Prof.Asoc Jorgo Mandili: Shkenca pa fenë është e mangët, ndërsa feja pa shkencën është qorre

    883
    Sigal

    Intervistë imagjinare me Albert Ajnshtajn: Raporti i fesë me shkencën dhe roli i përfaqësuesve të fesë

    Pas ngjarjeve terroriste,të ndodhura ditë më parë në Paris, u gjallërua debati jo vetëm në lidhje me tendencat e dhunshme të fondamentalizmit islamik, por edhe mbi rolin e fesë, e përfaqësuesve të fesë në indoktrinimin apo besimin e njerëzve, mbi tolerancën apo intolerancën e feve të ndryshme etj.. Nga mënyra si janë trajtuar këto probleme në shtyp e në media, nga opinionistë e analistë të ndryshëm, del se ekziston nevoja për të hedhur dritë dhe për të qartësuar një prej aspekteve kryesore që terrorizmi nuk ka asgjë të përbashkët me fenë e vërtetë. Kur feja krijon frikë, kur feja të fisnikëron, a ka konflikt të vërtetë midis fesë dhe shkencës? A mundet të dalë feja jashtë mode nga shkenca? Cili duhet të jetë roli i përfaqësuesve të fesë (imamë e priftërinj)? Të gjitha këto pyetje marrin përgjigje nga intervista e mëposhtme e improvizuar me gjeniun e mendjes njerëzore A. Anjshtajni. Nga kjo intervistë me Ajnshtajnin, çdo njeri e kupton se ta kthesh çdo problem terrorizmi apo liri të fjalës e shprehjes në diskutime banale feje e fesh, është anakronizëm. Çështja është më e thjesht se kaq. Zgjedhja është e vështirë. Dhe Ajnshtajni na ndriçon rrugën e zgjedhjes, më të mundimshmen, atë të lirisë.

    J.Mandili: Zoti Ajnshtajn, sipas jush, si ka lindur besimi dhe përse njerëzit duhet të besojnë, kur njohja objektive na jep instrumentet e fuqishme për të arritur disa përfundime?

    A.Ajnshtajn: Gjëja më e bukur që mund të përjetojmë është misteri. Kjo është ndjenja themelore që qëndron në djepin e artit dhe të shkencës së vërtetë. Ai që nuk e njeh këtë dhe që nuk mund të çuditet, të mrekullohet, është njëlloj si të jetë i vdekur, si një qiri i shuar. Ishte eksperienca e misterit dhe pse ndoshta e përzier me frikë, që lindi besimin. Është e vërtetë që njohja objektive na jep instrumente të fuqishme, por qëllimi final në vetvete dhe dëshira e zjarrtë për ta arritur atë mund të sigurohet nga burime të tjera. Dhe është tërësisht e nevojshme për të argumentuar pikëpamjen se ekzistenca dhe veprimtaria jonë fitojnë kuptim, kur arrijmë këtë qëllim dhe vlerat e tij përkatëse. Njohja e së vërtetës si e tillë është e shkëlqyer, por ajo është shumë pak e aftë për të shërbyer si udhërrëfyese. Të dish atë që është, kjo nuk do të thotë se të hapet dera për të ditur si do të jetë. Dikush mund të ketë njohuri të qarta për atë se si është një gjë, por ai nuk mund të nxjerrë prej këtej se cili do të jetë qëllimi i aspiratave njerëzore. Kështu pra, ne ndeshemi në limitet e konceptit të pastër racional të ekzistencës sonë.

    J.Mandili: A jeni ju një besimtar?

    A.Ajnshtajn: Njohja e ekzistencës së diçkaje, pa qenë e mundur të futemi në brendësinë e saj, e manifestimit të arsyes më të thellë dhe bukurisë më vezulluese, të cilat arsyeja jonë mund t’i kapë vetëm në format më të thjeshta, është kjo njohuri dhe ky emocion që përbëjnë qëndrimin e vërtetë besimtar, në këtë këndvështrim dhe vetëm në këtë, unë jam një njeri shumë besimtar.

    J.Mandili: Pra, ndjenja e besimit tek shkencëtari merr formën e një habie euforike ndaj harmonisë së ligjeve të natyrës?

    A.Ajnshtajn: Po! Kjo ndjenjë është parimi që udhëheq jetën dhe punën e shkencëtarit, përsa kohë ai arrin ta largojë veten nga vargonjtë e dëshirave egoiste. Kjo është padyshim e afërt me atë ndjenjë që ka pushtuar gjenitë e besimeve të të gjitha kohërave.

    J.Mandili: Por, kjo ndjenjë besimi është ndryshe nga besimi fetar, i njerëzve që e shohin Zotin si një qenie nga kujdesi i të cilës, ata shpresojnë të përfitojnë dhe nga ndëshkimi i të cilës të kenë frikë…

    A.Ajnshtajn: Nuk mund ta konceptoj dot një Zot që shpërblen ose ndëshkon krijesat e tij, apo ka dëshirat dhe vullnetin ashtu siç i kemi ne njerëzit. Një individ që do të jetojë pas vdekjes fizike, unë nuk mund dhe nuk do të dëshiroja ta konceptoja; le të ushqejnë shpirtrat e dobët mendime të tilla nga frika apo egoizmi absurd.

    J.Mandili: Dakord, pra, për këta njerëz, besimi fetar është një ndjenjë sublimi e ngjashme me atë të fëmijës ndaj prindit, një qenie me të cilën ata kanë një farë lidhje personale dhe në thellësi është e ngjyrosur me admirim. Si ka lindur një perceptim i tillë për Zotin-Njeri?

    A.Ajnshtajn: Përgjigja e kësaj pyetje ka të bëjë me përmbajtjen e historisë së fesë. Gjatë periudhës së rinisë së evolucionit shpirtëror të njerëzimit, fantazia njerëzore krijon Zotin, me imazhin e vet, njeriut i cili me veprimin e dëshirës së vet, mendohej se përcakton ose, në një farë shkalle, ndikon te bota e dukurive. Njerëzit përpiqeshin të ndryshonin prirjet e këtyre zotave në favor të tyre, me anë të magjive dhe të lutjeve. Karakteri antropormofik tregohet p.sh me anën e faktit se njerëzit i drejtohen Qenies Hyjnore gjatë lutjeve dhe i kërkojnë që t’u plotësojë dëshirat e tyre.

    J.Mandili: Në qoftë se kjo Qenie është e gjithëfuqishme dhe e aftë të përfshijë çdo ndjenjë dhe aspiratë të njerëzve, atëherë si është e mundur të mendojmë se njerëzit duhet të mbajnë përgjegjësi për sjelljet veprimet dhe mendimet e tyre përpara kësaj Qenieje të gjithëfuqishme, duke dhënë ndëshkime dhe shpërblime? Ai, në një farë mënyre, i transmeton këto gjykime mbi veten e vet. Atëherë, si mund të bashkohen këto me mirësinë dhe drejtësinë që i është atribuuar atij?

    A.Ajnshtajn: Në të vërtetë, askush nuk mund të mos ta pranojë se ideja e ekzistencës së një Zoti personal të gjithëfuqishëm, gjithëbamirës është në gjendje të përshtatë ngushëllimin e njerëzve, ndihmën dhe sjelljen e tyre; me virtytin e thjeshtësisë së tij, ajo është e pranishme për shumicën mendjeve naive, të pazhvilluara. Ajo që shfaqet këtu është një dobësi vendimtare që i bashkëngjitet kësaj ideje drejtpërdrejt, e cila është ndjerë me dhimbje që në fillim të historisë.

    J.Mandili: Me sa kuptoj unë, deri tani nga parashtresa juaj e mësipërme, ju në thelb pohoni se, doktrina e Zotit personal është burimi i frikës dhe i shpresës, i cili me veprimin e dëshirës së vet ndërhyn në të gjitha bukuritë natyrore. A nuk kemi të bëjmë këtu me manipulimin e mendjeve të pazhvilluara e cila sidomos në të kaluarën u ka dhënë fuqi shumë të mëdha përfaqësuesve të fesë?

    A.Ajnshtajn: Për të qenë të saktë, duhet thënë se doktrina e Zotit personal që ndërhyn kudo nuk mund të përgënjeshtrohet kurrë nga shkenca; po të flasim në sensin real, kjo doktrinë gjithmonë mund të gjejë strehim në ato fusha ku njohuritë shkencore nuk kanë qenë në gjendje të futin këmbët. Unë vazhdoj të jem i bindur se kjo sjellje e një pjese të përfaqësuesve të fesë, jo vetëm që do të jetë e padenjë, por madje fatale.

    J.Mandili: E padenjë dhe fatale? Kaq e rrezikshme është doktrina e Zotit personal?

    A.Ajnshtajn: Po! E padenjë! Sepse i indoktrinon njerëzit me frikën për jetesën, me frikën e vdekjes si dhe me besimin e verbër. Fatale, se një doktrinë e cila nuk është e aftë të mbajë veten në dritë të qartë, por vetëm në errësirë, detyrimisht do të humbasë efektin e saj mbi njerëzimin, duke i shkaktuar një dëm të pallogaritshëm progresit njerëzor. Prandaj në punët e tyre, përfaqësuesit e fesë duhet të shfrytëzojnë ato forca të cilat janë të afta të kultivojnë Zotin, të Vërtetën, të Bukurën te vetë njerëzimi. Për të qenë të saktë, duhet thënë se kjo është një detyrë shumë më e çmuar. Kur mësuesit e fesë do ta kenë përmbushur këtë proces përmirësimi, ata me siguri do të pranojnë me gëzim se feja e vërtetë është fisnikëruar dhe është bërë më e thellë nga dituria shkencore.

    J.Mandili: Le të ndalemi pak këtu z.Ajnshtajn. Ju sapo evidentuat dy çështje të rëndësishme; atë të fesë së vërtetë dhe atë të lidhjes së fesë me shkencën. Atëherë, unë ju shtroj këto dy pyetje: Ç’kuptoni ju me fe të vërtetë? A nuk ekziston në të vërtetë një kontradiktë midis fesë dhe shkencës?

    A.Ajnshtajn: Mund të jap me lehtësi një përgjigje se çfarë është shkenca. Objekti i shkencës është përcaktuar si rezultat i një përpjekje shekullore për të lidhur së bashku dukuritë e perceptueshme të botës që na rrethon në një bashkësi sa të jetë e mundur më tërësore. Duke përdorur metodat e mendimit sistematik, është bërë përpjekja për rikonstruksionin e gjërave që ekzistojnë me anë të konceptualizimit. Por, kur pyes veten se çfarë është feja, unë e kam të vështirë të jap një përgjigje me kaq lehtësi. Dhe madje edhe kur e gjej një përgjigje që më duket e kënaqshme për një çast të veçantë, unë përsëri mbetem i bindur se nuk do të mundem kurrë të grumbulloj se bashku, nën çfarëdo kushtesh, të gjitha ato gjëra që i kanë dhënë kësaj përgjigje një kuptim serioz.

    J.Mandili: Në qoftë se është e vështirë të jepet një përcaktim adekuat i fesë, atëherë unë do të parapëlqeja të pyesja se çfarë e karakterizon aspiratën e një personi që ju jep përshtypjen se është fetar?

    A.Ajnshtajn: Mua më duket se një person që është i ndriçuar nga feja, e ka çliruar veten nga kthetrat e dëshirave të tij egoiste, me aftësinë e tij më të mirë dhe u është përkushtuar mendimeve, ndjenjave dhe aspiratave, pas të cilave ai është kapur në sajë të vlerave të tyre mbipersonale. Mua më duket se më e rëndësishmja është forca e kësaj përmbajtje mbipersonale dhe thellësia e bindjes, lidhur me kuptimshmërinë e plotë dhe shumë të fuqishme të saj, pavarësisht nëse është bërë ndonjë përpjekje për ta bashkuar këtë përmbajtje me Qenien Hyjnore ose ndryshe, nëse nuk ka qenë e mundur të konsiderohen Buda dhe Spinoza si personalitete fetare. Kështu, një person fetar është i devotshëm në sensin se ai nuk ka dyshim për rëndësinë dhe cilësitë morale shumë të larta të këtyre objekteve dhe qëllimeve mbipersonale të cilat nuk kanë nevojë për mbështetje racionale. Ato pranohet se ekzistojnë faktikisht me po atë shkallë nevojshmërie si dhe ai vetë personalisht.

    J.Mandili: D.m.th funksioni më i rëndësishëm dhe më i saktë që duhet të realizojë besimi fetar në jetën sociale të njerëzve është ai që merret me qëllime dhe vlerësime, me bazën emocionale të mendimit dhe veprimit njerëzor, për t’i bërë të qarta përfundimet themelore dhe vlerësimet e tyre. Por, nga rrjedh autoriteti i këtyre përfundimeve themelore, meqenëse ato nuk mund të deklarohen dhe të justifikohen vetëm nga arsyeja?

    A.Ajnshtajn: Përgjigja e vetme është kjo: ato ekzistojnë në shoqërinë e shëndoshë në formën e traditave të fuqishme, të cilat veprojnë mbi sjelljen, aspiratat dhe gjykimet e individëve; ato janë aty si diçka e gjallë, pa pasur nevojë për të gjetur justifikimin e ekzistencës së tyre. Ato futen në qenien e individëve jo nëpërmjet demonstrimeve, por nëpërmjet zbulimit, nëpërmjet mjedisit të personaliteteve të fuqishme. Askush nuk duhet të përpiqet për t’i justifikuar ato, por, përkundrazi, për të ndjerë natyrën e tyre thjesht dhe qartë.

    J.Mandili: Në këtë sens, feja duhet konsideruar si një përpjekje shumë e vjetër e njerëzimit për t’i bërë të qarta dhe krejtësisht të vetëdijshme këto vlera dhe qëllime, si dhe për të forcuar dhe zgjeruar efektin e tyre. Në qoftë se objektin dhe qëllimet e fesë dhe të shkencës do t’i kuptojmë në përputhje me këto përcaktime, atëherë, a mund të flasim për konflikt midis tyre?

    A.Ajnshtajn: Në qoftë se objektin dhe qëllimet e fesë dhe të shkencës do t’i kuptojmë në përputhje me këto përcaktime, atëherë konflikti midis tyre duket i pamundur. Për shkencën është e rëndësishme të verifikojmë se si është një gjë, por jo si duhet të jetë ajo dhe jashtë fushës së saj mbeten të nevojshme gjykimet e vlefshme të të gjitha llojeve. Nga ana tjetër, feja ka të bëjë vetëm me vlerësimet e mendimeve dhe veprimeve njerëzore, ajo nuk ka të bëjë me justifikimin e fakteve dhe lidhjet midis tyre.

    J.Mandili: Pra, megjithëse fushat e fesë dhe të shkencës, në vetvete, janë përcaktuar qartë, ndarazi nga njëri-tjetri, prapë se prapë, midis tyre ekzistojnë lidhje dhe varësi të forta reciproke?

    A.Ajnshtajn: Sigurisht që po! Megjithëse feja mund të jetë ajo që përcakton qëllimet, përsëri ajo ka mësuar nga shkenca; në kuptimin më të gjerë, se cilat mënyra dhe mjete mund të na ndihmojnë që të arrijmë qëllimet që ka caktuar. Po kështu shkenca mund të krijohet vetëm nga ata që janë frymëzuar tërësisht nga aspiratat për të gjetur të vërtetat dhe për të kuptuar thelbin e gjërave. Por, nga ana tjetër, ky burim ndjenjash vjen nga sfera e fesë. Në këtë gjë konsiston besimi se rregullshmëria që vihet re në botën e gjërave që ekzistojnë është racionale dhe e logjikshme d.m.th që është e kuptueshme nga arsyeja. Unë nuk mund të përfytyroj një shkencëtar gjenial që nuk ka këtë besim të thellë. Kjo situatë mund të shprehet me një imazh të tillë. Shkenca pa fenë është e mangët, ndërsa feja pa shkencën është qorre.

    J.Mandili : Me sa kuptoj, ju deklaroheni për një shpirt fetar të shkencës dhe për një fe të emancipuar?

    A.Ajnshtajn: Pikërisht, këtë desha të nënvizoj, sepse njeri prej qëllimeve të fesë është që ta çlirojë njerëzimin sa të jetë e mundur nga varësia e dëshirave të zjarrta egocentrike, e pasioneve dhe e frikës; gjykimi shkencor mund ta ndihmojë fenë në një sens tjetër. Qëllimi i shkencës është të zbulojë ligjet të cilat na lejojnë të gjejmë lidhjet e fakteve midis tyre dhe të parashikojë fakte të tjera dhe nga ana tjetër të reduktojë këto lidhje në një numër sa të jetë e mundur më të vogël elementesh konceptualë, të pavarura reciprokisht. Në këtë përpjekje për unifikimin racional të këtyre lidhjeve… qëndron suksesi i madh i shkencës, megjithëse është pikërisht kjo përpjekje që e çon atë në rrezikun e madh për të rënë pre e iluzioneve. Por, kushdo që ka ndërmarrë një nismë intensive për të realizuar përparime të suksesshme në këtë fushë, është përcjellë me nderime të thella për racionalizmin që ka treguar gjatë veprimtarisë së tij. Në këtë rrugë të kërkimeve ai ka arritur një emancipim që shkon shumë larg nga prangat e dëshirave dhe të shpresave personale dhe në këtë mënyrë ai arrin atë qëndrim, atë pikëpamje të përulur të mendjes, në lidhje me madhështinë e arsyes së mishëruar në ekzistencën e tij, e cila, në thellësinë e saj më të madhe, është e paarritshme nga njeriu. Kjo pikëpamje, mua më duket së është fetare në kuptimin më të lartë të kësaj fjale. Në këtë mënyrë, mua më duket se shkenca jo vetëm pastron impulset fetare nga mbeturinat e antropomorfizmit të saj, por gjithashtu kontribuon për shpirtëzimin fetar të të kuptuarit tonë të jetës.

    J.Mandili: Sipas këtij arsyetimi, më lind e drejta të mendoj se nuk ekziston në të vërtetë një kontradiktë e pakapërcyeshme midis fesë dhe shkencës. A është i drejtë ky arsyetim?

    A.Ajnshtajn: Ky problem shekuj me radhë ka ngjallur diskutime të konsiderueshme dhe madje edhe luftë të fortë. Por, sipas meje, nuk ka dyshim se ne këtë rast arsyetimi i qetë të çon tek përgjigja pozitive. Ajo që e komplikon zgjidhjen, është fakti se ndërkohë që shumica e njerëzve bien dakord se ç’është shkenca, ata kanë mendime të ndryshme lidhur me fenë. Në qoftë se objektin dhe qëllimet e fesë dhe të shkencës do t’i kuptojmë në përputhje me përcaktimet e mëposhtme, atëherë konflikti midis tyre duket i pamundur. Për shkencën është e rëndësishme të verifikojmë se si është një gjë, por jo se si duhet të jetë ajo dhe jashtë fushës së saj mbeten të nevojshme gjykimet e vlefshme të të gjitha llojeve. Nga ana tjetër, feja ka të bëjë me vlerësimet e mendimeve dhe të veprimeve të njerëzve; ajo ka të bëjë me justifikimin e fakteve dhe lidhjet midis tyre. Në përputhje me këtë interpretim, konflikti i mirënjohur ndërmjet fesë dhe shkencës që ka ekzistuar në të kaluarën duhet t’i atribuohet keqkuptimit të situatave të tilla p.sh: kur komuniteti fetar këmbëngul se të gjitha deklarimet e përshkruara në Bibël janë të vërteta absolute. Kjo gjë merr kuptimin e një ndërhyrje të fesë në fushat e shkencës, siç është p.sh lufta e kishës kundër doktrinës të Galileut dhe Darvinit. Por, burimi kryesor i konflikteve të sotme, ndërmjet sferës së fesë dhe asaj të shkencës, qëndron tek koncepti i Zotit personal. Për të qenë të saktë, duhet thënë se doktrina e Zotit personal që ndërhyn në të gjitha dukuritë natyrore, nuk mund të përgënjeshtrohet kurrë nga shkenca, po të flasim në sensin real; kjo doktrinë gjithmonë mund të gjejë strehim në ato fusha kur njohuritë shkencore nuk kanë qenë në gjendje të futin këmbët. Për të qenë të saktë, duhet thënë se kur numri i faktorëve që marrin pjesë në një dukuri komplekse është shumë i madh, metodat shkencore në shumicën e rasteve na zhgënjejnë.

    J.Mandili: Pra, konflikt të vërtetë midis fesë dhe shkencës nuk ekziston. Ai shfaqet shpeshherë nga keqkuptime të situatave të caktuara apo nga pohime fikse dogmatike mbi probleme që i takojnë fushës së shkencës. Çfarë duhet bërë që këto konflikte të shmangen kur ato lindin për probleme që në fakt nuk janë vërtetë thelbësore? Më shkurt, si mund të ruhet feja e vërtetë?

    A.Ajnshtajn: Sa më shumë përparon evoluimi shpirtëror i njerëzimit, aq më e sigurt më duket mua se rruga drejt besimit të çiltër nuk do të mbështetet tek frika për jetesën si dhe te besimi i verbër; por te përpjekja për diturinë racionale. Në këtë sens, unë besoj se prifti duhet të bëhet një mësues, në qoftë se do të dojë të bëjë drejtësi gjatë misionit të tij të lartë edukativ.

    J.Mandili: Z.Ajnshtajn, sot konstatojmë me shumë shqetësim se njerëzimi i civilizuar ndodhet para një rreziku serioz si nga terroristët islamikë ashtu edhe nga drejtuesit e shteteve totalitare, që përpiqen aktualisht të shkatërrojnë shpirtin e njerëzimit. Në pjesët e tjera, më pak të shtypura është nacionalizmi dhe mungesa e tolerancës si dhe presioni i individëve me mjete ekonomike, të cilat përbëjnë rrezikun për t’i zhdukur këto tradita shumë të çmuara apo parime të larta fetare. Si shpjegohet që, ndërsa feja na mëson për një dashuri vëllazërore në lidhje midis njerëzve dhe grupeve, spektakli aktual i ngjan më tepër një fushë beteje që sa vjen e egërsohet më shumë?

    A.Ajnshtajn: Është e vërtetë se kur studiojmë kushtet konkrete të jetesës së njerëzimit të sotëm të civilizuar nga pikëpamja e mësimeve më elementare fetare, ndeshemi me një ndjenjë zhgënjimi të thellë dhe plot dhimbje nga ajo që shohim. Kudo në jetën ekonomike, njëlloj si në jetën politike, parimi udhëheqës është përpjekja e pareshtur për sukses në kurriz të njëri-tjetrit. Ky shpirt konkurrimi bën që arritjet të mos rrjedhin nga dashuria për punë produktive dhe të menduar mirë, por nga ambiciet personale dhe nga frika e përjashtimit. Ka pesimistë që pohojnë se një gjendje e tillë është në natyrën e vetë njerëzimit; ata që përhapin këto pikëpamje janë armiqtë e fesë së vërtetë, sepse sipas tyre, mësimet e fesë janë ideale, utopike dhe të papërshtatshme për të drejtuar njerëzimin. Një pikëpamje e tillë pesimiste është krejtësisht e pajustifikueshme. Sjellja morale e njerëzve që mbështetet nga feja ka nevojë gjithnjë për ruajtjen dhe çuarjen përpara të shëndetit dhe gjallërisë së komunitetit dhe individëve, sepse në të kundërt, ky komunitet është i destinuar të vdesë. Njerëzit që nderojnë gënjeshtrat, shpifjet, mashtrimet, vjedhjet dhe vrasjet, do të jenë të paaftë të mbijetojnë për shumë kohë.

    J.Mandili: Edhe një pyetje tjetër. Interpretimi i fesë, siç u paraqit këtu, a nuk nënkupton varësinë e shkencës nga feja?

    A.Ajnshtajn: Ndërsa është e vërtetë se, sukseset e shkencës janë plotësisht të pavarura nga konsiderata fetare apo morale; ata individë, të cilëve ne u jemi mirënjohës për arritjet e mëdha krijuese në shkencë, kanë qenë të gjithë të frymëzuar nga bindja plotësisht besimtare se ky, Universi Ynë, është diçka i përsosur dhe i kapshëm nga arsyeja jonë. Në qoftë se kjo bindje nuk do të ishte kaq emocionuese dhe, në qoftë se këta kërkues të dijes, nuk do të ishin të frymëzuar nga “Amor Dei Intellectualis”, i Spinozës, ata zor se do të ishin në gjendje për këtë devocion të palodhshëm, i cili është i vetmi që i jep mundësi njeriut për të arritur sukseset më të mëdha.

    J.Mandili: Z Ajnshtajn, një pyetje e drejtpërdrejtë: A besoni ju në Zot?

    A.Ajnshtajn: Mjafton për mua misteri i pafundësisë së jetës dhe ideja e strukturës së mrekullueshme të realitetit, së bashku me përpjekjen për të kuptuar një pjesë, qoftë edhe shumë të vogël, të arsyes që manifestohet në natyrë.