Florian Raunig* /Reforma duhet të garantojë pavarësinë politike, administrative dhe financiare

550
Sigal

Rekomandimet e ambasadorit të OSBE-së mbi pushtetin vendor

* ambasadori i OSBE-së

Reforma administrativo-territoriale është një përbërës kyç për garantimin e një qeverisjeje të mirë dhe pjesë e rëndësishme e mandatit të Prezencës së OSBE-së. Prezenca ndihet e nderuar që Ministri për Çështjet Vendore i kërkoi të mbështesë organizimin e kësaj konference të rëndësishme kombëtare dhe të ndihmojë në projektimin e procesit, metodologjisë dhe kritereve të reformës territoriale. Prezenca ka qenë e angazhuar në këtë temë për shumë vite, duke i ofruar mbështetje qeverisë përmes vlerësimeve dhe rekomandimeve për orientimin e procesit të reformës. Njësitë e qeverisjes vendore janë krijuar për të përmbushur me efikasitet funksionet e decentralizuara të shtetit. Megjithatë, ndarja administrative dhe territoriale e Shqipërisë rezultoi në njësi shumë të vogla të qeverisë vendore me burime dhe asete tejet të kufizuara, gjë që në shumë raste ua ka bërë të vështirë qeverive vendore ofrimin e shërbimeve publike cilësore dhe efikase qytetarëve. Shkalla e vogël ekonomike e pjesës më të madhe të njësive të qeverisë vendore, i ka bërë ato pothuajse të varura nga transfertat e qeverisë qendrore dhe burimet e jashtme të financimit, pa pasur pothuajse asnjë mjet të pavarur financiar për ushtrimin e një demokracie të qëndrueshme në nivel vendor. Nevoja për një ndarje të re administrative dhe territoriale është identifikuar nga një sërë ekspertësh vendas dhe ndërkombëtarë, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, si dhe nga organizatat ndërkombëtare, shumica e të cilave përfaqësohen këtu sot. Procesi i reformës administrativo-territoriale në Shqipëri duhet të respektojë dispozitat e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore të Këshillit të Europës. Veçanërisht, ai duhet të garantojë pavarësinë politike, administrative dhe financiare të njësive të qeverisjes vendore. Një proces reforme i suksesshëm kërkon përgatitje të plotë dhe marrjen parasysh të situatës specifike të vendit. Një proces vendimmarrjeje i mirëideuar është i nevojshëm për të garantuar transparencën e procesit dhe për të siguruar përfshirjen e të gjithë aktorëve. Është e domosdoshme që procesi i vendimmarrjes për këtë reformë të jetë transparent, përfshirës dhe konsensual. Besoj se kjo konferencë ofron një platformë për të bashkuar aktorët kryesorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë që janë aktivë në këto çështje. Kjo veprimtari është një mundësi dhe pikë fillese që aktorët të japin kontributin e tyre në hartimin e procesit të reformës administrativo-territoriale në Shqipëri, përmes një qasjeje përfshirëse, konsensuale dhe transparente. Përgëzoj qeverinë e Shqipërisë që ndërmori këtë nismë të rëndësishme. Në emër të OSBE-së, i ftoj të gjithë aktorët kombëtarë të kenë një qasje aktive dhe konstruktive ndaj kësaj reforme, e cila është kritike për zhvillimin e ardhshëm të vendit.

 Ndarja administrative, shkrihen komunat me pak banorë

Rama: Decentralizimi i nevojshëm, ul kostot financiare

Ndarja administrative e territorit të vendit do të shkojë drejt një reforme rrënjësore. Nisma e fundit e ndërmarrë nga qeveria lidhur me këtë proces pritet që të konkretizohet me shkrirjen e disa komunave ndërmjet tyre. Në konferencën e organizuar nga Ministria e Pushtetit Vendor në bashkëpunim me prezencën e OSBE-së në Tiranë, kryeministri i vendit, Edi Rama paraqiti prioritetet kyçe të kësaj nisme. Reforma administrativo-territoriale do të jetë një reformë gjithëpërfshirëse, e cila do të rrisë efikasitetin e njësive vendore përmes mirëqeverisjes, rritjes së eficencës në menaxhimin e burimeve të këtyre njësive, menaxhimin e kapaciteteve, përmirësimin e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve, si dhe fuqizimin e qyteteve dhe komunave ku sipas Kryeministrit, reforma do të jetë një gur themeli për organizimin e zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Kryeministri Edi Rama deklaroi se rezultat i reformës do të jetë kalimi i Shqipërisë nga fragmentarizimi në decentralizim. Sipas tij, qeveritë e tranzicionit kanë dështuar në sfidën e administrimit të territorit. “Disa më pak dhe disa më shumë, qeveritë e tranzicionit dështuan në sfidën e administrimit të territorit. Nga ky copëzim lindin të vdekura shërbimet publike dhe dëmtohet potenciali i zhvillimit të këtyre hapësirave. Ndër shumë e shumë shifra që mund të dalin për të mbështetur sot këtë reformë, është e papranueshme në kushtet e Shqipërisë që administrata e komunave t’u kushtojë taksapaguesve 25 milionë dollarë në vit dhe të ketë 80 komuna me më pak se 5000 banorë dhe 70 komuna që i kanë të ardhurat 0 dhe qëndrojnë vetëm falë pagave të financuara nga buxheti i shtetit. Kemi një barrë të konsiderueshme shpenzimesh për të mbajtur në këmbë një makrostrukturë që është e paralizuar në lidhje me këto komunitete”. Kreu i qeverisë theksoi se realizimi i kësaj reforme do t’i japë fund një rrënimi që po vazhdon prej 20-vitesh. “Decentralizimi duhet të jetë një proces që e afron qeverisjen me qytetarin. Kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e një decentralizimit që është fragmentarizim dhe sjell copëzim deri në paralizë dhe jo eficencë të buxhetit. Territori është ekonomi dhe zhvillim. Është trupi i një shteti. Ndaj në menaxhimin e territorit, rolin qendror e ka lidershipi, pavarësisht nëse flitet për diktaturë apo demokraci. Lidershipi për të mbajtur aktorë heterogjenë në një bashkëjetese”, tha Rama. Në vijim të fjalës së tij, Kryeministri, listoi tri pikat kyçe ku do të përqendrojë këtë reformë. Ai tha se problemet me menaxhimin e territorit nuk janë veçori unikale të Shqipërisë, duke shtuar se me to janë përballur edhe vende të tjera të rajonit dhe me gjerë. “Dialog me të gjithë aktorët. Është një proces që duhet dhe do të bëjmë çmos të jetë gjithëpërfshirës dhe ta mbështesim në një dialog shumë të hapur në një frymë konsensuale me gjithë forcat politike, njësitë vendore, grupet e interesit etj. Kompleksitet në qasje, por me një synim të përbashkët, shtresëzim në ndarjen territoriale. Nuk është reforma e një shumice qeverisëse, por është reformë ku të gjitha forcat të marrin pjesë dhe të thonë fjalën e tyre. Fuqizimin e hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore të njësive vendore në funksion të fuqizimit tërësor të vendit. Kjo do të bëjë që Shqipëria të kaloi nga fragmentarizmi në decentralizim”,- theksoi Rama.

 Sequi: Pushteti vendor, shqetësues në Progres-Raport

Ambasadori i Bashkimit Europian, Ettore Sequi theksoi gjatë fjalës së tij se BE-ja vazhdimisht ka paraqitur si shqetësim në progres raportet e saj funksionimin e njësive vendore. “Në mënyrë të përsëritur, raporti i progresit për Shqipërinë, përfshirë raportin e vitit 2013, që u prezantua dje nga Komisioneri Füle, ka qenë mjaft i qartë lidhur me shqetësimet e ndryshme për funksionimin e njësive të qeverisjes vendore. Të njohura janë shqetësimet për mbledhjen e të ardhurave, planifikimin strategjik, menaxhimin e burimeve njerëzore, kontrollin financiar, transparencën, si dhe numrin e lartë të personelit me kontrata të përkohshme”, pohoi ai.

  Basha: Projekti i decentralizimit është konfuz

Dy ditë më parë, kreu i demokratëve, Lulzim Basha e konsideroi programin e qeverisë për decentralizimin e pushtetit si një nismë konfuze dhe pa projekte konkrete. “Programi i saj për autonominë vendore është konfuz dhe në hava, si shumë çështje të tjera të programit të ashtuquajtur të Rilindjes, të cilit me shtyrjen në kalendat greke të premtimeve themelore, nga vetë zoti Rama dhe me fshirjen fare të shumë premtimeve të tjera, i ka mbetur vetëm emri. Nga ana tjetër, duhet të presim draftimin e buxhetit të ri të shtetit, për të kuptuar se çfarë ka mbetur në këtë qeveri nga standardi i qeverisjes së Partisë Demokratike”, theksoi kreu i PD, Lulzim Basha.

 Çuçi: Reforma, më shumë të ardhura për njësitë vendore

Ministri i Çështjeve Vendore, Bled Çuçi theksoi se kjo reformë do të mund të sjell më shumë të ardhura për njësitë vendore, të cilat do të ofrojnë më shumë shërbime për qytetarët. “Reforma administrative territoriale do të krijojë njësi më të mëdha vendore dhe do të krijojë më shumë shërbime për qytetarët e do të mbledhë më shumë të ardhura. Nevoja për rindarjen e territorit është diskutuar shumë, gjatë 12 viteve të fundit. Jemi këtu për ta çuar përpara reformën. Të adoptojmë një reformë me njësi më të mëdha para zgjedhjeve lokale të 2015”, tha ministri i Çështjeve Vendore.