-gjermane sot dhe nesër mbahet në Tiranë një konferencë shkencore ndërkombëtare e organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Konrad Adenauer”. Le të urojmë që kjo konferencë të bëhet shkas për botimin e vëllimeve të tjera të serisë “Muzika popullore shqiptare” me materialet e mbledhura gjatë ekspeditës së përbashkët shqiptaro-gjermane dhe si përtëritje e lidhjeve shkencore ndërmjet dy vendeve.